Dhurata e Carit, Putin i vesh Vuçiçit këmishën e forcës: Përse i duhen Rusisë bazë ushtarake dhe stacion atomik në Serbi, pikerisht tani kur tensionet me NATO-n po arrijnë kulmin
Shkruan Shaban Murati
Në traditën e mirënjohur shekullore të sejmenëve dhe të vasalëve ballkanikë presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç i kujtoi botës diplomatike se liderët e sotëm ballkanikë sado të fryhen brenda vendit, në marrëdhëniet e jashtme mbeten raja gjenetikë.
Agjencia shtetërore ruse e lajmeve “TASS” njoftonte në 29 nëntor se “presidenti i Serbisë i premton Rusisë miqësi të përjetëshme”. Ky ditiramb përunjës, që brezit tim i kujton statusin e satelitit, që e ka patur dikur Shqipëria me “miqësitë e përjetëshme dhe të pavdekëshme” me Serbinë dhe me Rusinë, është epilogu nënshtrues i bisedimeve, që presidenti serb Vuçiç zhvilloi në 25 nëntor në Soçi me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin.
Presidenti serb nga mëngjesi në darkë nuk po le rast me dalldinë e vet përunjëse të lavdërohet për arritjen “fenomenale” të bisedimeve, ku presidenti rus i premtoi të vijojë t’ia japë Serbisë edhe për gjashtë muaj gazin rus me çmim të ulët 270 dollarë për metër kub.
“Një dhuratë cari” e quan media proqeveritare ruse “Balkanist” në 29 nëntor. Çmim më të ulët të gazit Rusia i ka dhënë vetëm Bjellorusisë, të cilës ia shet me 138 dollarë metrin kub, në kohën që në tregun ndërkombëtar çmimi i një metri kub gaz ka arritur deri në njëmijë dollarë.
Mediat ruse e justifikojnë çmimin rekord të ulët për Bjellorusinë me faktin që ajo është shtet i Unionit të përbashkët me Rusinë. Mediat ruse nuk e thonë se në këtë Union me Rusinë bën pjesë ligjërisht edhe Serbia, parlamenti i së cilës në prill 1999 ka miratuar rezolutën e bashkimit në një federatë me Rusinë dhe me Bjellorusinë, rezolutë të cilën pas disa ditësh e ka miratuar edhe parlamenti i Rusisë.
Parlamenti i Serbisë nuk e ka abroguar ende rezolutën e bashkimit të Serbisë me Rusinë dhe as parlamenti i Rusisë nuk e ka abroguar. Ligjërisht rezoluta është në fuqi, pavarësisht se disa qarqe diplomatike të BE, të Ballkanit dhe të Perëndimit e kanë harruar këtë fakt. Nuk e ka harruar Rusia, e cila po i ofron Serbisë tani çmimin e ulët të gazit në kuadrin e strategjisë së madhe ruse që shteti aleat strategjik i tij nga Ballkani të realizojë defacto bashkimin me Rusinë.
Vuçiç po e mbush Serbinë me entuziazmin e vet filorus për gjashtë muajt e gazit rus, por nuk po i thotë asnjëherë opinionit publik serb se me çfarë çmimi presidenti rus i dha Serbisë gazin gjashtë mujor.
Gazeta e njohur proqeveritare ruse “Pravda” në 26 nëntor shtronte që në titullin e një artikulli të saj pyetjen: “Për çfarë ia dha Putini Serbisë këtë ulje të jashtëzakonshme çmimi të gazit? Për çfarë kjo preferencë çmimi më të ulët të gazit në Europë?”. Pyetja e gazetës ruse është logjike, sepse jo vetëm diplomatët, ekonomistët dhe ushtarakët, por edhe njerëzit më të thjeshtë e kuptojnë se Rusia në marrëdhëniet e saj ndërkombëtare nuk jep privilegje apo preferenca për sytë po për buzët bukura të presidentit serb.
Gazi gjashtëmujor rus si oksigjen për ekonominë serbe nuk iu dha Serbisë as për “miqësinë e përjetshme” dhe as për “heroizmin” e presidentit serb, që lavdërohet çdo çast se Serbia është i vetmi shtet europian që ka refuzuar sanksionet e BE ndaj Rusisë. Moska ka interesat e saj strategjike afatgjata me Serbinë dhe i ofroi presidentit serb gazin gjashtëmujor me një serial të ri kushtesh gjeopolitike të rëndësishme, që ia lidhin fort litarin rus rreth qafës së Serbisë.
Media në gjuhën ruse “dialog.ua” shkruante në 28 nëntor për bisedimet e presidentit të Rusisë me presidentin e Serbisë: “Në shkëmbim të uljes së çmimit të gazit Serbia u bë varësi gjeopolitike nga Kremlini”.
Kushti i parë i rëndësishëm, që presidenti rus Putin i vuri presidentit serb Vuçiç në bisedimet e Soçit në 25 nëntor, zbulohet vetëm nga gazeta e mirëinformuar ruse “Pravda”, e cila në 26 nëntor analizon ofertën bujare të presidentit rus ndaj presidentit serb: ”Për këtë ndihmë është e mundshme për shembull të llogaritet një bazë ushtarake në territorin e Serbisë”.
Është një informacion interesant i botuar deri tani vetëm nga kjo gazetë e njohur ruse dhe në asnjë organ tjetër rus, serb apo europian. Nuk dihet nëse është rrjedhje me dashje apo padashje e informacionit shtetëror. Del kështu në dritë një kusht dhe kërkesë e rëndësishme strategjike e presidentit Putin për të pasur një bazë ushtarake në Serbi.
Rusisë i duhet baza ushtarake në Serbi tani, në kohën kur tensionet e saj ushtarake me NATO-n, pas ndërprerjes së marrëdhënieve diplomatike të saj me NATO-n në muajin tetor, po arrijnë kulme të reja dhe kur mundësia e konfrontimit të shteteve të NATO-s kufitare me Rusinë po rritet për shkak të përgatitjeve ruse për luftë me Ukrainën.
Më specifikisht me fushatën e re ruse të provokimit të tensioneve dhe vatrave të luftës në Bosnje-Hercegovinë dhe në kufijtë e Kosovës, një bazë e re ushtarake në Ballkan bëhet edhe më e nevojshme për strategjinë ballkanike dhe europiane ruse.
Ka një logjikë kushti dhe kërkesa e presidentit rus për një bazë ushtarake në Serbi, që shpjegohet me dinamikën e përplasjeve të reja gjeopolitike të Rusisë me NATO-n në Ballkan, por edhe me përdorimin e Serbisë si instrument diversiv dhe ushtarak i Moskës në rajon.
Kërkesa për një bazë ushtarake ruse në Serbi është rrjedhim logjik i gjithë garës së çmendur me armatime ruse ku ka hyrë Serbia, duke u armatosur me armët më të sofistikuara të furnizuara nga Moska, që nga gjuejtësit e tipeve më të fundit e deri te komplekset e raketave dhe dronët sulmues.
Ndaj në bisedimet e presidentit rus me presidentin serb një vend qendror e zuri bashkëpunimi i ngushtë ushtarak midis dy shteteve dhe jo rastësisht presidenti Putin në konferencën e shtypit në 25 nëntor i numëroi presidentit serb manovrat e përbashkëta ushtarake, lidhjet e ngushta të ministrive të mbrojtjes dhe të shtabeve të përgjithshme të të dy ushtrive dhe të agjencive ruse dhe serbe të inteligjencës.
Si dhuratë nga bisedimet u njoftua furnizimi nga Rusia deri në fund të muajit dhjetor 2021 i komplekseve të raketave ruse antitank “Kornet”. Në planin e furnizimeve me armatime, nga presidenti rus u premtua, siç njoftoi vetë Vuçiçi pas bisedimeve, se “disa objekte strategjike do të vijnë nga Rusia në Serbi së shpejti”.
