KryesoreLajme

Albulena Haxhiu: Abelard Tahiri mbylli institucionet për krimet e Serbisë dhe hapi rrugën për gjykim selektiv të UÇK-së

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka reaguar ndaj deklaratave të deputetit të PDK-së, Abelard Tahiri, duke e akuzuar atë për “manipulime me të pavërteta” dhe “amnizi tendencioze” lidhur me trajtimin e krimeve të luftës.

Në reagimin e saj, Haxhiu kujtoi se Instituti për Hetimin e Krimeve të Luftës u shua në vitin 2018, gjatë mandatit të Tahirit si ministër i Drejtësisë.

“Pra, Tahiri mbylli mekanizmin shtetëror për dokumentimin e krimeve të Serbisë,” tha ajo.

Përgjegjësitë e PDK-së sipas Haxhiut

Ministrja theksoi se edhe periudha kohore deri më 31 dhjetor 2000 për trajtimin e rasteve të personave të zhdukur është propozuar dhe miratuar nga qeverisja e PDK-së në vitin 2011, me ligjin Nr. 04/L-023 për Personat e Zhdukur. Po ashtu, më 3 gusht 2015, Kuvendi votoi për Dhomat e Specializuara me të njëjtin juridiksion kohor, nga 1 janar 1998 deri më 31 dhjetor 2000.

“Ligji i hartuar nga Qeveria jonë dhe i miratuar nga Kuvendi është shumë i qartë dhe nuk lë vend për manipulime. Ai zbatohet për periudhën e luftës, nga 1 janar 1998 deri më 20 qershor 1999. Përjashtimisht, hulumtimi dhe dokumentimi mund të shtrihet deri më 31 dhjetor 2000, vetëm për rastet e lidhura drejtpërdrejt me luftën, si të zhdukurit dhe viktimat nga minat,” shpjegoi Haxhiu.

Sipas saj, çdo interpretim ndryshe është “keqinformim dhe shpërdorim politik i tekstit ligjor.”

Lexo më shumë  Kurti shpalos nga Podujeva hapat për formimin e institucioneve

“Kush i ka shërbyer Serbisë?”

Duke renditur mbylljen e Institutit për Krimet e Serbisë, votimin e Gjykatës Speciale që gjykon vetëm shqiptarët, si dhe ligjin për të Zhdukurit me periudhë deri në vitin 2000, Haxhiu theksoi se është e qartë “kush i ka bërë shërbim Serbisë.”

“Abelardi, në vend të shpifjes, duhet të japë llogari pse partia e tij ka marrë këto vendime që e kanë lënë Kosovën pa mekanizma shtetërorë për dokumentimin e krimeve të Serbisë dhe kanë hapur rrugën për gjykim selektiv të UÇK-së,” përfundoi ministrja.

Shkrimi i plotë:

Abelard Tahiri, me amnezi tendencioze, vazhdon të manipulojë me të pavërteta.

Instituti për Hetimin e Krimeve të Luftës u shua në vitin 2018, gjatë mandatit të Abelard Tahirit si Ministër i Drejtësisë. Pra Tahiri mbylli mekanizmin shtetëror për dokumentimin e krimeve të Serbisë.

Periudha deri më 31 dhjetor 2000 është e propozuar dhe votuar nga qeverisja e PDK-së, në 2011, kur u miratua Ligjin Nr. 04/L-023 për Personat e Zhdukur. Ky ligj përcakton qartë se trajtimi i rasteve të personave të zhdukur mbulon periudhën 1 janar 1998 – 31 dhjetor 2000.

Më vonë, më 3 gusht 2015, në Kuvend votuan Dhomat e Specializuara, me juridiksion kohor 1 janar 1998 – 31 dhjetor 2000.

Lexo më shumë  Anketa/ 54.5% e qytetarëve në Shqipëri nuk e përballojnë dot një mijë euro shpenzim të papritur

Ligji i hartuar nga Qeveria jonë dhe i miratuar nga Kuvendi, është shumë i qartë dhe nuk lë vend për manipulime. Ai zbatohet për periudhën e luftës, pra nga 1 janar 1998 deri më 20 qershor 1999.

Si përjashtim, hulumtimi dhe dokumentimi “mund të aplikohet edhe mbi krimet e kryera pas periudhës së luftës, të ndërlidhura me luftën, por jo më vonë se 31 dhjetor 2000”.

Kjo nënkupton se boshti kryesor i ligjit është periudha e luftës, ndërsa zgjatja deri më fund të vitit 2000 ka të bëjë vetëm me pasojat e drejtpërdrejta të luftës, siç janë të zhdukurit (obligim nga Ligji i vitit 2011), si dhe viktimat nga minat. Çdo interpretim ndryshe është keqinformim dhe shpërdorim politik i tekstit ligjor.

Duke mbyllur Institutin për Krimet e Serbisë, duke votuar Specialen që gjykon vetëm shqiptarët, duke miratuar Ligjin për Personat e Zhdukur me afat deri në vitin 2000 dhe duke mos ndërmarrë asnjë veprim, sa ishte Ministër, që i shërben drejtësisë për krimet e luftës, është e qartë se kush i ka bërë shërbim Serbisë.

Prandaj Abelardi në vend të shpifjes, duhet të japë llogari pse partia e tij ka marrë këto vendime që e kanë lënë Kosovën pa mekanizma shtetërorë për dokumentimin e krimeve të Serbisë dhe kanë hapur rrugën për gjykim selektiv të UÇK-së.

YouTube player