Afera e inceneratorëve/ Ndërroi jetë 5 vite më parë, firma e zonjës përdoret në një tjetër kompani! Dëm 800 mln lekë për shtetin (DOKUMENTET)
Të tjera informacione janë publikuar lidhur me skandalin e inceneratorëve dhe skemën e evazionit fiskal përmes kompanive të lidhura me impiantet e përpunimit të mbetjeve.
Syri tv ka publikuar dokumente të tjera, sipas të cilave tregohet se si firma e zonjës Gjyste Serrmi, e cila ka ndërruar jetë 5 vite më parë, është përdorur pas vdekjes edhe në një tjetër kompani, e këtë herë duke i shkaktuar shtetit një dëm shtesë prej 800 milionë lekësh, veç evazionit që kishte kryer kjo kompani.
Nga dokumentet rezulton se të njëjtit persona çifti Dashamir e Vjollca Ymeri kanë përdorur të njëjtën skemë, duke falsifikuar firmën e të ndjerës Gjyste Serrmi pas vdekjes e më pas kanë dorëzuar pranë Drejtorisë së Tatimeve bilancin e vitit 2016 kur kanë kryer një xhiro mbi 8 miliardë lekë.
Sipas këtyre dokumenteve rezulton se kompania i është shitur Gjyste Serrmi rreth një vit para vdekjes, kur Dashamir e Vjollca Ymeri kishin kryer fatura fiktive në vlerën e 8 miliardë lekëve.
Pasi kishin kryer procedurat, për të humbur gjurmët e për t’i shpëtuar detyrimeve ndaj shtetit, shitën kompaninë te Gjyste Serrmi.
Por edhe në këtë rast, pasqyra financiare është dorëzuar me vonesë.
Për shkak të vonesës ka lindur nevoja e falsifikimit të firmës të Gjyste Serrmit e cila tashmë kishte vdekur.
Pasqyra Financiare me firmë të Gjyste Serrmit është pranuar pa më të voglin kundërshtim nga Drejtoria e Tatimeve dhe Qendra Kombëtare e Biznesit./syri.tv/
Por në këtë rast abuzimi është edhe më i rëndë.
Nëse në procedurat e kryera në kompaninë Elvis 03, ishte falsifikuar firma e Gjyste Serrmit dhe në Tatime paraqitej tjetër person, për kompaninë Frangaj International, sipas dokumenteve rezulton se Gjyste Serrmi “është paraqitur vetë” e ka dorëzuar bilancin e vitit 2016.
Kjo procedurë është kryer në datë 31/07/2017, pra 14 ditë pas vdekjes së saj. E në bilancet dhe procedurat e kryera nga Drejtoria e Tatimeve, është vendosur firma e Gjyste Serrmit.
Rruga Press