Aleanca për Shqiptarët mbështet protestën e thirrur për të kundërshtuar kërcënimet e Serbisë ndaj Republikës së Kosovës
Partia opozitare shqiptare në Maqedoninë e Veriut Aleanca për Shqiptarët, ka bërë të ditur se do t’i bashkangjitet protestës në Shkup para amabasadës serbe, të thirrur nga Shoqata e të Burgosurve dhe të Dëmtuarve Politikë Shqiptarë. Aleanca për Shqiptarët në komunikatën e saj dënon veprimet destabilizuese e luftënxitëse të bandave të kontrolluara nga Beogradi në veri të Kosovës. Njëkohësisht shprehin mbështetje për Republikën e Kosovës në përpjekjen për të vendosur rend dhe ligj në të gjithë territorin.
Komunikata e plotë më poshtë:
Aleanca për Shqiptarët mbështet protestën e thirrur për më 29.12.2022 nga Shoqata e të Burgosurve dhe të Dëmtuarve Politikë Shqiptarë, për të kundërshtuar kërcënimet e Serbisë ndaj Republikës së Kosovës, dhe u bën thirrje anëtarëve dhe simpatizantëve të saj t’i bashkëngjiten radhëve të protestuesve.
Aleanca për Shqiptarët dënon veprimet destabilizuese e luftënxitëse të bandave të kontrolluara nga Beogradi në veri të Kosovës. Përkrahim plotësisht përpjekjet e Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe të NATO-s për të vendosur rendin dhe ligjin në tërë territorin e vendit.
Grumbullimi i protestuesve do të bëhet në anën e djathtë të rrugës pranë Qendrës Klinike “Nënë Tereza” në ora 12:30 dhe protesta do të vazhdojë drejt ambasadës së Serbisë.
U bëjmë thirrje protestuesve të marshojnë në mënyrë paqësore duke mos rënë pre e provokimeve të mundshme.
Rruga Press