Ambasadori britanik për masakrën e Reçakut: Nuk do të harrojmë kurrë
Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Nicholas Abbott ka thënë se nuk do të harrojnë kurrë masakrën e Reçakut, në 23-vjetorin e saj.
Ambasadori britanik ka përkujtuar 45 viktimat e masakrës së kryer nga forcat serbe më 15 janar 1999.
“Sot në mëngjes iu bashkova përkujtimit për të nderuar dhe kujtuar viktimat e masakrës në Reçak. 23 vjet më parë, 45 civilë të pafajshëm u vranë në një akt pa dallim dhe ende nuk kanë gjetur drejtësi. Nuk do të harrojmë kurrë”, ka shkruar ambasadori në Facebook.
Edhe Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier ka thënë se askush nuk duhet ta harrojë dhe as ta mohojë krimin e kryer kundër 45 civilëve shqiptarë në Reçak 23 vjet më parë, nga forcat serbe.
Në ceremoninë e organizuar për 23-vjetorin e Masakrës së Reçakut, Ambasadori amerikan ka theksuar se nuk duhet të harrohet as arsyeja se pse SHBA dhe NATO bashkë me aleatët i dolën në mbrojtje popullit të Kosovës.
“Askush të mos harrojë apo mohojë atë që ndodhi këtu, apo pse Shtetet e Bashkuara dhe aleatët tanë dolën në mbrojtje të popullit të Kosovës. E mbaj mend mirë atë ditë. Si oficer në Misionin e SHBA-së në OSBE, përgjegjës për Kosovën në atë kohë, mora një telefonatë nga shefi i atëhershëm i misionit verifikues të Kosovës, ambasadori William Walker menjëherë pasi u largua nga skena e tmerrit, tashmë i fokusuar në rekomandimet e tij për OSBE-në si përgjigje për vrasjen brutale të civilëve të pambrojtur”, tha ai.
23 vite që kur forcat policore dhe ushtarake serbe kryen njërën nga masakrat më të dhimbshme kundër njerëzimit në Reçak, por përkundër kohës së gjatë që ka kaluar, deri më tani asnjë person nuk është gjetur përgjegjës për këtë krim makabër mbi popullatën e pafajshme civile shqiptare.
Serbia i ka mohuar krimet e në Reçak, duke e quajtur trillim masakrën e kryer mbi civilët shqiptarë.
Rruga Press