Alim Rama i drejtohet PZAP-së: “Po krijohen precedentë të rrezikshëm, ligji po zbatohet ndryshe për mërgatën”
Sekretari organizativ i Lëvizjes Vetëvendosje, Alim Rama, ka reaguar ndaj vendimit të fundit të PZAP-it lidhur me ankesën e LDK-së, duke thënë se është krijuar një praktikë e re e votimit në ambiente private brenda Kosovës, ndërkohë që kjo mundësi nuk u ofrohet bashkatdhetarëve në mërgatë.
Rama ka publikuar foto të vendvotimeve të caktuara në Prizren dhe Mitrovicë të Veriut, për të cilat thotë se janë ambiente private të listuara nga KQZ-ja. Sipas tij, kjo bie ndesh me rregullat që u imponohen qytetarëve jashtë vendit, të cilët detyrohen të votojnë vetëm në përfaqësitë diplomatike — shpesh të paarritshme dhe me kapacitet të kufizuar.
Ai thekson se votimi në ambiente private nuk është i pazakontë, duke përmendur shembuj nga SHBA, por shton se problemi qëndron te standardi i dyfishtë që po zbatohet.
Rama shtron edhe dyshimin se e gjithë situata mund të jetë një skemë e paramenduar për t’i shtyrë qytetarët e mërgatës të votojnë me postë, duke hapur mundësi manipulimi, siç thotë se ndodhi në zgjedhjet e 9 shkurtit.
Në fund, ai kërkon zbatim të njëjtë të ligjit për të gjithë qytetarët e Kosovës, pa dallim nëse jetojnë brenda apo jashtë vendit.
Rruga Press

