Adoleshentët i drejtohen rrjeteve sociale për të shikuar lajme, jo televizioneve
Adoleshentët në Britaninë e Madhe po shikojnë lajmet nga mediat sociale dhe jo nga kanalet tradicionale të lajmeve për të qëndruar të përditësuar, ka zbuluar një studim i ri nga Ofcom, shkruan Sky News.
Për herë të parë Instagrami, TikToku dhe YouTube janë tani burimet më të njohura të lajmeve në mesin e moshave 12 deri në 15 vjeç.
Yih-Choung Teh, drejtori i grupit të Ofcom për strategjinë dhe kërkimin, tha: “Adoleshentët sot kanë gjithnjë e më pak gjasa të marrin një gazetë ose të ndezin televizionin, në vend të kësaj preferojnë të jenë të përditësuar duke lëvizur nëpër burimet e tyre sociale. Dhe ndërsa të rinjtë i shohin lajmet në mediat sociale si më pak të besueshme, ata i vlerësojnë më shumë këto shërbime për të ofruar një sërë opinionesh mbi historitë aktuale të ditës”.
Sipas shifrave, Instagrami ishte më i pëlqyeri nga të rinjtë dhe përdorej nga 29% e adoleshentëve, përpara TikTokut dhe YouTube, të dyja nga 28%.
Lajmet e ITV-së ishin të katërtat, ndërsa dy kanalet kryesore të BBC-së, një dhe dy – historikisht burimi më i popullarizuar i lajmeve në këtë grupmoshë – kanë rënë në vendin e pestë, tha Ofcom.
Numri i adoleshentëve që përdorin këto kanale për lajme ka rënë nga gati gjysma (45%) pesë vjet më parë në rreth një të katërtën (24%) tani.
Megjithatë besimi në burimet e lajmeve të mediave sociale ndryshon – gjysma e përdoruesve të YouTube dhe Twitterit mendojnë se ato ofrojnë lajme të besueshme.
Pavarësisht nga popullariteti i tij, më pak se një e treta e adoleshentëve (30%) i besojnë përmbajtjes së lajmeve të TikTokut.
Shikimi i lajmeve në BBC One, BBC Two, kanali BBC News, ITV dhe Sky News tani është nën nivelet e para-pandemisë, gjë që Ofcom tha se është pjesë e një rënie afatgjatë në shikimin e lajmeve tradicionale televizive.
Megjithatë, lajmet televizive mbeten burimi më i besueshëm i lajmeve në mesin e të rriturve në Britani, me mediat sociale që konsiderohen më pak të besueshme.
Rruga Press