Lajme

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë: KFOR-i nuk duhet të marrë kontrollin në veri

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Joern Rohde, ka thënë se qëndrimi i shtetit gjerman për sa i përket sovranitetit të shtetit Kosovës nuk ka ndryshuar.

Ai ka thënë se Gjermania nuk mendon që KFOR-i të marrë nën kontroll veriun e Kosovës.

Mendoj se të gjitha deklaratat tona e kanë bërë të qartë këtë javë se Kosova është një vend sovran. Policia e Kosovës është institucion për zbatimin e ligjit në Kosovë e mbështetur nga KFOR-i dhe EULEX-i”, ka thënë ambasadori Rohde, në intervistë për emisionin KallxoPërnime.

Rohde ka shtuar se nëse kërkohet nga Policia e Kosovës që të veprojë KFOR-i apo EULEX-i, ata do të veprojnë sipas rregullave.

Ndryshe të enjtën kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama tha se për sigurinë e veriut të Kosovës të vendoset misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë – KFOR.

Lexo më shumë  Në Kosovë promovohet pulla postare kundër dhunës gjinore “Sot dhe çdo ditë tjetër”

Ndërsa kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i është përgjigjur homologut të tij shqiptar, Edi Rama, pas deklaratave se “KFOR-i duhet të marrë në kontroll veriun e Kosovës”.

Kurti në një intervistë për mediumin boshnjak “Istraga.ba” ka thënë se Kosova përgjatë kufirit me Serbinë ka nevojë për patrulla të përbashkëta që përfshijnë Policinë dhe KFOR-in por jo të ndryshohet protokolli sipas të cilit Policia është reaguesja e parë.

Rohde ka lavdëruar punën dhe profesionalizimin e Policisë së Kosovës.

Ai në një intervistë për emisionin #KallxoPërnime, ka thënë se Policia e Kosovës ka trajtuar me shumë profesionalizëm situatën në Banjskë të Zveçanit.

“Ne e kemi lavdëruar Policinë e Kosovës për trajtimin profesional të situatës. Nuk e shoh nevojën që KFOR-i të marrë përsipër këtë, sepse ne kemi një shtet sovran me një institucion të zbatimit të ligjit që ka vepruar shumë profesionalisht”, tha ai.

Lexo më shumë  Qeveria iu ndan komunave 15 milionë euro për t’i mbuluar pagat në arsim

Ai ka shtuar se nuk është i vetmi që ka arritur në këtë përfundim sipas tij kjo u përmend publikisht edhe nga zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano.

“Unë personalisht kam folur me kreun e Policisë, me komandantin e KFOR-it dhe të gjithë kanë thënë se ky është një bashkëpunim i shkëlqyer dhe i mirë dhe duhet të vazhdojë si i tillë. Dua të them, sot në mëngjes ne folëm me Presidenten dhe unë gjithashtu përsërita se ky ishte një bashkëpunim i mirë dhe duhet të vazhdojë kështu, e veçanërisht në kohë të vështira, miqtë duhet të qëndrojnë krah njëri- tjetrit”, ka thënë ndër tjerash ambasadori Rohde.

Rruga Press

YouTube player