Abuzime me tenderat në Durrës, KLSH zbulon 767 milionë lekë dëme në 18 prokurime publike
Auditimi i Kontrollit të Lartë të Shtetit ka gjetur shkelje dhe abuzime të shumta në procedurat e prokurimit të zhvilluara nga Bashkia Durrës nga korriku i vitit 2017 e deri në qershor të vitit 2020.
Sipas dokumentit zyrtar, ky institucion ka përdorur pa efektivitet mbi 2 miliardë lekë nga fondet publike dhe ka shkaktuar një dëm ekonomik prej 767.7 milionë lekësh në të paktën 18 raste.
Këto efekte janë shkaktuar si pasojë e shpalljes së fituesit në kundërshtim me rregullat e prokurimit publik, madje në raport theksohet se në vlerësimin e dokumenteve të kompanive pjesëmarrëse në garë është vepruar me dy standarde.
Shkeljet e kompanive fituese lidhen me mosplotësimin e numrit të punonjësve, deklarimin e rremë për mjetet dhe stafin që disponojnë dhe në disa procedura makineritë dhe punëtorët e tyre janë të angazhuar në dy ose më shumë objekte.
Më tej në raportin e KLSH thuhet se në 7 kontrata nuk plotësoheshin kriteret e veçanta teknike për kualifikim për realizimin e objektiveve.
Ndërkohë, në 3 të tjera nuk është kryer oponenca teknike për vepra me vlerë mbi 100 milionë lekë, duke vënë kështu në diskutim cilësinë e projekteve të ndërtimit dhe koston e tyre.
Një tjetër problematikë e konstatuar lidhet me objektet e financuara nga fondet publike, të cilat janë prokuruar dhe janë dhënë për sipërmarrje ndërtimi pa leje ndërtimi./ora/
Rruga Press