Abuzime me shortin e banesave, dëmshpërblimi nga rindërtimi: Më pak sipërfaqe e pa certifikatë pronësie
Me hedhjen e shortit për përfitimin e banesave për ata që u dëmtuan nga tërmeti i nëntorit doli në pah edhe një herë se sipërfaqja e dhënë si dëmshpërblim është disa herë më e vogël se ajo që kanë pasur. Banorët përfitues shprehen të pakënaqur me këtë shpërndarje, ndërsa thonë se nuk u është dhënë as certifikatë pronësie apo kontratë.
Banesat e reja në lagjen 5 maji u shpërndan me short për disa prej atyre që u prekën nga tërmeti i Nëntorit të dy viteve më parë.
Ndarja e banesave është bërë në mënyrë të padrejtë ankohen qytetarët, ata thonë se kanë marrë më pak sipërfaqe se sa kanë pasur, e kjo nisur nga numri i anëtarëve në certifikatën familjare.
“Unë kisha 2+1 dhe mora 1+1, sepse çuni që banon me mua nuk ka qenë në gjendjen civile në atë kohë. Ka jetuar dhe jeton me mua, jemi 6 persona, se ku do jetojmë në 1 dhomë e 1 kuzhinë.”
“Unë kam fëmijë të ndarë në një banesë dhe nuk përfitojnë fëmijët.”
“Unë kisha 2 dhoma dhe 1 kuzhinë, por figuroj vetëm unë me burrin në gjendjen civile. Kemi marrë 1+1.”
“Unë humba nga 3+1, mora 1+1.”
Dokumenti i vetëm që përfaqësues të bashkisë u dhanë është vetëm planimetria.
Qytetarët thonë se nuk janë pajisur as me certifikatë pronësie e as me kontratë, kjo i bënë dyshues.
“Ai nuk më jep një kontratë mua që ta lexoj se çfarë përfitoj unë nga kjo, nuk më jep certifikatë pronësie që unë e kam shtëpinë time, nuk e di. Kjo është një planimetri kot, pa asnjë siguri.”
Disa prej tyre thonë se nuk kanë përfituar por kanë humbur nga kjo shpërndarje e banesave, ndaj do e ndjekin më tej çështjen.
“Fola dhe me inxhinierin e bashkisë, shko ankohu thotë.”
Prej dy muajsh banorët po hasin në shurdhërinë e Bashkisë së Tiranës e cila pas vendimit arbitrar për t’ua shembur banesat pa i pyetur, ajo refuzon që të ulet në tryezë me ta për të gjetur një zgjidhje./ora/
Rruga Press