A mund të shkelet më rëndë Kushtetuta nga një president se sa përmes një akti që synon përmbysjen e rendit demokratik dhe vullnetit politik të zgjedhjeve të lira për motive dhe interesa egoiste politike
Nga Donik Sallova
Ju lutem, nuk është shfuqizim i një Dekreti të rëndomtë që formalisht dekreton një ligj.
Është shfuqizim i Dekretit për shpërbërjen e Kuvendit të Republikës të sapo konstituuar që për synim kishte një përmbysje politike.
Është shfuqizim i Dekretit që kishte synim të pengonte vullnetin politik të popullit të shprehur në zgjedhje në mënyrë plebishitare.
Është shfuqizim i Dekretit që synoi përmbysje të rendit politik përmes mbivendosjes institucionale.
Gjykata Kushtetuese shpalli se Dekreti nuk prodhon asnjë efekt juridik, sepse nuk mund të prodhojë efekt juridik asnjë akt i cili është në kundërshtim me Kushtetutën.
Dekreti i Presidentes nuk ishte një ushtrim pa pasoja juridike.
Dekreti i Presidentes ishte një akt politik anti-kushtetues, përveç se kundër vullnetit të popullit të shprehur përmes kuvendit të sapo-konstituuar.
Dekreti anti-kushtetues ishte edhe anti-shtetëror, duke qenë se synoi thellimin e krizës politike përmes cënimit të legjitimitetit demokratik të institucioneve tjera të sapo zgjedhura.
Dekreti anti-kushtetues i Presidentes pavarësisht se nuk prodhoi pasoja juridike të cilat i parandaloi Gjykata Kushtetuese, në thelb përbën një akti politik të Presidentes në kundërshtim me detyrën e saj, prandaj është shkelje e Kushtetutës.
A mund të shkelet më rëndë Kushtetuta nga një president se sa përmes një akti që synon përmbysjen e rendit demokratik dhe vullnetit politik të zgjedhjeve të lira për motive dhe interesa egoiste politike?!
Rruga Press

