Gjeopolitikë

A e kanë dorëzuar tashmë Biden dhe Europa Ukrainën tek Putin?

Nga Sławomir Sierakowski “Project Syndicate”

Pas një heshtjeje të gjatë misterioze, presidenti amerikan Joe Biden ka folur për përqendrimin gjithnjë e në rritje të trupave ruse pranë kufirit me Ukrainën. Duke pasur parasysh ato që tha, do të ishte më mirë që ai të kishte heshtur.

Zyrtarët e NATO-s, dhe ndihmësit e Biden, u përpoqën të ripërcaktojnë kuptimin e fjalëve të tij. Kur u pyet në një konferencë shtypi, nëse ai mendonte se presidenti rus Vladimir Putin do ta sulmonte sërish Ukrainën, Biden tha:”Unë mendoj se ai do të hyjë më Ukrainë. Ai është i detyruar të bëjë diçka…”. Ç’është më e keqja, Biden zbuloi më pas se nuk ka një unitet midis anëtarëve të NATO-s, se sa i ashpër duhet të jetë kërcënimi me sanksione të reja kundër Rusisë.

Gjithçka që do të bëjë aleanca në përgjigje ndaj një pushtimi rus të Ukrainës, është të vendosë më shumë trupa në Poloni dhe Rumani. Por ky lloj reagimi, është krejtësisht i papërshtatshëm në raport me shkallën e krimit që po kërcënon të kryejë Vladimir Putin.

Në Rusi, Biden konsiderohet një president i dobët, ndërsa burokratët e Kremlinit e shohin mungesën e lidershipit të tij, si një mundësi të artë për t’u hedhur në veprim. Dhe me deklaratën e fundit, Joe Biden sapo e rikonfirmoi pikëpamjen e tyre.

Perëndimi duhet parë sikur po bën diçka për të ruajtur virtytin e tij moral,prandaj Biden ofroi një gjest simbolik me shpresën e ri-fokusimit të tij në problemet e brendshme të SHBA-së. Presidenti amerikan nuk ka thënë as nëse dislokimet në Poloni dhe Rumani, do të bëhen një prani e përhershme (aktualisht ato janë me rotacion).

Për rrjedhojë, përgjigja e SHBA-së as nuk do ta përmirësojë situatën e Ukrainës, dhe as nuk do të garantojë sigurinë e Polonisë. Në vend se të ofrojnë ndonjë detaj në lidhje me sanksionet e mundshme ndaj Rusisë, Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të aludojnë për një “kosto të madhe” me të cilin do të përballet Putin, nëse fillon pushtimin e Ukrainës.

Por sanksionet janë një pengesë reale, vetëm kur janë të menjëhershme dhe konkrete, dhe kur krimineli i mundshëm, e di se sa i rëndë është ndëshkimi me të cilin do të përballet. Për shkak të retorikës pa përmbajtje të Biden, është e qartë se ndëshkimi për Rusinë do të jetë i lehtë.

Duke pranuar se Putini “duhet të bëjë diçka”, Biden i ka ofruar Putinit një lloj leje për të vepruar. Në vend se të pengojë agresorin, Biden po e përgatit publikun për atë që pritet të ndodhë.

Duket se SHBA0-a dhe Gjermania, lojtarët më të fortë të aleancës, po i dërgojnë një sinjal Kremlinit:një pushtim në shkallë të vogël – si ai që do të zgjeronte kufijtë e rajonit të Donbasit, apo që do të krijonte një korridor për në Krime – do të sjellë sanksione të kufizuara.

Pra nuk do të ketë braktisje të gazsjellësit “Nord Stream 2”, as largim të bankave ruse nga sistemi global i pagesave SWIFT, dhe nuk do të ketë as ndryshime të mëdha në lëvizjet e trupave të NATO-s. Kjo marrëveshje të kujton Marrëveshjen e Mynihut të vitit 1938:ajo e shpëton paqen, duke i hapur rrugë pushtuesit.

Po pse nuk ka unitet në çështjen e sanksioneve? Faji kryesor është ndoshta i Gjermania, vendi ku ndodhet gazsjellësi “Nord Stream 2”, që synon të dërgojë gazin rus në Evropën, nëpërmjet anashkalimit të Ukrainës dhe Polonisë. Sjellja e Gjermanisë mbi këtë çështje, është bërë gjithnjë e më e turpshme.

