KryesoreLajme

Alarmante shifrat e 9-mujorit 2025 në Shqipëri, tkurrja e lindjeve përhapet në gjithë vendin, rënie vjetore 4.6 %

Shtesa natyrore e popullsisë u përmirësua në tremujorin e tretë të vitit 2025, falë rënies së numrit të vdekjeve, por lindjet vijojnë të pakësohen.

Të dhënat e fundit të INSTAT tregojnë se Shqipëria po përballet me një rënie të vazhdueshme të lindjeve, e cila nuk kufizohet më vetëm në zonat e thella apo rurale, por po shtrihet në gjithë territorin. Qendrat e mëdha urbane, që dikur kompensonin deficitin demografik të qarqeve të tjera, po shfaqin shenja ngopjeje dhe frenimi, ndërsa qarqet e brendshme dhe veriore po boshatisen.

Në nëntëmujorin e vitit 2025 kanë lindur gjithsej 16,052 foshnja, me një rënie prej 4.6% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Tirana mbetet qarku me numrin më të lartë të lindjeve, por ka shënuar një tkurrje të lehtë prej 2.2% në nëntëmujorin e 2025 krahasuar me vitin 2024. Kjo rënie, ndonëse më e moderuar se në pjesën tjetër të vendit, tregon ngadalësimin e ritmit të shtesës natyrore edhe në kryeqytet, që tradicionalisht ka qenë më tërheqës për familjet e reja për shkak të punësimit dhe shërbimeve. Kostoja e lartë e jetesës dhe mungesa e stabilitetit ekonomik po fillojnë të ndikojnë gjithnjë e më shumë edhe te familjet urbane të Tiranës.

Lexo më shumë  SHBA del zyrtarisht nga OBSH, një vit pas urdhrit të Trump

Nga ana tjetër, Korça ka shënuar rënien më të fortë të lindjeve në vend, me -16.8% në nëntëmujorin e 2025. Ky rezultat lidhet me emigrimin e vazhdueshëm të të rinjve dhe me moshimin e popullsisë, çka ka sjellë një ulje strukturore të lindshmërisë.

Elbasani dhe Fieri regjistrojnë gjithashtu rënie të ndjeshme, përkatësisht 6.3% dhe 6.7%. Në këto qarqe, dikur me bazë të gjerë industriale dhe bujqësore, shkaqet lidhen me vështirësitë ekonomike dhe mungesën e perspektivës për të rinjtë, duke nxitur migrimin drejt Tiranës ose jashtë vendit.

Durrësi, një tjetër qendër urbane e rëndësishme, ka pësuar ulje me 4%, çka tregon se edhe zonat me zhvillim më të lartë ekonomik nuk po arrijnë të ruajnë nivelet e lindjeve. Shtrenjtimi i banesave dhe pasiguria në tregun e punës duket se po frenojnë familjet e reja për të pasur fëmijë.

Lexo më shumë  Argumentat/ Si e shpjeguan prokurorët e SPAK kërkesën për pezullimin e Ballukut

Në Shkodër, lindjet kanë rënë me 6.2%, duke reflektuar një kombinim të emigrimit masiv dhe moshës së lartë të popullsisë rurale.

Dibra, një qark tradicionalisht me lindshmëri të lartë, ka pësuar rënie me 11.3%, që tregon boshatisje të mëtejshme të zonave malore.

Ndërkohë, Berati është ndër të paktët qarqe që ka shënuar një rritje të lehtë prej 1.8%, ndoshta si pasojë e rikthimit të disa familjeve nga emigracioni ose e politikave vendore për mbështetje sociale.

Vlora ka shënuar një rënie të lehtë me -2.6%, ndërsa Gjirokastra, Kukësi dhe Lezha kanë pasur ndryshime minimale, por me prirje të përgjithshme në rënie ose stagnim. /Monitor/

Burimi: INSTAT
YouTube player