Aktivistët marrin ngrohëset para Ministrisë
Një formë e veçantë proteste është zgjedhur nga aktivistët e “Qendresa Qytetare” që sot dolën në protestë për të reaguar për mungesën e ngrohjes në shkolla. Në disa foto të publikuara duket sesi protestuesit kanë marrë me vete ngrohëset e tyre duke ironizuar Ministrinë e Arsimit.
“Ngrohësja 3D e Ministrisë” shkruhet në pankartë, ndërsa në fjalën e tyre, ata kërkuan që të merren masa për të garantuar zhvillimin e mësimit në të gjithë shkollat e vendit.
“Ministrja po bën meteorologen dhe s’po bën asgjë tjetër. Nuk do të jetë ftohtë vetëm këto ditë. Askush nuk mund të surprizohet që në muajt janar dhe shkurt bën ftohtë. Kjo ministri dhe arsimi është kthyer në momentin që e la dhe Migjeni, një kafshatë që nuk kapërdihet. Ne jemi këtu për të adresuar problematikat e mësuesve, komunitet që është marrë peng, është ngarkuar me të gjitha vështirësitë. Ky profesion ka kosto fizike. Mësuesit tonë sot nuk kanë mbështetje për COVID-in, kanë orë shtesë, punojnë me turne. Mësimxënia e fëmijëve dëmtohet, e ky mision kthehet i pamundur, në mjerim. Ju e keni parë që asnjë mësues nuk thotë dot kam ftohtë.-u shpreh Migen Qiraxhi nga Qendresa Qytetare. Protesta vjen pas vendimit të Ministrisë për të lënë pushim 3 ditë shkollat në të gjithë vendin për shkak të temperaturave të ftohta që kanë përfshirë Shqipërinë. Vendimi është pasuar nga një tjetër masë që parashikon lënien pushim pa penalitete të njërit prej prindërve të fëmijëve të mitur, që mund të qëndojë lirisht në shtëpi me fëmijën nëse është i punësuar në shtet.
Rruga Press