KryesoreOpinion/Aktualitet

Abdixhiku si mjeshtër i kamuflimit politik, jo reformator i LDK-së

Nga Lirim Gashi

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, doli sot para opinionit publik jo si reformator, por si mjeshtër i kamuflimit politik.

Diskursi i tij u ndërtua mbi një vetëviktimizim të rafinuar dhe mbi premtime iluzioniste, sikur Kosova të kishte buxhetin e një superfuqie ekonomike. Në mungesë të përgjegjësisë politike, ai zgjodhi rolin e viktimës, duke e paraqitur veten si zë të ndjeshëm, tê ndërgjegjshëm dhe të përgjegjshëm, ndërsa Albin Kurtin si faktor përçarës.

Me një ndjeshmëri të aktruar keq, ai akuzoi kryeministrin Albin Kurti për “përçarje shoqërore”, vetëm pse ky i fundit i quajti liderët e dështuar të opozitës me emrin politik që e meritojnë.

Ironia bëhet edhe më e padurueshme po të merret parasysh fakti se LDK-ja, në pothuajse çdo fushatë zgjedhore, ka instrumentalizuar vrasjet politike për qëllime elektorale, duke i etiketuar publikisht Hashim Thaçin dhe rrethin e tij të ngushtë si përgjegjës për vrasjen e aktivistëve të saj më të devotshëm.

Megjithatë, kjo nuk e pengoi fare udhëheqjen e dikurshme të partisë që, menjëherë pas zgjedhjeve, të hynte në koalicione pazaresh me po të njëjtin Hashim.

Paraardhësi i Abdixhikut, Isa Mustafa, nuk e pa kurrë si problem institucional faktin që këto vrasje mbetën të pazbardhura.

Por Lumirit nuk i pengoi fare ky fakt për ta shpallur mentorin e tij politik “kryetar nderi”.

Kjo nuk është reformë – është rehabilitim ceremonial i së kaluarës së dështuar.

Është njësoj sikur ta lyesh mutin e tharë me mjaltë të shkrirë dhe ta spërkasësh me parfum Gucci.

Por pavarësisht sasisë së parfumit Gucci dhe mjaltit të shkrirë që hedh mbi të, muti mbetet mut.

Lexo më shumë  Kurti: 2.5 milionë euro për ndërtimin e QKMF-së së re në Fushë Kosovë

Në demokracitë funksionale, e vërteta e pakëndshme nuk quhet përçarje, por përgjegjësi morale.

Absurdi politik arrin kulmin kur, në studiot televizive, shfaqen figura që vetëshpallen “analistë të pavarur”, si Lirim Mehmetaj, i cili kryeministrin e Kosovës e etiketon vazhdimisht me narrativën delegjitimuese Albin Serbia.

Kjo nuk është kritikë demokratike, por propagandë hibride serbo-ruse, që synon minimin e legjitimitetit të tij politik i cili buron nga vota e sovranit.

Akoma më shqetësuese janë deklaratat e figurave politike si Hikmete Bajrami, e cila publikisht deklaron se nuk e ka problem bashkëpunimin me Listën Serbe dhe as me udhëheqësin e saj, Milan Radojçiq, emër ky i lidhur drejtpërdrejt me krimin, terrorizimin dhe destabilizimin e Kosovës, ndërkohë që bashkëpunimin me kryeministrin e shtetit e konsideron të pamundur.

Në çdo shtet serioz evropian, deklarata të tilla do të mjaftonin për përjashtim të menjëhershëm nga jeta politike.

Bazuar në përvojën time studimore dhe profesionale në Gjermani dhe në analizën e politikave evropiane e perëndimore, mund të them pa ekuivok: suksesi i politikës demokratike nuk ndërtohet përmes propagandës hibride, por përmes autokritikës së sinqertë.

Dhe natyrisht nuk ndërtohet përmes retorikës boshe, por përmes ndërgjegjësimit për përgjegjësi shtetërore dhe llogaridhënie popullore.

Në Gjermani, Skandinavi, Holandë apo Britani të Madhe, një lider që dështon:

nuk viktimizohet,

nuk e fajëson kundërshtarin,

nuk e fsheh dështimin pas fjalës “reformë”,

por jep dorëheqje si akt force morale.

Në Kosovë ndodh e kundërta.

PDK-ja sillet si rojtare e një karrigeje boshe, në pritje të kthimit të Thaçit nga Haga, ndërsa LDK-ja e shpall të kaluarën e saj të dështuar si “nder”. Në Evropë, kjo do të quhej pengmarrje e partive nga e kaluara.

Lexo më shumë  Kurti takoi zv.presidentin ekzekutiv të prodhuesit amerikan të industrisë ushtarake AM General: FSK do të pajiset edhe me ambulancë

Ndryshimi i formës pa ndryshim të përmbajtjes është mashtrim optik politik, sepse eforma nuk është marketing, por etikë. Nuk është ndërrim fasade, por ndërrim filozofie.

Kosova nuk ka nevojë për reforma retorike, por për reforma reale të bazuara në përgjegjësi, llogaridhënie, moral dhe guxim shtetformues.

Ajo që opozita dhe apologjetët e saj mediatikë e fshehin me vetëdije është konteksti historik i trashëguar nga Kurti: një shtet i sabotuar nga brenda, i kontestuar nga jashtë dhe i goditur nga pandemia globale, kriza energjetike dhe lufta në Ukrainë.

Të qeverisësh në kushte normale kërkon kompetencë. Të qeverisësh në kushte anormale kërkon guxim të paimagjinueshëm.

Prandaj, krahasimi i Kurtit me pararendësit e tij nuk është analizë – është manipulim.

Sipas Max Weber, politika ndahet mes etikës së bindjes dhe etikës së përgjegjësisë. Kurti operon brenda etikës së përgjegjësisë – dhe pikërisht për këtë perceptohet si i “ashpër”.

Siç do të thoshte Hannah Arendt, e keqja politike shpesh bëhet banale përmes normalizimit të gënjeshtrës dhe relativizimit të krimit. Në Kosovë, kjo ndodh kur bashkëpunimi me strukturat kriminale serbe relativizohet, ndërsa rezistenca shtetërore etiketohet si ekstremizëm.

Ndërsa nga perspektiva e Jürgen Habermas, sulmi ndaj Kurtit nuk është personal, por sulm ndaj legjitimitetit racional të shtetit.

Kjo nuk është betejë mes pozitës dhe opozitës.

Është përplasje mes politikës si shërbim publik dhe shtetit si pronë private.

Në Evropë kjo quhet demokraci.

Në Kosovë ende quhet “përçarje”.

Rruga Press

YouTube player