VOA: Varianti Omicron ishte në Europë para se të identifikohej në Afrikën e Jugut
Provat e reja dëshmojnë se varianti omicron i koronavirusit ishte i pranishëm në Evropën Perëndimore shumë përpara se rastet e para të identifikoheshin zyrtarisht në Afrikën e Jugut. Autoritetet në Holandë thanë se zbuluan variantin në mostrat e testeve të kryera që me 19 nëntor, një javë të plotë përpara rasteve pozitive të zbuluara të premten e kaluar midis udhëtarëve që arritën në Amsterdam, me një fluturim nga Afrika e Jugut. Zyrtarët shëndetësorë në Japoni dhe Francë konfirmuan gjithashtu rastet e tyre të para me omicron të martën, duke iu bashkuar një liste në rritje të vendeve ku përfshihen Britania, Kanadaja, Skocia, Australia, Austria, Spanja dhe Suedia. Shfaqja dhe përhapja e shpejtë e variantit omicron, bëri që Stephane Bancel, shefi ekzekutiv i gjigantit farmaceutik Moderna, të paralajmërojë të martën në një intervistë me The Financial Times, se vaksinat ekzistuese kundër COVID-19 mund të jenë më pak efektive kundër variantit të ri, në krahasim me deltan dhe variantet e mëparshme.
Paralajmërimi i zotit Bancel shkaktoi shqetësime të reja në tregjet financiare në botë.
Por shkencëtarët në Universitetin e Oksfordit, i cili zhvilloi një vaksinë me dy doza në bashkëpunim me prodhuesin e ilaçeve, AstraZeneca, lëshuan një deklaratë të martën duke thënë se vaksinat aktuale “kanë vazhduar të ofrojnë nivele shumë të larta mbrojtjeje kundër sëmundjeve të rënda dhe nuk ka asnjë provë deri më tani që omicron është ndryshe”. Në deklaratë thuhet po ashtu që nëse është e nevojshme, ekzistojnë “mjetet dhe mundësitë për zhvillimin e shpejtë të një vaksine të përforcuar kundër COVID-19”.
Emer Cooke, shefi i Agjencisë Evropiane të Barnave (EMA), rregullatori i barnave për Bashkimin Evropian, gjithashtu u përpoq të jepte një notë sigurie, duke u thënë ligjvënësve të BE-së në Bruksel se vaksinat aktuale janë ende në gjendje të përballen me variantin omicron, por nëse duhen ndryshime, do të nevojiten deri në katër muaj për të miratuar versionet e reja për përdorim në bllokun 27-vendesh. Mesazhet e përziera të së martës vijnë një ditë pasi Tedros Adhanom Ghebreyesus, drejtori i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, tha se “shumë prej nesh mendojnë se kemi mbaruar punë me COVID-19. Por, virusi nuk ka mbaruar punë me ne”.
OBSH-ja tha se rreziku i përgjithshëm global në lidhje me variantin omicron “vlerësohet si shumë i lartë” edhe pse nuk është raportuar asnjë vdekje e lidhur me të. Kërcënimi nga varianti i ri bëri që Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe, të rekomandojnë të hënën që të gjithë të rriturit të marrin vaksina përforcuese.
Rruga Press