Aksioni i policisë, bastiset komuna paralele e Skenderajt në veri, Elshani: Pritet që të mbyllet
Policia e Kosovës, në bashkëpunim me prokurorinë e shtetit, ka nisur mbylljen e komunës paralele serbe që vepronte për komunën e Skenderajt në veri të vendit.
Zëvendësdrejtori i Policisë për Rajonin e veriut, Veton Elshani, bëri të ditur se aktualisht po kryhet një bastisje në objektin e kësaj komune.
“Është një komunë paralele në veri që vepron për pikën e Skenderajt. Jemi futur brenda dhe po kontrollojmë; ka shumë mundësi që kjo komunë do të mbyllet,” tha Elshani.
Kjo vjen pas disa javësh nga mbyllja e komunave të tjera paralele që vepronin në veri të Kosovës.
Qeveria e Kosovës ka thënë vazhdimisht se po përpiqet të vendosë rend dhe ligj, posaçërisht në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe, duke i shuar institucionet paralele serbe.
Katër komunat me shumicë serbe në veri, Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, udhëhiqen nga kryetarë shqiptarë prej majit të vitit të kaluar, kur ata morën mandatin nga zgjedhjet lokale që u bojkotuan nga popullata shumicë serbe.
Serbët lokalë – megjithëse morën pjesë në peticionin për shkarkim të kryetarëve – ata e bojkotuan procesin më vonë, pas thirrjes së Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, e cila gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar.
Në Kosovë, ka komuna, kompani e ndërmarrje publike, çerdhe, shkolla fillore, të mesme dhe universitete publike që financohen drejtpërdrejt nga Qeveria e Serbisë, dhe të cilat gjenden në qytetet dhe vendbanimet ku jetojnë komuniteti serb.
Këto institucione sipas ligjeve në Kosovë janë ilegale.
Rruga Press