KryesoreOpinion/Aktualitet

A e kupton BE-ja që Serbia po sjell luftën ruse në Ballkan?

Shkruan Shaban Murati

Nuk mund të ketë qendrim më absurd se sa ai  i shefit të politikës së jashtëme të BE, Josep Borrell, i cili në 6 nëntor, një ditë pasi grupi separatist serb në Veriun e Kosovës njoftoi në 5 nëntor largimin nga të gjitha institucionet e shtetit të Kosovës, u kërkon në mënyrë të barabartë që “të përmbahen” edhe Kosovës, që po ndjek një politikë sovrane  paqësore, edhe Serbisë që po ndez zjarret e luftës në kufi.

Nuk ka logjikë më të mbrapshtë diplomatike, që një ditë pasi grupi separatist i “listës serbe” guxon dhe i ve kushte qeverisë së Kosovës se deri sa të lejohet i ashtuquajturi “asosiacion i komunave serbe” ata nuk rikthehen në institucionet e shtetit të Kosovës, Borrelli i BE në 6 nëntor i drejton qeverisë së Kosovës të njejtën kërkesë serbe si urgjente.

Nga pikëpamja diplomatike deklarata e Borrellit është një mbështetje për separatizmin serb në Veriun e Kosovës. Është një taktikë dinake e hedhjes së fajit te Kosova, dhe e çfajësimit të zjarrvënësve serbë nga Veriu i Kosovës e deri në  Beograd.

Nuk e dimë nëse shërbimi diplomatik i BE e sheh dhe nëse e furnizon Brukselin me informacionet reale nga terreni, që vërtetojnë se shteti që nuk po përmbahet në agresivitetin e tij dhe në tensionimin e qëllimshëm të situatave është Serbia dhe presidenti i saj Vuçiç, të cilët po zbatojnë me shpejtësi planin strategjik rus të provokimit të një lufte të re në Kosovë.

Nuk u ndje Borrell dhe diplomacia e BE kur në mënyrë sfiduese dhe skandaloze qeveria e re e Serbisë në 26 tetor 2022 u betua në parlamentin serb me formulën “”Unë betohem që do t’i kushtohem mbajtjes së Kosovë-Metohisë brenda Republikës së Serbisë”.

Si mund të pretendojë diplomacia e BE se po punon për normalizimin e marrëdhënieve midis dy shteteve me ndërmjetësimin e saj, kur Brukseli hesht për rivendikimin zyrtar kolonialist serb mbi shtetin e pavarur të Kosovës. A nuk është ky një minim i dialogut?

Lexo më shumë  Në Kosovë nis fushata globale “16 ditët e aktivizmit kundër dhunës me bazë gjinore”

Nuk u ndje Borrell kur zëvendëskryeministri i parë dhe ministër i jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiç, në 6 nëntor hodhi poshtë zyrtarisht planin franko-gjerman për dialogun Serbi-Kosovë, sepse sipas zyrtarit serb “plani implikon qendrimin që pavarësia e Kosovës është  çeshtje  e rënë dakord”.

Nuk u ndjenë Borrell dhe diplomacia e BE kur në 1  nëntor në mënyrë provokative presidenti serb  Vuçiç urdhëroi forcat e armatosura të viheshin në gatishmëri për Kosovën dhe dislokoi forca speciale ndërhyrëse në kufirin me Kosovën.

Nuk u ndje Borrell dhe diplomacia e BE kur në 3 nëntor presidenti  serb akuzoi Kosovën, NATO-n dhe Britaninë e Madhe se kishin dërguar dronë mbi kazermet ushtarake serbe dhe kishin ndërmarrë një agresion kundër Serbisë.

Nuk u ndje Borrell dhe diplomacia e BE kur në 5 nëntor separatistët serbë të Veriut të Kosovës shkallëzuan veprimtarinë e tyre terroriste kundër shtetit të Kosovës dhe kërkuan aneksim nga Serbia.

Pyetja tragjike është se si nuk e kupton diplomacia e BE se Serbia po shkallëzon provokacionet e saj kundër Kosovës në zbatim të planit të Moskës për transportimin e tensioneve ruse në mes të Ballkanit. Në kulmin e  zgjerimit të agresionit ushtarak rus në Ukrainë Serbia po i shërben Rusisë për ndezjen e një vatre tensionesh dhe konflikti në mes të Ballkanit.

Me pretekstin qesharak të targave Serbia po shpik  një shkak lufte. Diplomacia e BE duhet të kuptojë se Serbia dhe presidenti i saj po bëjnë luftën e Rusisë në rajon. Nuk ka vlerë ajo që BE po merr në mbështetje të Ukrainës, nëse bën sikur nuk e sheh që Rusia po vendos dentonatorët serbë të luftës në Kosovë.

Lexo më shumë  Zyrtari i lartë i NATO-s u bën thirrje bizneseve të përgatiten për ‘skenarë lufte’

Nuk mund të mos shprehësh keqardhje që për serinë e provokimeve të reja serbe, që përmendëm më sipër, kanë mbajur heshtje Tirana dhe Prishtina. Në Tiranë dhe në Prishtinë ende nuk e kanë kuptuar se në Ballkan nuk fiton ai që ka të drejtë, por fiton ai që bën më shumë zhurmë.

Kam 25 vjet që tërheq vëmendjen për diplomacinë serbe të përplasjes së këmbëve. Metoda dhe narrativa serbe e përplasjes së këmbëve bëri që Serbia nga shtet agresor, që ka kryer gjenocid dhe spastrim etnik në Kosovë, të arrijë të marrë nga diplomacia e BE statusin e viktimës në raport me Kosovën.

Në këtë deformim skandaloz historik, juridik dhe moral të së  vertetës ka rolin e vet edhe diplomacia e BE, e cila shpiku të ashtuquajturën simetri të fajit, të cilën po e ndjek edhe sot e kësaj dite, siç tregojnë deklaratat e  Borrellit që barazon agresorin me viktimën.

Nxitja e tensioneve dhe e konfliktit në Kosovë nga  Serbia është pjesë e fushatës dhe e strategjisë ruse për provokimin e flakëve të luftës në Kosovë nga separatizmi serb. Nuk është rastësi që në gjitha  veprimtaritë luftënxitëse qeveritare kundër Kosovës që presidenti Vuçiç organizoi këto ditë në Beograd mbante përkrah tij udhëheqësin separatist të serbëve të Bosnjës Dodik.

Udhëheqja e sotme utranacionaliste e Serbisë po kërkon rastin që të hakmerret për dështimin e agresionit të saj në Kosovë në vitin 1999. Ndaj po nxitohet të vihet në shërbim të Rusisë dhe të vërë në veprim makinën e saj luftarake të pajisur me armët ruse.

Derisa  BE të ndërgjegjësohet se Rusia me shkrepsen serbe në dorë po luan me flakët e një lufte ruse në Ballkan, rreziku pritet të bëhet gjithnjë e më i afërt. /Dita/

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *