A do të fitojë sonte Kombëtarja përballë Moldavisë? Ja cilat janë të dhënat
Kërkohet një fitore dhe Shqipëria është gati të zbresë sonte në fushën e Air Albania për ta marrë. Kuqezinjtë, tashmë të drejtuar nga Sylvinho, do të tentojnë të rikthehen te fitorja në ndeshjen e dytë kualifikuese drejt Euro 2024. Suksesi në një ndeshje zyrtare mungon që prej nëntorit 2021 kundër Andorrës. Kështu, kundër Moldavisë askush nuk mundohet të gjejë alibi, e aq më pak lojtarët e tekniku Sylvinho. Tekniku madje e përforcoi konceptin në konferencën për shtyp të vigjiljes. Në fakt, braziliani është i detyruar të bëjë ndryshime në krahasim me debutimin ndaj Polonisë, pikërisht për shkak të hyrjeve të rëndësishme.
Moldavia ka dy pikë në dy sfidat e para në Grupin E, pas dy ndeshjeve në shtëpi të barazuara 1-1 me Ishujt Faroe dhe 0-0 me Republikën Çeke. Kundërshtari i kuqezinjve është aktualisht në vendin e tretë, ndërsa Shqipëria e fundit me 0 pikë. Skuadra e Sylvinho humbi debutimin kundër Polonisë 1-0 dhe ka luajtur vetëm këtë takim.
SITUATA ME DËMTIMET
Të gjithë në dispozicion, edhe Berat Gjimshiti që është rikthyer në dispozicion të teknikut Sylvinho, pasi u bë baba për herë të dytë. Kuqezinjtë kanë kryer pa asnjë problem edhe seancën e fundit stërvitore, të parën në shtëpi, kundër Moldavisë. Grupi është shfaqur entuziast dhe duket se presioni i rezultatit nuk i shqetëson aspak. Zgjedhjet janë bërë dhe Sylvinho nuk priti të zgjidhte asnjë dilemë nga seanca e rifiniturës, përvecse të fiksonte edhe më mirë parimet e tij të lojës dhe të rishihte edhe njëherë gjendjen fizike të lojtarëve të tij. Hysaj, Ismajli e Gjimshiti në fakt vijnë nga minuta të mira me klubet e tyre. Ky është një detaj që nuk e lë aspak indiferent brazilianin.
Në mesfushë entuziazmi i Asllanit, i ardhur nga një finale Championsi, pavarësisht se e humbur, duhet shfrytëzuar. Ndërsa kandidaturat e Bares, Abrashit dhe Ramadanit janë gjithnjë të forta. Sylvinho mund të besojë në lojtarë me karakteristika të ndryshme e kualitete të përshtatshme, mjafton të shohësh predispozitën që tregon Laçi apo Muçi. Sulmuesi i Leagia komplimentet i mori në konferencën për shtyp nga tekniku, por i ka merituar në këto ditë të punës me kuqezinjtë.
Sulmi duhet ta bëjë të ndihet komod. Nuk është vërtetë akoma Broja, por një Uzuni në këtë formë nuk ka qenë kurrë. Asani e Seferi garantojnë paparashikueshmëri, ndërsa Cikalleshi e Sadiku eksperiencë për të shitur. Porta është pozicioni i vetëm ku të gjithë janë në ekuilibër e tekniku do ta vendosë në fund. Gjithçka është gati, në mbrëmje Shqipëria do të kërkojë fitoren e parë të kualifikueseve drejt Euro2024 e Sylvinho të parën në pankinën kuqezi.
FORMACIONI
Dilema tekniku nuk ka përvec se në portë. E megjithatë, Sylvinho në portë duket se ka ndërmend t’i besojë Strakoshës. Portieri është më i avantazhuar se Berisha, edhe sepse në konferencë u shfaq Hysaj. Në mbrojtje braziliani është edhe më i qartë. Hysaj kalon në të djathtë, për mungesën e Balliut, ndërsa Ismajli dhe Gjimshiti do të formojnë dyshen e qendrës. Në të majtë, Mitaj e Bajrami do të sfidohen për një fanellë. Në mesfushë pritet të jenë Ramadani, Bare, Bajrami, por një dilemë është edhe Asllani. Ndërkohë përpara do ta nisë e njëjta treshe si në Varshavë: Asani, Uzuni dhe Cikalleshi në majë.
PRECEDENTËT
Shqipëria në pesë ndeshje nuk ka asnjë humbje në përballjet historike me Moldavinë. Janë katër fitore e një barazim, në ndeshjen e vetme miqësore të luajtur mes dy formacioneve. Në 29 mars 1995 ka nisur historia mes kuqezinjve e moldavëve, me një 3-0 në Tiranë për kualifikueset e Euro 96. Në 7 qershor pastaj, në Moldavi, kuqezinjtë morën fitoren e parë në transfertë, duke u imponuar 2-3. Shtatë vjet më vonë, në 15 gusht 2012 miqësorja në Tiranë përfundoi pa gola. Sfida në kryeqytet u përsërit në 11 qershor 2019, këtë herë për kualifikueset në Euro 2020: 2-0 ndeshja e parë dhe 0-4 në transfertën e 14 tetorit.
Rruga Press