EditorialKryesore

A është biseda Macron-Vuqiç dhe takimi Tanguy-Daqiç sirenë alarmi për mobilizimin e shqiptarëve

Kryetari i Kuvendit të Serbisë, Ivica Daçiq, ka pritur sot deputeten e Parlamentit francez, Liliana Tanguy, e cila po qëndron për vizitë në Serbi. Kryetari i Kuvendit theksoi se bashkëpunimi ndërmjet Serbisë dhe Francës është i gjithanshëm dhe shumë i zhvilluar, gjë që dëshmohet nga dialogu intensiv politik i nivelit të lartë. Në takim u bisedua për zgjedhjet e ardhshme në Serbi dhe Francë dhe vazhdimin e bashkëpunimit mes dy parlamenteve pas zgjedhjeve“. Këtë gjë e raportoi media serbe, e afërt me pushtetin serb, Tanjug.

Kjo vizitë vjen fill mbas bisedës së djeshme telefonike mes presidentit francez Macron dhe atij serb Vuqiç, ku edhe pse shteti serb ka refuzuar të vendosë sanksione ndaj Rusisë pushtuese të Putinit, presidenti serb mori gjithesi përgëzime nga ana e presidentit francez, i cili foli mbi “qartësinë e pozicionit të saj (Serbisë) në organizmat ndërkombëtare lidhur me luftën në Ukrainë. Ai rikujtoi gjithashtu miqësinë e Francës dhe mbështetjen e tij personale për Serbinë.

Ky qëndrim skandaloz nga presidenti dhe presidenca franceze u shoqërua sot edhe nga takimi i deputetes franceze, Liliana Tanguy, me kryeparlamentarin serb, Ivica Daqiç. Edhe ky takim rikonfirmon qëndrimin skizmatik francez në raport me shtetin serb, skizmë të cilës është vështirë t’ia gjesh fillin nëse nisemi nga vlerat që mbart dhe mbron Bashkimi Evropian.

Pikërisht pas bisedës Macron-Vuqiç dhe para takimit Daçiq-Tanguy, ishte dje Vuqiçi ai që kërcënoi se nëse Kosova do të nisë procesin e antarësimit në NATO apo organizata të tjera do të ketë lëvizje të befasishme nga ana e shtetit serb, kurse një qëndrim të ngjajshëm shprehu po sot edhe prej kryeparlamentarit serb.

Lexo më shumë  Kurti: Kemi nisur procedurat për ankandin e parë të erës me kapacitet prej 100 MW

Këto kërcënime të presidentit dhe kryeparlamentarit serb janë në frymën e kërcënimeve që Putini i drejtonte Ukrainës, lidhur me antarësimin e kësaj të fundit në NATO, si pretekst për të nisur sulmet ushtarake.

Nëse ky qëndrim i përfaqësusve serb ndaj shqiptarëve dhe Kosovës presidentit francez dhe deputetes franceze nuk i duken si rikonfrimim i linjës putiniste në Ballkan, në vazhdën e mos-sanksionimit të Rusisë nga ana e Serbisë, atëherë ky do të ishte naivitet (që zor se ka gjasa të jetë) ose përqafim dhe mbështetje e Putinit në Ballkan, në kohën kur presidenti Macron pretendon se po mban qëndrim të ashpër dhe të drejtë ndaj agresionit rus dhe presidentit rus, Vladimir Putin.

Nga ana tjetër, shqiptarët nuk e kanë ndjerë kurrë nevojën të luajë me dy porta ashtu siç luan shteti serb me atë të BE-së dhe të regjimit carist të Putinit, edhe pse këto janë në kundërti të skajshme. Pozicioni i shqiptarëve, si në të drejtë, si në prirje të natyrshme, ashtu edhe në kontekstin gjeopolitik, është i orientuar pashmangshmërisht drejt Evropës. Krahas kësaj do të duhej që të fuqizohej edhe ajo prirja tjetër, edhe më e natyrshme, e orientimit brenda shqiptar si një trupë e vetme; kjo do përbënte drejtësi sa i përket çështjes shqiptare, forcimit të pozicioneve gjeopolitike përballë hegjemonisë putiniste dhe satelitëve të saj, por do të zgjonte edhe vëmendjen e duhur për ata, siç në këtë rast presidenti Macron, të cilët nuk kuptojnë gjuhë tjetër veç asaj të fuqisë në vetvete të një shteti apo kombi, por edhe fuqisë destabilizuese në rajonin e Ballkanit. Këtë kartë shteti serb po e përdor për dekada të tëra, kurse Evropa është bërë gjithnjë e më shumë e shantazhueshme, jo vetëm prej Putinit, por edhe nga një shtet satelit i papërfillshëm si Serbia, e cila ankohet duke kërcënuar dhe kërcënon duke u ankuar, por në çdo rast bën viktimën edhe pse gjithnjë agresor.

Lexo më shumë  Ç’tregon celulari i tenderit që mori në qafë Benet Becin?

Shqiptarët nuk kanë kohë për të humbur që të merren me politika të degraduara që po prodhon udhëheqësia franceze. Por, nga ana tjetër, këto dy takime të fundit janë alarmuese, sepse flasin për mbështetje që shteti francez i jep Serbisë në kohën kur po kërcënon Kosovën ushtarakisht. Faktori shqiptar duhet të mobilizojë aleatët, ata që janë të pashantazhueshëm dhe që nuk mbartin sentiment nostalgjik me jehonë të Ish-Jugosllavisë që prodhoi gjenocide kur dashnorët e saj endërrimtarë prisnin mrekullinë, si dhe të nisin një mobilizim mbarkombëtar për ndonjë rrezik potencial që mund të vijë, siç tha ish-ministri i Millosheiviqit “në mënyrë suprizuese” dhe ndoshta pastaj, ashtu si gjithnjë me vonesë, siç edhe në rastin e Putinit, presidenti francez do i thërrasë arsyes dhe dinjitetit që mbart emri i Francës dhe Bashkimit Evroipian.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *