Vrasja e ish-deputetit në Shkodër, zbulohen dy pistat ku po heton policia
Policia e Shkodrës nuk ka ende një autor për atentatin e ndodhur mbrëmë, ku mbeti i vrarë ish-kryetari i Komunës së Velipojës dhe ish-deputeti, Pashko Ujka.
Paraditen e sotme grupi hetimor është rikthyer në vendin ku ndodhi atentati për të gjetur ndonjë provë që mund të çojë në zbulimin e autorit/ve të atentatit.
Sipas raportimeve, policia ka sekuestruar kamerat e sigurisë në zonë dhe ka parë për herë të parë autorin, por pa mundur ta identifikojë atë.
Në vitin 2005, Pashko Ujka është zgjedhur deputet me aleancën demokratike ndërsa në 2007 ka kaluar me Partinë Demokristiane.
Pistat e hetimit
Pista kryesore e hetimeve lidhet me borxhet e viktimës të cilat i kishte akumuluar ndër vite, ndërsa pista e dytë e hetimit lidhet me punën e tij si ish-kryetar i Komunës së Velipojës
Gjatë ushtrimit të detyrës si kryetar i komunës Velipojë, Ujka dhe vartësit e tij kanë qënë në hetim nga prokuroria e Shkodrës, për akuzën e “Falsifikimit të dokumentave” dhe “Shpërdorimit të detyrës”.
Për vrasjen e ish-deputetit dhe ish-kryekomunarit janë shoqëruar disa persona, në kuadrin e të dyshuarit apo të të paturit dijeni për ngjarjen, por deri tani nuk ka asnjë masë ndalimi ndaj asnjërit prej tyre.
RrugaPress