Aktivistja tregon detaje tronditëse se çfarë po u ndodh grave në burgjet e Iranit
Një aktiviste e të drejtave të njeriut në Iran ka shkruar nga burgu për t’i dhënë BBC-së detaje se si gratë e ndaluara në protestat e fundit antiqeveritare po keqtrajtohen seksualisht dhe fizikisht.
Narges Mohammadi tha se sulme të tilla ishin bërë më të zakonshme në protestat e fundit.
Ajo po vuan një dënim të gjatë në burgun famëkeq “Evin” të Teheranit.
Protestat u shkaktuan nga vdekja në shtator e 22-vjeçares Mahsa Amini, e arrestuar për shkelje të kodeve të rrepta të veshjes. Ajo u arrestua nga policia e moralit në mes të shtatorit për dyshimin se mbante shaminë “në mënyrë të pahijshme”.
Më shumë se 500 protestues, duke përfshirë 69 fëmijë, janë vrarë, ndërsa mijëra të tjerë janë arrestuar, thonë aktivistët e të drejtave të njeriut.
Shumë nga të arrestuarit dyshohet se i janë nënshtruar torturës dhe keqtrajtimit në paraburgim.
Mohammadi ka marrë disa dënime me burg që nga viti 2011 dhe aktualisht ndodhet në burg për “përhapje propagande”.
“Duart dhe këmbët të lidhura”
Mohammadi thotë në letrën e saj se disa nga gratë e arrestuara gjatë demonstratave të fundit janë transferuar në repartin e grave në burgun “Evin”.
Kjo i dha asaj një shans për të dëgjuar detaje tronditëse të abuzimit që pësuan.
Ajo thotë se një aktiviste e njohur i kishte të lidhura duart dhe këmbët në një grep sipër kokës së saj në automjetin që e çonte në burg – dhe më pas u sulmua seksualisht nga oficerët e sigurisë.
Mohammadi tregoi se ajo kishte gërvishtje dhe plagë në trup.
Ka shtuar tutje se një tjetër grua që ishte arrestuar në rrugë ishte marrë në motoçikletë nga dy oficerë – një para dhe një pas – dhe vazhdimisht ishte sulmuar.
Autoritetet iraniane nuk kanë komentuar akuzat e fundit, por vazhdimisht kanë mohuar të kenë ndodhur abuzime.
Rruga Press