A mund të ndërtojë Evropa një pengesë bërthamore të besueshme pa mbështetjen e SHBA-së?
Mes skepticizmit të gjatë të presidentit amerikan Donald Trump ndaj NATO-s dhe afrimit të administratës së tij me Kremlinin, SHBA është shndërruar në një garantues më të dobët të sigurisë për Evropën se në çdo kohë që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore.
Ky ndryshim vjen në një moment kritik, teksa Rusia e Vladimir Putinit ka kërcënuar në mënyrë të përsëritur përdorimin e armëve bërthamore që prej pushtimit të Ukrainës.
Kjo ka ngritur shqetësime serioze mbi aftësinë e Evropës për të ndërtuar një strategji parandaluese bërthamore pa mbështetjen e plotë të Uashingtonit.
Marion Messmer, eksperte e sigurisë ndërkombëtare në Chatham House, thotë se një nga sfidat kryesore për Evropën do të jetë sigurimi i një parandalimi bërthamor të besueshëm, duke marrë parasysh perceptimin e Rusisë.
“Mosprania e SHBA-së mund të bëjë që Moska ta marrë më pak seriozisht një pengesë vetëm evropiane,” shprehet ajo.
Pavarësisht kësaj, Franca dhe Britania e Madhe, të vetmet fuqi evropiane me arsenale bërthamore, përballen me sfida të mëdha.
Ndërsa arsenali britanik Trident varet nga SHBA për mirëmbajtjen dhe furnizimin, forca parandaluese franceze është më e pavarur, por aktualisht e orientuar ekskluzivisht për mbrojtjen kombëtare.
Çdo ndryshim në këtë doktrinë do të kërkonte një vendim politik madhor.
Ndërkohë, vende si Gjermania dhe Polonia janë shprehur të hapura për një rol më aktiv në strategjinë bërthamore të NATO-s. Nëse Evropa do të arrijë të ndërtojë një parandalim të pavarur bërthamor, mbetet për t’u parë.
Por një gjë është e sigurt: në një botë ku kërcënimi bërthamor po rikthehet fuqishëm, koha nuk është në anën e saj.
Rruga Press