Aksidentet/ Si po i shmanget Veliaj përgjegjësisë për kontrollin e linjave urbane
“Aksidenti më i çuditshëm në një shekull kryeqytet” kështu e quante Erjon Veliaj rrëshqitjen e autobusit në Lanë në 29 Prill të vitit që shkoi. Në fakt, për qytetarët që ishin brenda mjetit ai ishte një aksident i frikshëm që u vuri jetën në fije të perit dhe që nuk duhej të përsëritej për asnjë shkak.
Prandaj çmenduria e autobusit të së njëjtës linjë këtë të hënë ishte dyfish dramatike. Sepse herën e parë që ndodhi, autoritetet nuk shfaqën asnjë sens përgjegjësie.
Filmimet e kamerave të sigurisë dëshmuan për një skenë surreale. Mjeti shtyn me shpejtësi mes makinave që ishin ndalur në semafor.
Merr para 5 apo 6 prej tyre dhe kur një fuoristradë bllokohet me pemën, autobusi i mbushur me udhëtarë kërcen si i çmendur nga presioni i shtytjes, në një nga zonat më të populluara të kryeqytetit.
Video më poshtë:
Bilanci: 9 të plagosur dhe 6 makina të dëmtuara.
Një vit më parë, në 29 Prill, skena e autobusit që shkel një Mercedes dhe rrëzohet në Lanë ishte po kaq e frikshme, por atëherë ajo u përcoll me një lloj entuziasmi artistik nga kryebashkiaku i Tiranës.
Ende nuk dihet arsyeja, se përse atëherë Erjon Veliaj shfaqi një zell artistik vitin e kaluar duke e paraqitur ngjarjen e rëndë herë si “aksident të pafat”, e herë si vepër arti që duhej të qëndronte mbi Lanë.
Pa pritur rezultatet e hetimit mbi shkaqet e aksidentit dhe pa shfaqur asnjë shqetësim për rrezikimin e jetëve të qytetarëve, Veliaj propozoi përmes një sondazhi që autobusi të qëndronte mbi Lanë, si instalacion. Foto më poshtë:
Shkaqet e aksidentit që ndodhi këtë të hënë në unazë nuk janë përcaktuar ende. Një version i mundshëm është që drejtuesi i mjetit të ketë humbur kontrollin, një tjetër është defekti teknik i mjetit.
Sërish, propozimi i Veliajt për ta parë një aksident të rrezikshëm si një vepër arti, ishte një thagmë për nga papërgjegjshmëria që shfaqi kryebashkiaku i Tiranës.
Pas atij propozimi kuptohet se administratës së Bashkisë as nuk i shkoi ndër mend të shtonte kontrollin ndaj kompanisë që kishte linjën e autobusëve elektrikë në unazën e Tiranës.
Madje as sot, që aksidenti është përsëritur në të njëjtën linjë, Veliaj nuk ka shfaqur asnjë reflektim, duke u mjaftuar me një njoftim të thatë.
“Po bashkëpunojmë me institucionet përkatëse deri në zbardhjen e plotë të shkaqeve dhe rrethanave, që çuan në këtë ngjarje! Të gjitha filmimet e kamerave të Policisë Bashkiake janë vendosur në dispozicion të Policisë Rrugore të Tiranës, teksa jemi informuar që të gjithë drejtuesit e mjeteve të përfshira janë testuar dhe intervistuar nga kolegët e policisë, për të çuar në hetimin e plotë të aksidentit, që fatmirësisht nuk pati pasoja në jetë njerëzish”, thuhet në njoftimin e Bashkisë së Tiranës. /Lapsi.al/
Rruga Press