“Është kryeministri më rrenacak që kemi pasur”, Edi Rama ‘harron’ banorët e Mallkuçit
30 kilometra nga Tirana, në fshatin Mallkuç dhjetra banorë qëndrojnë ende në çadra, pasi kanë humbur shtëpitë e tyre nga tërmeti i 26 Nëntorit të vitit 2019.
Fax News ka udhëtuar drejt kësaj zone, ku është njohur me disa raste ku familjet jetojnë në kushte mesjetare, në pritje që qeveria të realizojë premtimet për ti bërë me shtëpi të reja.
Martin Jaku së bashku me gruan dhe dy fëmijët e tij jeton në dy çadra, në njërën prej tyre flejnë dhe në tjetrën qëndrojnë gjatë ditës.
Djali i madh i familjes është larguar kohët e fundit në emigrim, me shpresën e gjetjes së një zgjidhjeje për prindërit dhe motrat e tij më të vogla.
Nëse hidhni një sy në profilin e kryeministrit Edi Rama në rrjetet sociale, aty padyshim nuk do të shihni pamjet se ku banojnë familja Jaku dhe të tjerë bashkëvuajtës.
“Këto dy vite kanë qenë shumë të vështira, dëmet e para i kemi pasur që prej tërmetit të Shtatorut, gruan e kam të sëmurë, presim tani për shtëpi, nga ato grante që na i dha e gjithë bota të marrim dhe ne shtëpi. E kisha bërë me forcat e mia shtëpinë, isha futur bashkë me Bubqin në banesa, pse nuk mi kanë dhënë lekët, që ta bëja vetë shtëpinë.
Përgjigja që na japin nga komuna është se nuk dinë gjë, e di vetëm kryeministri dhe ministri. Na pyetën ku e doni shtëpinë, banesat në Bubq janë ndarë të gjitha, shkuam kur u hodh shorti dhe na thanë keni ardhur kot. Të shkojnë të verifikojnë si janë marrë ato shtëpi, ka njerëz që kanë marrë shtëpi dhe po bëjnë pazar, pasi e kanë pasur shtëpinë e re dhe jo të dëmtuar.
Me banesë të re duhet të ishim futur brenda dhjetorit të kaluar, fjalët i kemi pasur të ëmbla ne, gruaja ka kaluar Covidin në gjendje shumë të rëndë, si nuk na pyeti një njeri i shtetit sesi po e kalonim këtë situatë, pse detyrë e juaja është që të vini këtu dhe unë të ankohem te ju? Është detyrë e shtetit. Është vuajtje dhe sakrificë shumë e madhe”, tha për gazetarin Fatjon Gjinaj Martin Jaku, kryefamiljar.
Bardhok Jaku është një tjetër kryefamiljar që jeton në kontenier, dhe sot edhe kësaj dite nuk ka marrë banesë të re.
“Kontenierin ma ka sjellë gazetari Aulon Kalaja, bashkë e një fondacion gjerman, në verë është vapë, në dimër është shumë ftohtë, edhe 7 batanije po të hudhësh.
Çuni me 5 kalamaj ka ikur në Fushë Krujë. Jemi më keq se ushtria, çadra është kalbur komplet, i kemi firmosur komunës për atë. Unë jam takuar në Bubq me Ramën, i kam folur si diktator që është, si hajdut që është.
Nuk më ka bërë as shtëpi asgjë, në Mallkuç nuk është ndërtuar asnjë shtëpi, asnjë themel nuk është hedhur. Si me e pas për inat me ne. Këtu përveç gazetarëve nuk ka ardhur asnjë, as Bashkia, as komuna. Ne me bo me vdek nesër, Edi Rama do të thojë nga Covidi, në fakt shtëpia është shumë e rëndësishme, ai është kryeministri më rrenacak që kemi pasur.
Shkolla e re është bërë, por këtu nxënës nuk ka. Nxënësit ikin në këmbë çdo ditë dhe e bëjnë shkollën në Fushë Krujë”, u shpreh Bardhok Jaku.
Ndërkohë që në kushte të vështira jeton dhe 94-vjeçarja, nëna Manushe, e cila qëndron në një banesë me dëmtim DS4.
Ajo tregon se për 3 muaj ka qëndruar në makinë, dhe tashmë është futur në banesën e cila është në rrezik shembje, dhe mund të rrezikojë jetët e tyre./faxnews/
Rruga Press