Aliu: Miratohet Projektligji për Ofruesin e Shërbimeve të Navigacionit Ajror
Qeveria e Kosovës sot miratoi Projektligjin për Ofruesin e Shërbimeve të Navigacionit Ajror, përgjegjësi e së cilës është ofrimi i shërbimeve të kontrollit të navigacionit ajror për çdo fluturim që qarkullon në territorin e Republikës së Kosovës.
Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu përmes një postimi në rrjetin social në Facebook bëri të ditur se ky projektligj është hartuar në bazë të rregullave të përcaktuara me Rregulloren e Qeverisë së Kosovës, ku janë marrë për bazë të gjitha Direktivat e BE-së, që ndërlidhen me shërbimet e navigacionit ajror të transpozuara përmes akteve nënligjore nga Autoriteti i Aviacionit Civil, siç edhe e obligon Marrëveshja shumëpalëshe për Themelimin e Hapësirës së Përbashkët Evropiane të Aviacionit.
“Projektligji për Ofruesin e Shërbimeve të Navigacionit Ajror ka për qëllim sigurimin e hapësirës ajrore të Republikës së Kosovës për të cilën ka përgjegjësinë e ofrimit të shërbimeve të kontrollit të navigimit ajror për çdo fluturim që qarkullon në territorin e Republikës së Kosovës. Hartimi i këtij projektligji me propozimet për zbatim më të lehtë të tij, rezulton në plotësimin e prioriteteve të Qeverisë për sundimin e ligjit”, ka shkruar ministri Aliu.
Rruga Press