Bota

Agjencia kineze e spiunazhit fajësohet nga SHBA dhe të tjerë se përdor hakera të paguar

Departamenti amerikan i Drejtësisë njoftoi të hënën se kishte ngritur akuza ndaj tre oficerëve kinezë të zbulimit dhe një hakeri kompjuterash, në lidhje me fushatën e paligjshme kibernetike për vjedhje të sekreteve tregtare dhe informacionit konfidencial nga dhjetëra kompani, universitete dhe entitete qeveritare në Shtetet e Bashkuara dhe në 11 vende të tjera, gjatë viteve 2011-2018.

Ndër materialet e vjedhura përfshihen informacione në lidhje me teknologjitë me rëndësi, “me përfitim të konsiderueshëm ekonomik për kompanitë dhe sektorët komercialë të Kinës”, tha departamenti, duke shtuar se hakerat vendosën në objektiv institutet kërkimore dhe universitetet për të vjedhur punën kërkimore për sëmundje infektive si Ebola, MERS dhe HIV / AIDS.

Ashtu si virusi i afërm Ebola, virusi Marburg mund të shkaktojë gjakrrjedhje të brendshme masive, dështim të organeve, ethe, tronditje dhe demenca, dhe zakonisht vdekje. Tularemia është një sëmundje bakteriale potencialisht fatale që gjendet tek lepujt. Qendrat Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve thonë se njerëzit mund të ekspozohen nëpërmjet bioterrorizmit.

Lexo më shumë  Anija ruse e mallrave nën sanksione, dhe e përdorur nga Rusia për tranportin e armëve nga Siria, Ursa Major mbytet në Mesdhe pas shpërthimit

Prokurorët identifikuan tre oficerët e zbulimit: Ding Xiaoyang, Cheng Qingmin dhe Zhu Yunmin, duke thënë se ata shërbenin në Departamentin e Sigurimit të Shtetit Hainan (HSSD), një degë rajonale e Ministrisë së Sigurimit të Shtetit të Kinës. Hakeri kompjuterik u identifikua si Wu Shurong.

Në një aktakuzë të bërë të ditur të premten, prokurorët thonë se tre oficerët e zbulimit u koordinuan me stafin dhe profesorët në universitete të ndryshme kineze për të zhvilluar fushatën. Universitetet ndihmuan agjencinë kineze të zbulimit për të identifikuar dhe rekrutuar hakera dhe gjuhëtarë, thanë ata.

Për të fshehur rolin e qeverisë kineze në fushatën kibernetike, katër të pandehurit dhe operativët e tjerë të zbulimit kinez themeluan një kompani fasadë, Hainan Xiandun Technology Development Co, Ltd, thanë prokurorët. Kompania që nga ajo kohë është shpërbërë.

Përveç organizatave në Shtetet e Bashkuara, fushata e piraterisë sulmoi viktima në Austri, Kamboxhia, Kanada, Gjermani, Indonezi, Malajzi, Norvegji, Arabi Saudite, Afrikë e Jugut, Zvicër dhe në Mbretërinë e Bashkuar, thanë prokurorët.

Presidenti amerikan Joe Biden tha paraprakisht se do të marrë një raport të hollësishëm të martën në lidhje me rolin e agjencisë civile të zbulimit të Kinës në përdorimin e sulmeve kibernetike në dëm të bizneseve amerikane.

Lexo më shumë  “Erë tradhtie”, protestë në Sllovaki pas vizitës së kryeministrit Fico në Rusi

“Ata ende po përcaktojnë se çfarë ka ndodhur saktësisht. Hetimi nuk ka përfunduar”, tha presidenti të hënën në Shtëpinë e Bardhë në përgjigje të pyetjes së një gazetari.

Presidenti Biden i bëri komentet pasi Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera akuzuan publikisht Ministrinë kineze të Sigurimit të Shtetit për përdorimin e hakerave kriminalë të paguar për të kryer operacione kibernetike të pa sanksionuara globalisht, nga të cilat përfitojnë personalisht hakerat.

Sipas zyrtarëve amerikanë, aktivitetet përfshijnë operacione kibernetike kundër kompanive private që janë të detyruara të paguajnë miliona dollarë shpërblime për të rifituar qasjen tek të dhënat e tyre.

Shtetet e Bashkuara, së bashku me NATO-n, Bashkimin Evropian, Mbretërinë e Bashkuar, Japoninë, Kanadanë, Australinë dhe Zelandën e Re, fajësuan të hënën Kinën për sulmin kibernetik në mars që preku dhjetëra mijëra organizata përmes serverave të shërbimit Microsoft Exchange.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *