KryesoreOpinion/Aktualitet

Air Albania/ Si u shndërrua krenaria kombëtare në një nga borxhlinjtë e këqinj më të mëdhenj të Shqipërisë

Shkruan Klodian Tomorri

Në fillim të muajit të kaluar, një kompani e quajtur I.B.N iu drejtua Gjykatës së Shkallës së Parë në Tiranë për nxjerrjen e një urdhri sekuestroje. Kompania për të cilën kërkohej sekuestroja ishte flamuri i qiellit shqiptar, Air Albania.

Sipas vendimit të Gjykatës, krenaria kombëtare siç e pati quajtur kryeministri, i detyrohej kompanisë I.B.N, 4.5 milionë euro fatura të papaguara. I gjithë ky borxh ishte i provuar përmes faturave fiskale dhe i çertifikuar nga një vendim i mëparshëm gjykate në muajin tetor të vitit të kaluar.

Gjykata e Shkallës së Parë e miratoi urdhërin duke vendosur sekuestron konservative mbi aksionet e Air Albanias deri në shlyerjen e plotë të detyrimit. Por urdhri mbahet sekret dhe nuk është publikuar, ndonëse ajo që është publikuar është një kundërurdhër i siguruar nga Air Albania, po në gjykatë dy javë më parë, për të pezulluar veprimet përmbarimore.

Krenaria kombëtare e Shqipërisë ka kohë që është në telashe me shlyerjen e faturave për furntorët, madje edhe për punonjësit. Pak muaj më parë në eksktraktin e kompanisë u shfaq një tjetër urdhër sekuestroje, këtë herë i vendosur nga ish administratori i saj Sinan Isik. Ky kërkonte pagën, që kompania nuk ja kishte paguar siç pretendonte.

Lexo më shumë  ​OCTOPUS: Serbia përmes luftës hibride po ndërhynë në zgjedhjet e 9 shkurtit

E vënë sërish në qendër të vëmendjes publike, pas deklaratave të Arben Ahmetajt që e cilësoi Air Albanian si një kompani të rrënuar financiarisht nga charterat e Edi Ramës, kompania reagoi duke i quajtur akuzat si të pabesueshme, madje duke u hedhur në kundërsulm, teksa e akuzoi Ahmetajn si debitor, që nuk ka paguar biletat e fluturimit.

Por përtej pretendimeve të palëve, për Air Albanian ka një të vërtetë të madhe. Kush hyn në biznes me kompaninë ka jetë të vështirë përpara.

Ndonëse Air Albania i mban prej gati 5 vitesh të fshehta bilancet dhe pasqyrat e saj financiare duke shkelur haptazi ligjin, vështirësitë financiare të kompanisë nuk mund të fshihen dot më.

Fatura 4.5 milionë euro ndaj I.B.N-së nuk janë detyrimet e vetme që kompania nuk ka shlyer. Pak kohë më parë, emri i saj u hoq në mënyrë të turpshme nga stadiumi kombëtar, për shkak se kompania nuk i kishte paguar Federatës tarifën e emrit. Këto janë vetëm faktet publike. Por mali i borxheve të saj dyshohet të jetë shumë më i madh.

Lexo më shumë  Dodik fjalim anti-BE e pro Rusi në Maqedoni të Veriut

Megjithatë në këtë histori pjesa më e rëndësishme nuk janë borxhet që kompania ka ndaj privatëve sepse në fund të fundit tashmë shumica e tyre e dinë që të bësh biznes me Air Albanian ka risk të lartë. Pjesa më e rëndësishme në këtë histori janë risku i detyrimeve publike të kompanisë.

A po i paguan taksat dhe detyrimet e tjera ligjore Air Albania?

A po i derdh ajo taksat që mblidhen në çmimin e biletave atje ku duhet të derdhen?

Cili është sot kapitali i saj?

A ka lidhje rritja me 20 milionë euro gjatë vitit të kaluar e zërit të Llogarive të Arkëtueshme në bilancin e Aeroportit me Air Albanian? Si është zgjidhur çështja e tyre?

Këto janë pyetjet që duhet t’i përgjigjet Air Albania. Sepse kompania që u shit si flamuri i krenarisë kombëtare përfundoi në të vërtetë në një kompani, që u ndërtua vetëm për të siguruar charterat e maskotit të saj. Dhe tani fatura po u ngarkohet qytetarëve. Dhe po financiarisht Air Albania është e rrënuar. Një aset toksik, që emeton vetëm borxhe.

YouTube player