Qeveria gjermane jo vetëm që ka bllokuar furnizimet me armë për Ukrainën, por nga ana tjetër refuzon të deklarojë se ”Nord Stream 2” do të pezullohet, në rast se Ukraina sulmohet sërish nga Rusia. Argumenti standard (dhe idiot) për “Nord Stream 2”, është se ai është thjesht një projekt ekonomik.

Por askush nuk e beson këtë, madje as ata që e përdorin atë. Gazsjellësi i ri, jo vetëm që do ta privojë Ukrainën nga një sasi e konsiderueshme të ardhurash, që përfitohen nga tarifat e tranzitit të gazit rus. Por ajo do t’i hiqte Kievit mekanizmin e fundit të presionit kundër Moskës:aftësinë e saj për të bllokuar dërgesat e gazit rus, dhe pengimin e Rusisë për të përmbushur kontratat e saj me Evropën Perëndimore.

Në kohë normale, ukrainasit nuk do ta luanin kurrë këtë kartë, nga frika e reagimit të Perëndimit. Por tani që po kërcënohen me zhdukje nga harta, situata ka ndryshuar. Një pjesë e problemit është se Partia Social Demokrate, që drejton koalicionin e ri të qeverisë gjermane, ka qenë tradicionalisht shumë e nënshtruar ndaj Rusisë.

Dhe partnerët e tyre, Të Gjelbrit, kanë heshtur papritmas mbi gazsjellësin, që kur iu bashkuan koalicionit. Një problem tjetër ka qenë pacifizmi i pasluftës i Gjermanisë, që përbën një ftesë të hapur për agresorë si Rusia, dhe që tani mund ta ndihmojë Vladimir Putinin të shmangë çdo pasojë nga sulmi i tij i ri ndaj Ukrainës.

Ironia tragjike është se pacifizmi gjerman, supozohet të përfaqësojë një lloj dëmshpërblimi për rolin e Gjermanisë në Luftën e Dytë Botërore. Si e tillë, politika e jashtme gjermane vazhdon të ndikohet nga një pretendimi i rremë historik, se nga krimet e kryera në frontin lindor vuajtën vetëm rusët.

Në fakt, vuajtën të gjitha etnitë që ishin pjesë e Ushtrisë së Kuqe Sovjetike, por dhe në mesin e civilëve. Numri më i madh i atyre që vuajtën ishin ukrainas, jo rusë. Dhe përveç ukrainasve, janë rusët ata që do të paguajnë koston më të madhe në rastin e një luftë të re në Ukrainë.

Lufta nënkupton prapambetje të mëtejshme ekonomike, rënie të standardeve të jetesës, izolim ndërkombëtar dhe shtypje të brendshme.

Në këto rrethana, skenari i luftës mund të shmanget vetëm duke i bërë vërtet të padurueshme kostot që duhet të paguajë Putini. Duhej të ekzistonte një kërcënim i besueshëm, sipas të cilit Perëndimi do të vendosë sanksionet më të ashpra që mund të imagjinohen.

Përveç anulimit të “Nord Stream 2” dhe largimit të bankave ruse nga sistemi SWIFT, këto mund të përfshijnë vendosjen e një embargoje ndaj tregtisë me Rusinë; armatosjen e ukrainasve me armë konvencionale të përshtatshme ndaj kërcënimit rus; sekuestrimin e të gjitha pasurive të oligarkëve rusë jashtë vendit – përfshirë miliardat e shumta që ka vjedhur vetë Putin; dhe zgjerimin e pranisë së trupave amerikane në krahun lindor të NATO-s, në nivele që nuk janë vetëm simbolike.

Putini ka të ngjarë të mos frenohet nga asgjë më pak sesa kaq, sidomos tani që Biden e ka zbuluar pozitën e tij të dobët. SHBA-ja mund të ketë arritur në përfundimin se një pushtim rus është i pashmangshëm, por Ukraina nuk do të dorëzohet, pasi nuk mund të lejojë asnjë humbje të mëtejshme të sovranitetit të saj.

Një përgjigje në shkallë të gjerë, do t’i kushtonte financiarisht Perëndimit. Por Rusisë do t’i kushtonte shumë, shumë më tepër. Fatkeqësisht, tani ka shumë shenja se Joe Biden dhe Perëndimi do ta braktisin Ukrainën në fatin e saj. /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

Shënim: Słaëomir Sierakoëski, themelues i lëvizjes “Krytyka Polityczna”, dhe anëtar i Këshillin Gjerman për Marrëdhëniet me Jashtë.

Rruga Press

YouTube player