Albin Kurti kujton Azem Shkrelin në 28-vjetorin e ndarjes nga jeta: “Poeti që ishte gjithmonë më pranë lirisë”
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kujtuar poetin e njohur Azem Shkreli në 28-vjetorin e vdekjes së tij, duke ndarë një reflektim të thellë mbi trashëgiminë letrare dhe shpirtërore të poetit.
Në një postim publik, Kurti ka bërë të ditur se vajza e Shkrelit, Aida Shkreli-Miloti, aktualisht doktorante e psikologjisë në Kanada, i ka dhuruar kompletin e veprave të të atit. “Me ëndje i kthehem poezive të Azem Shkrelit. Dhe përherë vë re të njëjtën gjë: poezia është gjithnjë para nesh, lart dhe larg”, shkruan Kurti.
Sipas tij, Azem Shkreli ishte poet i lirisë dhe rilindas për çdo kohë, që me vargjet e tij shfaqte thelbin e njeriut, të kohës dhe të atdheut. “Poeti i vërtetë është për çdo kohë rilindas. Dhe kur e shquajmë poetin, e vendosim në aradhën e të lartëve. Azem Shkreli bën pjesë aty”, shkruan ai.
Kurti kujton se Shkreli u largua nga kjo jetë pa e parë lirinë, por se ai e kishte ndjerë atë përmes gjenisë poetike. Ai thekson se vargjet e Shkrelit kanë vlerë të përhershme dhe udhërrëfyese për brezat. “Nëse nuk duam ta humbim udhën, mjaft të kujtohemi se ajo ruhet diku: në vargjet e poetit”, shkruan ai.
Në fund të reflektimit të tij, Kurti ndalet te mesazhi i përhershëm i poezisë së Azem Shkrelit – ai i një miqësie të thellë me këtë tokë, me kohën dhe me atdheun. “Azem Shkreli, si poet i madh, të sillte në çdo varg njeriun, kohën dhe atdheun”, përfundon ai.
Rruga Press

