Acari në vendet malore olimpike, i papërballueshëm për sportistët
Dëbora kërcet nën ski, ndërsa sportistët olimpikë rrotullojnë krahët dhe kërcejnë lart e poshtë në vend për t’u ngrohur. Hundët dhe faqet e tyre janë të mbuluara, ndërsa mjegulla ngrihet lart gradualisht. Kur temperatura bie në minus 16 gradë Celsius dhe era fryn retë e borës në ajër, siç bëri në shtegun e cross-countryt dhe biatlonit në fillimin e Lojërave Olimpike të Pekinit, sportistët duhet të bëjnë diçka për të mos u ngrirë.
“Kur merrni parasysh shpejtësinë e erës mbi 20 kilometra në orë, si dhe shpejtësinë e tyre të skijimit, atëherë era mund të jetë minus 30 gradë Celsius ose më e ftohtë”, tha Brett Toresdahl, mjeku i ekipit të biatlonit të SHBA-së.
Skitarët u qetësuan pak nga ato kushte të vështira, në mes të javës, ndërsa erërat u ndalën dhe temperaturat lëviznin rreth minus 7 gradë Celsius. Por kjo pritet të ndryshojë këtë fundjavë kur të kalojë një valë e ftohtë e motit, në të cilën parashikohet edhe borë. Ngricat vetëm sa vështirësojnë edhe më shumë kushtet për sportistët.
“Shokut tim të skuadrës në kros iu ngri gishti në skiatlon, kështu që ai ende e ka pak të fryrë dhe nuk po e ndien plotësisht”, tha Johanna Taliharm, e cila përfaqëson Estoninë në biatlon. “Ishte ‘gishti këmbëz’ i tij, por për fat të mirë ai nuk është një sportist i biatlonit”.
Buzët e estonezes Taliharm ngrin gjatë garës individuale të biatlonit. Ajo nuk ishte në gjendje t’i mbulonte ato pasi kishte vështirësi të merrte frymë.
“Thjesht duhet të jesh shumë aktive për të ftohtit dhe të planifikosh t’i marrësh të gjitha masat e duhura që të mos ngrihesh. Është e rëndësishme që para fillimit të garës të mos qëndroni në vend, por vazhdimisht të lëvizni”, theksoi Taliharm.
Hanna Sola, që garon për Bjellorusinë në biatlon, zbuloi se sportistët po vendosin sa më shumë shtresa në trup që është e mundur, por sërish acari po ndihet.
“Ju mund të shihni të gjithë duke tundur duart dhe duke kërcyer në vend”, tha Sola. “Do të ishte mirë nëse fillimi i garave do të ishte pak më herët, sepse kur perëndon dielli të ftohtit përforcohet aq shumë sa që është e padurueshme edhe të skijosh”.
Trajneri i ekipit austriak të biatlonit për femra, Gerald Hoenig, tha se rregullat e sportit thonë se garat nuk mund të zhvillohen nëse temperaturat bien nën minus 20 gradë Celsius, por ata nuk marrin parasysh ftohjen nga era. Gjithçka është në duart e jurisë së garës për të vendosur nëse kushtet janë të pasigurta përpara se një garë të shtyhet ose anulohet.
“Sportistët janë çdo ditë në këto kushte duke u stërvitur dhe garuar”, tha Hoenig. “Kjo është shumë e vështirë për trupin, për energjinë, për shëndetin. Është e vështirë këtu në këto tri javë”.
Sportistët e biatlonit duhet të jenë në gjendje të ndiejnë gishtin e këmbëzës për të gjuajtur me saktësi, por kjo është një sfidë në të ftohtë, tha Marketa Davidova e Çekisë.
“Kjo është vërtet e vështirë për ne, për të qëndruar ngrohtë dhe për të mbajtur gishtat në funksion. Kjo është pjesa më e ndërlikuar”, shtoi Davidova.
I ftohti po ndikon edhe në vetë borën – bën që skitë të rrëshqasin më ngadalë mbi shtigje, që do të thotë se sportistët duhet të punojnë më shumë për të ecur shpejt.
Therese Johaug nga Norvegjia tha se i pëlqejnë pistat në Kinë, por bora është një faktor.
“Ato janë të ndryshme nga pistat në Kupën e Botës, veçanërisht sepse bora është shumë e thatë dhe të ngadalëson shumë”, tha Johaug, e cila fitoi medaljen e artë në hapje të Lojërave Olimpike të Pekinit.
Chris Hecker, një teknik dylli me ekipin amerikan të skive, tha se temperaturat e ulëta krijojnë nivele më të larta të fërkimit midis bazës së skive dhe borës, duke i ngadalësuar ato dhe duke bërë atë zhurmën e kërcitjes.
“Bora e thatë po ngadalëson jashtëzakonisht skitë dhe ne duhet të vendosim struktura të ndryshme, të vendosim dyllë të ndryshëm për të provuar të zvogëlojmë sasinë e fërkimit në bazën e skive”, tha ai.
Një faktor tjetër është edhe fryrja e borës.
“Kryesisht është bora vërtet e thatë, e fryrë nga era, që vazhdon t’i mbushë pistat klasike dhe t’i mbulojë korsitë e patinave”, tha Hecker. “Kështu që përfundon të jetë një garë vërtet e ngadaltë për shumicën e garuesve”.
Taliharm tha se kushtet kërkojnë më shumë fuqi për t’i bërë skitë të rrëshqasin dhe më shumë qëndrueshmëri për t’u ngjitur në kodra. Një ngushëllim është se “nëna natyrë” nuk diskriminon askënd; të gjithë vuajnë njësoj.
“Është e njëjta gjë për të gjithë”, tha suedezi Sebastian Samuelsson. “Ne vetëm duhet të luftojmë me borën”.
Rruga Press