Opinion/Aktualitet

Ajo që mbeti mister në shkarkimin e Gledis Nanos

Nga Andi Bushati

Asgjë nuk është ashtu sikur duket në largimin e drejtorit të policisë Gledis Nano. Ngjarja është më e komplikuar se sa u mundua ta paraqesë ministri i brendshëm Çuçi, pra si një reflektim i qeverisë për punën e dobët të policisë, për 47 vrasjet e këtij viti dhe kronikën e zezë të rënduar të kësaj vere.

Nëse do të qe e tillë, Nanos do ti qe kërkuar të dorëzonte çelësat që pas ngjarjes makabër të Himarës, kur pas masakrimit të Jonadës së vogël, mijra protestues dolën në rrugë me thirrjet për dorëheqjen e tij. Një qeveri me mendësi demokratike nuk do të kishte pasur mundësi më të mirë për të ndërthurur konkluzionet që ajo kishte nxjerrë për punën e dobët të policisë me dëgjimin e vullnetit të njerëzve.

Por atëherë ndodhi e kundërta. Rama jo vetëm e mbajti në punë Gledis Nanon, por atë e detyruan të luante para kamerave, sipas modeleve Veliaj- Balluku, duke aktruar aksione për bllokimin e skafeve dhe motorrëve të ujit.

Ka një faktor tjetër që ka luajtur rol në heqjen qafe të Nanos dhe kjo lidhet, mbi të gjitha, me shfaqen tragjiko komike që u luajt dy ditët e fundit në nivelet e larta të ministrisë së brendëshme. Në fillim të javës, me ngulmimin e një njolle vaji, u hap lajmi se Drejtori i Përgjithshëm i Policisë kishte dhënë dorëheqjen pas kërkesës së ministrit. Me siguri, që në majë të qeverisë ishte planifikuar një skenar i ngjashëm, me atë të një viti më parë, kur nga drejtimi i policisë u largua një militant si Ardi Veliu. Ai shkroi një letër qrsharake ku e falenderonte Ramën për mundësinë që i pati dhënë dhe i lutej me padurim se qe i gatshëm ta ndihmonte në detyra të reja.

Lexo më shumë  Ja si i kuptoj unë protestat e studentëve në Serbi

Ngjarja u mbyll me happy-end, publiku nuk pa asnjë krisje në radhët e rilindjes, dhe ish kryepolici që kishte shërbyer edhe si alibi për grabitësit e zgjedhjeve, u regullua në një punë tjetër.

Gledis Nano me sa duket nuk e pranoi një largim në paqe dhe të negociuar. Sapo doli lajmi i dorëheqjes, ai reagoi duke thënë se një gjë e tillë nuk qe e vërtetë dhe se ai vazhdonte të qëndronte në detyrë, pasi nuk kishte ndër mend të vetë largohej. Madje, burime pranë tij tregojnë se ai u kërkoi ndihmë edhe selive perendimore diplomatike që i këshilluan të njëjtën vijë sjelljeje. Vetëm pas kësaj qeveria u detyrua ta shkarkojë, duke u detyruar të pranojë bashkë me këtë akt edhe dështimin në punën një vjeçare të policisë.

Natyrisht, ky qëndrim nuk e bën Gledis Nanon një polic më të mirë. Drejtimi i tij ka qenë një dështim ashtu si ai i gjithë paraardhësve të vet, apo i atyre që do ta pasojnë, të cilët janë detyruar të drejtojnë uniformat blu në kuadrin e një shteti, sa të kriminalizuar, po aq dhe të politizuar. Por ama fakti se ai nuk pranoi të sillet si gur shahu i rilindjes, sipas modelit Ard Veliu: “partia jote të vë, partia jote të heq”, zbulon në një farë mënyre edhe arsyen reale të daljes së tij nga skena.

Lexo më shumë  Çfarë ndodh kur shteti kapet nga struktura të korruptuara dhe interesat personale?

Ngjarja e fundit tregoi se ai nuk qe aq militant sa duhej. Por ka së paku dy arsye se përse Edi Ramës i duhet, pikërisht sot, një i tillë. Së pari në kushtet kur ai po planifikon të mbushë gropën e madhe që ka krijuar në buxhet përmes parave të krimit, amnistisë fiskale, pashaportave të arta dhe rikthimit të basteve, gjëja që i volit më pak është një drejtor policie që i pëshpërit në vesh aleatëve perendimorë, të cilët janë kundër këtyre nismave. Ai ka nevojë për një vasal mbi vasalët. E kjo edhe për një arsye të dytë. Nëse gjendja e rëndë ekonomike dhe kriza e çmimeve e ysht opozitën e Berishës dhe Metës në protesta permanente në këtë vjeshtë, kryeministrit do ti duhet një polici militante për përballimin e tyre. Ndoshta Gledis Nano, ashtu sikurse tregoi edhe mosbindja e tij e fundit, nuk jepte garanci të mjaftueshme për këto. Prandaj atë e larguan, ndonëse nuk pranoi të dorëhiqej. /Lapsi.al/

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *