SHBA/ Nju Jorku shpall gjendjen emergjente pas rritjes së rasteve me Covid
Guvernatorja e shtetit të Nju Jorkut në ShBA, Kathy Hochul, të premten shpalli gjendjen emergjente, pasi shkalla e infeksioneve ka arritur në nivelin që nuk është parë që nga prilli i vitit 2020, duke theksuar gjithashtu se varianti i ri i koronavirusit, i cili së pari u shënua në Botsvanë të Afrikës, “është duke ardhur”.
Më herët të premten, Shtetet e Bashkuara u ndaluan fluturimet nga tetë shtete të pjesës jugore të Afrikës në përpjekje për ta parandaluar ardhjen e variantit të ri, që i është vënë emri “Omicron”. Vendimi për ndalimin e fluturimeve hyn në fuqi të hënën, shkruan Daily Mail.
Guvernatorja Hochul tha se të gjitha procedurat jourgjente mund të shtyhen duke filluar nga 3 dhjetori, nëse kapacitetet e lira të spitaleve bien në nivel të ulët të rrezikshëm. Ajo vendosi që nëse një spital ka më pak se 10 për qind të shtretërve të lirë, do t’i lejohet anulimi i procedurave jourgjente ose që bëhen me zgjedhje.
Ajo lëshoi një deklaratë të emergjencës së fatkeqësive, duke theksuar se përhapja e Covid-it është në një nivel që nuk është parë nga prilli i vitit 2020. Shpallja e kësaj deklarate zhbllokon kompetenca të gjera për guvernatoren që të marrë masa emergjente, pa miratimin e zakonshëm nga kongresi shtetëror.
“Po vazhdojmë të shohim shenja paralajmëruese të rritjes së Covid-it këtë dimër dhe përderisa varianti i ri, “Omicron”, ende nuk është shënuar në Shtetin e Nju Jorkut, ai është duke ardhur”, shkroi në një rrjet social guvernatorja Hochul.
Rruga Press