Në alarm nga Omicron, Britania kërkon mbledhjen e G7
Mbretëria e Bashkuar ka kërkuar një takim urgjent të ministrave të Shëndetësisë të 7 vendeve më të industrializuara në botë për të diskutuar variantin e ri të COVID.
Thirrja vjen në një kohë kur shumë vende kanë raportuar raste me Omicron, përfshirë këtu Kanadanë, Danimarkën, Gjermaninë dhe Italinë.
Shtete anëtare të BE-së, sikurse Britania dhe Shtetet e Bashkuara kanë kufizuar fluturimet drejt dhe nga shumë zona të Afrikës së Jugut, ku varianti i ri u konstatua për herë të parë.
Të dielën, Holanda vendosi një bllokadë më të ashpër, edhe pse ajo ishte planifikuar për shkak të rritjes së infektimeve, para se vendi të konfirmonte 13 raste me Omicron.
“Jemi të shqetësuar pasi sipas ekspertëve, ky variant mund të jetë më i rrezikshëm. prandaj OBSH mund ta ketë quajtur “variant shqetësues”. Nuk dimë mjaftueshëm nëse Omicron i bën njerëzit më të sëmurë, apo se si ai prek imunitetin e tyre, qofshin të vaksinuar apo të mjekuar. Pra, jemi të shqetësuar, por ende nuk dimë shumë për të justifikuar shqetësimin tonë,” – deklaroi ministri holandez i Shëndetësisë Hugo de Jonge.
Ndalimet e udhëtimeve synojnë t’u japin shkencëtarëve më shumë kohë për të studiuar Omicron-in. Por mjekët në Afrikën e Jugut deklarojnë se simptomat janë të njëjta.
“Janë simptoma shumë të buta, që do të thotë se mund t’i kurojmë në shtëpi. Deri më tani nuk jam në dijeni që kolegët e mi t’i kenë vendosur pacientët në oksigjen, pasi niveli i oksigjenit tek ata është i qëndrueshëm,” – u shpreh Angelique Coetzee, drejtoreshë e Shoqatës Mjekësore të Afrikës së Jugut.
Duke qenë në ditët e para, një nga problemet e lindura është se si të bindësh publikun për vendosjen e masave më të ashpra dhe për thirrjet për vaksinim, teksa protestat kundër tyre kanë qenë të shumta.
Rruga Press