Nuk mendoj se ka idiotë të dobishëm të Serbisë dhe të Rusisë në Ballkan që mendojnë se i ashtuquajturi “neutralitet ushtarak”, që propagandon Serbia, do të jetë pengesë për vendosjen e një baze ushtarake ruse në Serbi.
Dy vjet pas miratimit në 2007 në parlamentin serb të rezolutës për “neutralitetin ushtarak” të Serbisë Beogradi i dha Moskës bazën ushtarako-diversioniste të Nishit, ku është dislokuar një kontigjent ushtarak rus me dhe pa uniformë. Katër vjet më vonë Serbia hyri si shtet vëzhgues në Asamblenë Parlamentare të organizatës ushtarake “CSTO”, që Moska drejton dhe e ka krijuar me disa shtetet ish-sovjetike.
Kështu që edhe për dhënien e një baze të re ushtarake ruse në Serbi pritet të gjendet një kamuflim i ri, siç quhet “qendër humanitare” baza e tanishme ushtarake ruse në Nish.
Kushti i dytë strategjik, që i vuri presidenti rus presidentit serb në bisedimet, është ndërtimi nga Rusia i një elektrostacioni atomik në Serbi. Në 25 nëntor agjencia zyrtare ruse e lajmeve “RIA NOVOSTI” njoftonte lidhur me rezultatet e bisedimeve të të dy presidentëve: “Rusia merr bazë atomike në Serbi”.
Natyrisht agjencia ruse e ka të qartë se nuk bëhet fjalë për vendosjen e raketave bërthamore ruse në Serbi. Por ajo don të tregojë se sa i rëndësishëm është për Rusinë projekti i ndërtimit të një elektrostacioni atomik rus në Serbi në planin strategjik dhe gjeopolitik. Ndaj dhe e përkufizon si “bazë atomike” e Rusisë në Serbi. Ekspertët më të mirë rusë e pohojnë në mediat ruse se Serbia nuk ka fare nevojë për një elektrostacion atomik.
Ndërtimi i një objekti të tillë do t’i kushtojë asaj një borxh prej 10 miliard dollarësh te Rusia. Për një shtet të varfër si Serbia, që ka një borxh shtetëror prej 36 miliard dollarësh, një borxh i ri astronomik do të asfiksonte financat serbe dhe do ta bënte varësinë serbe nga Rusia kreditore formën e vetme të ekzistencës.
Agjencia zyrtare ruse “RIA NOVOSTI” shkruante në 25 nëntor pas bisedimeve Putin-Vuçiç lidhur me projektin rus të ndërtimit të një elektrostacioni atomik në Serbi: “Ky është vërtetë lajm, thellësia dhe rëndësia e të cilit vështirë të vlerësohet menjëherë, megjithëse drejt para syve tanë po ndodh një ngjarje tektonike nga pikëpamja e historisë dhe e gjeopolitikës”.
Kemi një përkufizim zyrtar të rolit dhe të misionit të posaçëm afatgjatë strategjik dhe gjeopolitik, që Moska i jep ndërtimit nga Rusia të elektrostacionit atomik në territorin e Serbisë. Kjo hedh dritë në planifikimet e reja strategjike dhe gjeopolitike ruse në rajonin e Ballkanit. Me këtë objekt strategjik Moska planifikon t’i japë Serbisë një rol qendror gjeopolitik në rajon dhe ta shndërrojë atë në një qendër rajonale energjetike ruse si instrument i ri i presionit dhe i ndikimit rus në gjithë Ballkanin.
Ekspertë rusë sjellin përvojën ruse me Bjellorusinë, ku Moska ka ndërtuar një elektrostacion atomik, i cili në rastin e krizës së tanishme energjetike ndërkombëtare i dha Bjellorusisë një rol të posaçëm transnacional gjeopolitik në rajon.
