KryesoreLajme

A do të prodhojë Ukraina së shpejti raketat e veta?

Ukraina synon të prodhojë raketat e saj me rreze të gjatë veprimi. Çfarë dihet për këtë projekt?

Që nga fillimi i agresionit rus kundër Ukrainës, Rusia ka përdorur shpesh raketa me rreze të gjatë veprimi kundër Ukrainës. Kievi ende nuk është në gjendje t’i përgjigjet në mënyrë adekuate sulmeve me raketa të prodhimit të saj. Raketat e dërguara ukrainasve nga partnerët e tyre kanë disa kufizime – si për nga aftësia e goditjeve ashtu edhe për mundësinë e përdorimit në territorin rus.

Ukraina dëshiron të ndryshojë këtë dhe dëshiron dëshiron të zvogëlojë varësinë e saj nga raketat e vendeve partnere. Kjo është arsyeja pse Kievi po punon me nguti në një program për të prodhuar raketat e veta. Çfarë dihet për të?

Dronët “Paljanica”

“Do të jetë e vështirë për rusët që ta shqiptojnë këtë emër. Do të jetë po aq e vështirë për ta që të mbrohen prej këtyre dronëve”, tha presidenti ukrainas Zelensky për llojin e ri të dronëve luftarakë “Paljanica”. Zelensky pretendon se “lufta e parë dhe e suksesshme” e dronave tani më ka ndodhur.

Sipas ministrit të Industrisë Strategjike, Oleksandr Kamishin, objekti i goditur nga “Paljanica” ndodhet në territorin ukrainas të pushtuar përkohësisht nga Rusia. Në një intervistë për DW, Kamishin tha se “Paljanica” është zhvilluar dhe prodhuar plotësisht në Ukrainë, dhe shtoi se “disa komponentë e kanë origjinën nga jashtë”.

Platforma United24, e cila ka publikuar një video të dronit “Paljanica”, vëren se kjo armë është projektuar dhe ndërtuar nga specialistë ukrainas brenda një viti e gjysmë. Objektivat kryesore do të jenë rreth 20 fusha ajrore, nga të cilat Rusia nis sulmet në Ukrainë me raketa analoge”. Të gjitha informacionet e tjera janë konfidenciale.

Lexo më shumë  Shefja e Parlamentit të BE-së: Gjermania duhet t’ia dërgojë Ukrainës raketat Taurus

Raketat “Neptun”

Ukraina ka arritur njëfarë suksesi me programet e saj raketore në vitet e fundit, thotë Serhiy Shurez, drejtor i kompanisë së informacionit dhe konsulencës “Defence”. “Për shembull raketat antitank, si “Stugna” dhe “Corsair”, të cilat tashmë janë në prodhim masiv. Ose R-360 ‘Neptuni’, raketa kundër anijeve.” Është produkt i byrosë së projektimit të Kievit Lutsch, të cilin forcat e armatosura e kanë përdorur që nga viti 2020, ashtu si sistemi i raketave bregdetare RK-360MC, i cili është në gjendje të identifikojë anijet e armikut dhe t’i shkatërrojë ato. Raketa e tipit Neptun është e pajisur me një kokë me peshë 150 kilogramë dhe ka një rreze veprimi deri në 300 kilometra.

Për herë të parë, raketa e tipit Neptun u përdor në kushte luftarake në fillim të prillit 2022, kundër fregatës ruse “Admiral Essen”. Më pas, më 13 prill 2022, ndodhi një nga ngjarjet më të rëndësishme gjatë luftës mes Ukrainës dhe Rusisë: Dy raketa të tipit “Neptun” kanë fundosur luftanijen ruse “Moskva”. Në vitin 2023, u bë e ditur se projektuesit ukrainas kishin modifikuar “Neptun”. Tani këto raketa mund të godasin jo vetëm anijet, por edhe objektivat në tokë.

Raketat e modifikuara tani kanë një rreze veprimi prej rreth 400 kilometrash dhe janë të pajisura me një kokë që peshon 350 kilogramë. Mësohet se ushtria ukrainase ka përdorur tashmë disa herë raketa të modifikuara të tipit “Neptun”.

Për të depërtuar sa më thellë në territorin rus, Ukraina përdori raketat anti-ajrore S-200 vitin e kaluar, sipas raportimeve të mediave. Këto raketa janë modifikuar që të mund të godasin objektivat në tokë. Kievi nuk e ka konfirmuar zyrtarisht këtë, por një zyrtar i qeverisë i tha BBC se procesi është në vazhdim: “Ne duhet të gjejmë një rrugëdalje nga situata aktuale. Ne kemi gjetur një zgjidhje në S-200 dhe ajo po funksionon mirë deri më tani. ” Ukraina përdori edhe dronët e modernizuar të zbulimit sovjetik të tipit Tu-141 “Stryzh”, të cilët lëvizin me shpejtësi rreth 1000 kilometra në orë.

Lexo më shumë  Mid'hat Frashëri: Ç'fituam nga Kongresi i Manastirit?

Raketat „Made in Ukraine”

Në fund të gushtit, presidenti ukrainas Zelensky konfirmoi testin e suksesshëm të raketës së parë balistike vendase. Në të njëjtën kohë, ai nuk ka treguar se për çfarë lloj rakete bëhet fjalë. Ministria e Mbrojtjes nuk ka dashur të komentojë programin raketor për DW, duke u bazuar në konfidencialitetin e informacionit. U vu re vetëm se ky program financohet nga buxheti i shtetit. Ajo që dihet është se industria ukrainase e armëve ka punuar në zhvillimin e një rakete balistike që nga viti 2006. Bëhet fjalë për raketa me rreze të shkurtër veprimi “Sapsan”, me diametër 0.9 metra dhe një rreze veprimi prej 500 kilometrash. Raketa njihet edhe me emrin “Hrim-2”. Dyshohet se Ukraina prodhoi “Hrim-2” për Arabinë Saudite me një diametër prej 0.6 metrash dhe një rreze prej 280 kilometrash.

Sot Ukraina është në gjendje të prodhojë mjaft raketa për luftë me Rusinë, thekson Frank Ledwidge, një ish-oficer i inteligjencës britanike dhe ekspert ushtarak në Universitetin e Portsmouth. “Kur bëhet fjalë për teknologjinë, Ukraina nuk duhet nënvlerësuar. Përpara agresionit rus, Ukraina ishte ndër 10 vendet më të mira në botë në programet hapësinore. Ajo ka një nivel të mjaftueshëm të njohurive edhe në çështjen e prodhimit të raketave. Më lejoni të sqaroj: raketa e preferuar e Elon Musk, përveç raketës së tij, është ajo Zenit, e prodhuar në Ukrainë”, tha ai për DW.

Rruga Press

YouTube player