Aliu: Shtimen do t’ua kthejmë qytetarëve
Qemajl Aliu i Lëvizjes Vetëvendosje i cili e ka fituar në balotazh me PDK-në komunën e Shtimes ka thënë se pas 22 vjetësh qeverisje në këtë komunë, është pritur me shumë gëzim ndërrimi i pushtetit.
Ai ka thënë se që nga e diela kryesisht është marrë me telefonata urimi nga persona të ndryshëm.
Aliu ka thënë se kanë filluar të organizohen në ndërtimin e institucioneve lokale.
“Unë jam aktivist politik prej shumë vitesh. Kam qenë edhe kandidat për deputet, qeverisjen lokale nuk është që e kam pasur prioritet por pas thirrjes së Qendrës këtu me dëshirë e kam pranuar këtë detyrë. Me kënaqësinë më të madhe do të mundohem që të bëjmë të pamundurën që Shtimes t’i japim zhvillim dhe perspektive”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se qytetarëve do t’ua kthejnë komunën e tyre.
Aliu ka thënë se kundërkandidati i tij sidomos në raundin e dytë ka pasur fushatë të ashpër ndaj tij.
Tutje ka shtuar se me të nuk ka pasur asnjëherë komunikim personal.
“Fillimisht do të fillojmë nga nevojat elementare të qytetarëve. Kemi shumë familje që kanë nevojë për mjete financiare. Do të kujdesemi edhe për Qendrën e Mjekësisë familjare dhe pacientët me COVID-19. Do të ketë reforma në ekonomi, arsim e sektorë të tjerë”, ka thënë ai./Koha.net/
Rruga Press