Ahmetaj për portin e ri të Durrësit: Kompania fituese ka lidhje me Rusinë!
Ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj ka hedhur akuza të reja të rënda lidhur me projektin e Portit të Ri të Durrësit, duke e cilësuar atë si një skandal me përmasa ndërkombëtare, që sipas tij implikon drejtpërdrejt kryeministrin Edi Rama dhe zëvendëskryeministren Belinda Balluku.
Në intervistën e katërt për emisionin “Çim Peka Live”, Ahmetaj deklaroi se tenderi për ndërtimin dhe operimin e portit të ri në Porto Romano i është dhënë kompanisë Archidon, e cila sipas tij ndodhet nën influencën e LUK Oil, kompani ruse e sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sipas Ahmetajt, kjo përbën jo vetëm një problem ekonomik, por edhe një rrezik serioz për sigurinë kombëtare, në një sektor strategjik siç është infrastruktura portuale.
“Këta kanë përfunduar në një vlerësim për portin dhe ai që ka fituar të drejtën quhet Archidon Construction company limited”. I ftoj gazetarët të investigojnë, të pyesin Belindën dhe Taulantin, Pse? Me cfarë arsyesh idiote skualifikove dy kompanitë më gjigande në botë? Një hollandeze, dakort për kinezen sepse duhet të fitohet me logjikë brenda NATO-s si infrastrukturë kritike. Përjashtoi edhe francezen, edhe hollandezen. Por cfarë rezulton? Ty të del drejtpërsëdrejti, influencë e drejtpërdrejtë ruse në një infrastrukturë kritike. Dhe del një kompani interesante këtu që është Cayman co.s.l. Po të futeni del një veprimtari që të lidh me Luk Oil që është e sanksionuar. Aty mund të shohësh edhe një lidhje që ka të bëjë me një qytetar rus Albert Avdolian, të lidhur është edhe Iota group në Qipro që është e lidhur me interesa ruse” tha Ahmetaj, i cili e cilësoi këtë një investigim të tij personal për portin e ri të Durrësit.
Ahmetaj theksoi se kontrata e lidhur nga qeveria shqiptare për Portin e Ri të Durrësit është një kontratë pa tavan shpenzimesh, çka nënkupton se kostoja reale e projektit mund të rritet në mënyrë të pakontrolluar dhe të rëndojë drejtpërdrejt mbi taksapaguesit shqiptarë. Sipas tij, shqiptarët rrezikojnë të paguajnë qindra milionë euro, pa asnjë garanci për transparencë dhe eficiencë financiare.
Një tjetër element që Ahmetaj e cilësoi skandaloz lidhet me kapacitetin e portit të ri, i cili sipas tij do të jetë disa herë më i vogël se porti aktual i Durrësit. Kjo, sipas ish zëvendëskryeministrit, bie ndesh me logjikën ekonomike dhe strategjike të zhvendosjes së portit dhe e kthen projektin në një operacion me pasoja afatgjata negative për ekonominë dhe tregtinë e vendit.
Ahmetaj paralajmëroi gjithashtu se Shqipëria rrezikon të përfshihet sërish në Arbitrazh Ndërkombëtar, pas precedentit të Francesco Becchettit. Sipas tij, këtë herë përplasja mund të vijë nga kompania e biznesmenit Muhamed Alabar, të cilit qeveria shqiptare i ka dhënë portin aktual të Durrësit për ndërtimin e projektit “Durrës Yacht Marina”, duke hapur një tjetër kapitull të pasigurisë juridike dhe financiare për shtetin shqiptar.
“Jemi para një rreziku që Shqipëria të mbetet pa port, sepse Alabari kërkon lirimin e portës së katërt, por pa këtë portë Shqipëria mbetet pa port fare. Alabarit i lind e drejta të na hedhë në arbitrazh sepse nuk po i jepet hapësira që ka në kontratë” u shpreh Ahmetaj.
Sipas Ahmetajt, problematika nuk ndalet vetëm te ndërtimi i portit. Qeveria shqiptare ka shpallur investitor strategjik edhe një kompani të njohur supermarketesh Lidl, e cila pritet të ngrejë agjenci doganore në Porto Romano.
“Janë shpronësuar privatë që Lidl të bëjë këtë që po bën. Se nuk jepet magazina doganore si investim strategjik. O i marrë! O plaçkitës! Nuk jepen magazinat doganore si investim strategjik. Ka shumë thashetheme për atë që flitet se kush është pas Lidl, por është kriminale të privatizohen dhe te japësh ku të do qejfi ty, pronën shtetërore. I kërkoj institucioneve shtetërore ta ndalojë, se po i bëhet dëm vendit me magazinë doganore, ende pa u bërë porti që tani” tha Ahmetaj.
Ish zëvendëskryeministri ngriti dyshime se edhe pas këtij vendimi fshihet vetë kryeministri Edi Rama, duke lënë të kuptohet për konflikte të mundshme interesi dhe përqendrim të pushtetit vendimmarrës në një rreth të ngushtë.
Rruga Press

