Alban Hyseni sot merr drejtimin e Komunës së Gjilanit
Sot do të bëhet pranim-dorëzimi i detyrës së kryetarit të Komunës së Gjilanit. Lutfi Haziri do t’ia dorëzojë mandatin e kryetarit të zgjedhur, Alban Hyseni.
Mbledhja inauguruese e Kuvendit të ri Komunal të Gjilanit do të mbahet në orën 10:00, ku edhe do të betohet kryetari dhe asamblistët e rinj.
Pas pranimit të detyrës së kryetarit, Hyseni në orën 15:00 do të bëjë homazhe te varrezat e dëshmorëve.
Hyseni në raundin e dytë të zgjedhjeve të mbajtura më 14 nëntor, mposhti kundërkandidatin e tij nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Lutfi Hazirin.
Në raundin e dytë të zgjedhjeve, Hyseni mori besimin e 21 mijë e 800 qytetarëve gjilanas apo 51,10% të votave.
Kurse kundërkandidati i tij, Haziri mori 20 mijë e 865 vota apo 48.90%.
Hyseni deri dje ishte edhe deputet.
“Sot firmosa dokumentin e dorëheqjes nga pozita e deputetit. Ju faleminderit të gjithë kolegëve pa dallime partiake, për bashkëpunimin gjatë kësaj periudhe. Tani na presin detyra të reja dhe hapjen e një kapitulli të ri për Komunën e Gjilanit”, shkroi Hyseni në Facebook të mërkurën.
Rruga Press