Presidenti i Serbisë Vuçiç e mori “dhuratën prej cari” për gazin gjashtëmujor me çmime të ulta pasi pranoi kushtet dhe kërkesat e rënda nga protektori i tij rus. Pikërisht për këtë presidenti Putin i shprehu atij paraprakisht dhe publikisht mbështetjen për rizgjedhjen si president në zgjedhjet presidenciale të Serbisë në prillin e vitit të ardhshëm.
Presidenti rus i dhuroi mbështetjen elektorale, sepse u sigurua për përmbushjen e kushteve ruse dhe për vasalitetin e presidentit serb, të cilit Putini i veshi këmishën rusë të forcës, nga e cila Vuçiçi nuk ka nga të luajë.
Është folur shpesh herë në qarqet diplomatike dhe mediatike se presidenti serb Vuçiç po ndjek politikën titiste të dy karrikeve, duke flirtuar edhe me Perëndimin, edhe me Lindjen. Do ta konsideroja një naivitet diplomatik dhe mediatik.
Media proqeveritare ruse “Balkanist” shkruante në 29 nëntor: ”Presidenti i Serbisë orientohet te Vladimir Putini. Është i njëjti stil bizantin i drejtimit, që është pushteti vertikal”. Presidenti serb Vuçiç dhe Serbia janë ngulur në karrigen ruse. Është vërtet e habitshme se si diplomatë europianë dhe perëndimorë kanë iluzionin se Serbia është e prirur drejt BE dhe drejt Perëndimit.
Sidomos për të vënë duart në kokë është fakti që disa burokratë të NATO-s po e cilësojnë Serbinë partner të rëndësishëm dhe të besueshëm të Aleancës Atlantike. Janë iluzione të dëmshme, sepse me dashje apo pa dashje i shërbehet mbulimit të politikës së rrezikshme të tensioneve dhe të luftës, që po ndjekin Serbia dhe Rusia në Ballkan.
Presidenti rus Putin i ka veshur presidentit serb Vuçiç këmishën ruse të forcës dhe e ka ulur me detyrim në karrigen ruse. Po të parafrazojmë Lamartinin dhelpra europiane më kot pret t’i bjerë korbit serb djathi nga goja. Indulgjencat dhe favoret e pamerituara diplomatike të BE dhe të Perëndimit ndaj Serbisë nuk kanë pasur dhe as pritet të kenë ndonjë efekt për largimin e Serbisë nga Rusia.
Presidenti serb Vuçiç e ka siguruar presidentin rus Putin për këtë.
Serbia ruse është realiteti politik dhe diplomatik, që po bëhet çdo ditë dhe më e rrezikshme për shtetet dhe popujt rajonit, anëtarë të NATO-s.
Kjo është Serbia ruse, që lakejtë filoserbë në Ballkanin Perëndimor, përfshirë dhe ata në Shqipëri, po e reklamojnë presidentin serb Vuçiç si mesia të paqes ballkanike. Nuk ka njeri me mendje në vend që mund të besojë se presidenti i Serbisë do të zëvendësojë “miqësinë e përjetëshme” me Rusinë me ndonjë “miqësi të përjetshme” me Shqipërinë apo me Kosovën.
Shqipëria e ka provuar “miqësinë e përjetshme serbe” në vitet 1944-1948 dhe “miqësinë e përjetshme ruse” në vitet 1948-1961, kur sovraniteti i shtetit shqiptar hyri në arkivol.
Shqipëria nuk mund dhe nuk duhet të lejojë kurrë që Serbia ta marrë përsëri për dore si vasale dhe me “Ballkanin e kapur” ta çojë edhe atë te Rusia. Le të shpresojmë që Serbia nuk i ka veshur kryeministrit të Shqipërisë këmishën e saj të forcës./Dita
Rruga Press