Art & Kulturë

“Shota” me koncert festiv shpërfaq histori shekullore

Me rrëfim historik, festë e këngë, Ansambli kombëtar i këngëve dhe valleve “Shota” ka shënuar Ditën e Flamurit. Në prag të festës, që shënon 109-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, “Shota” i është kthyer publikut me folklor burimor, ka shkuar përtej kësaj duke shpërfaqur gati një shekull histori. Programi i koncertit festiv ka rrumbullakuar historinë e këtyre anëve në shekullin e fundit

Gra e burra lëvizin si vështrues. Se po përjetojnë kohë të vështira vërehet në lëvizjet e tyre, por edhe në vijë melodike. Nuk ndalen asnjëherë. Ia kanë mësyrë që të përballen me një stuhi të fortë. Në koreodramën “Lulet e Marsit”, valltarët e Ansamblit kombëtar të këngëve dhe valleve “Shota” zbërthejnë ditë të rënda.

Nën koreografi të Xhemali Berishës, ata rrëfejnë sakrificën e familjes Jashari nga Prekazi i Skenderajt. Vepra, që është dhënë premierë në 20-vjetorin e “Epopesë së UÇK-së”, në mars të vitit 2018, është kthyer para publikut të shtunën mbrëma, në prag të Ditës së Flamurit, si një nga ngjarjet e “Javës së flamurit”.

Valltarët “inskenojnë” bekimin që të vjetrit e familjes iu japin të bijve për të mbrojtur pragun e shtëpisë. Historia e familjes Jashari shpërfaqet në hapet e valleve popullore. Pikërisht kjo vepër edhe ka çelur koncertin festiv të ansamblit që bazë të krijimtarisë ka folklorin e këtyre anëve. Beteja që zhvillohet në skenë, artistikisht kthen publikun prapa në kohë. Në ditët kur vendi përballej me luftë. Por historinë “Shota” të shtunën nuk e ka prekur vetëm në dekadën e viteve ’90. Por rrëfimeve edhe është festuar.

Dueti “Kosova-Kosova” nga Liridon Sadriu e Saranda Alija ka qenë një prej pjesëve të mozaikut festiv. Dyshja, që njihen për këtë duet, e kanë shndërruar sallën e madhe të Teatrit Kombëtar në një arenë feste. “Shota” është kthyer në skenë pas një pauze të gjatë shkaku i masave kundër pandemisë. Krejt në fillim të koncertit, drejtori i përgjithshëm i institucionit, Shefqet Gjocaj, ka thënë se ky koncert është edhe një lloj homazhi për bardët e kulturës që kanë vdekur sivjet. Me një duartrokitje të gjatë janë kujtuar instrumentisti Shaqir Hoti, kompozitori Fahri Beqiri e këngëtari Ismet Bogujevci.

“Shota” ka festuar me këngën “Zëri i atdheut”, interpretuar nga Sokol Latifi. Këngëtarja Violetë Kukaj ka interpretuar këngën “Presheva”. Kësisoj ansambli ka prekur historinë e kombit shqiptar edhe nga aspekti gjeografik.

Me koreografi të Fehmi Shaqirit, “Vallja e Peshkopisë” ka sjellë një tjetër frymë të valles popullore. Krejt këtë ndërthurje, profesori universitar Shyqri Nimani e ka përshkruar si paraqitje të jashtëzakonshme të “Shotës”.

“Ky Ansambël është i jashtëzakonshëm. Janë vajza e djem që prekin liriken, por më pas shpërthejnë si vullkan, duke ngjallë emocione e duke treguar çfarë kapaciteti kanë”, ka thënë ai. Sipas Nimanit, ansambli i bën konkurrencë secilit formacion tjetër folklorik në nivel global. Për këtë ka numëruar sukseset e “Shotës” nëpër festivale botërore.

“Kam qenë edhe në Tiranë në koncerte. Por për dallim nga atje, ‘Shota’ te ne ka ruajtur nivelin”, ka thënë ai, duke shtuar se Ansambli të shtunën ka sjellë një pjesë historie, duke ngjallur te publiku ndjenjën kombëtare.

Para të pranishmëve, që nuk ishin në numër të lartë shkaku i masave kundër pandemisë, këngëtarja Mirvete Bajrami-Haziri ka interpretuar “Këngë për Agim Ramadanin”. Riza Bytyçi bashkë me korin ka bërë që të jehojë kënga “Prite Azem Galicëm”. E Liridon Sadriu është kthyer para publikut me këngën hit “3000 vjet me plis të bardhë”. Interpretimi i tij virtuoz ka bërë që salla të marrë tjetër ngjyrë muzikore. Këngët kanë përfunduar me “Mora fjalë”, interpretuar nga Majlinda Cikaqi.

Udhëheqësi artistik i Ansamblit, Ylber Asllanaj, ka thënë se është dashur punë më e madhe që të kthehen në skenë pas një pauze jo të dëshiruara.

“Jemi mundur që të sjellim historinë qysh prej vitit 1944 e këndej. Është një koncert festiv, që me rastin e Ditës së Flamurit dhe nëpërmjet këngëve e valleve shpaloset tradita jonë e po ashtu edhe përshkrimi i historisë nëpërmjet artit”, ka thënë ai.

Solisti i “Shotës”, Besnik Grajçevci, ka thënë se ka qenë tejet i emocionuar në skenë. Te “Lulet e Marsit” ai bartë barrën kryesore. Është personazhi i Adem Jasharit.

“Jam tejet i emocionuar, por edhe i kënaqur që kemi mundësi që në këto ditë të rëndësishme kombëtare të sjellim para publikut ngjarje historike e po ashtu edhe traditën tonë folklorike”, ka thënë Grajçevci.

Vallja “Festa e Bashkimit”, me koreografi të Fehmi Shaqirit, ka prekur edhe më zellin e festës. Bashkimi kombëtar mbetet njëfarë dëshirë e madhe ende në popullin shqiptar të ndarë në shtet të ndryshme. Matjet e opinionit publik jo rrallë nxjerrin statistika, që deri në 80 për qind e banorëve të Kosovës dhe Shqipërisë e përkrahin bashkimin. Vallja në vete është një kombinim i hapave të trevave të ndryshme. Përtej kësaj, ajo është luajtur në ditën kur Kosova e Shqipëria janë marrë vesh për aktivitete të përbashkëta kulturore. Të shtunën janë nënshkruar marrëveshje ndërinstitucionale, që vendet të kenë projekte të përbashkëta artistike. E “Festa e Bashkimit” ka kulmuar me duartrokitje të gjata të publikut si mirënjohje ndaj “Shotës” për lojën artistike.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *