I plagosuri në Gllogjan është në gjendje të qëndrueshme
Zëdhënësi i Spitalit Rajonal të Pejës, Naim Sahiti ka thënë se gjendja e të plagosurit të mbrëmshëm në Gllogjan të Deçanit është stabile.
Sahiti ka thënë për Telegrafin se viktima është operuar mbrëmë.
“Mbrëmë është operu, gjendja e tij është stabile, ka qenë i plagosur në këmbë”, tregoi ai.
Ndryshe, mbrëmë rreth orës 19:00 është sulmuar me armë zjarri një autobus në Gllogjan të Deçanit, ku të vrarë kanë mbetur tre persona, shoferi dhe dy nxënës.
Autori i krimit ka qenë i maskuar, ndërkohë Policia është në kërkim të tij.
Policia përmes raportit 24 orësh, ka njoftuar se autobusi është sulmuar me armë zjarri që dyshohet të jetë AK-47, transmeton Telegrafi.
“Është raportuar se një autobus derisa ishte duke bartur udhëtarë (nxënës) është sulmuar me armë zjarri (dyshohet të jetë AK-47) nga një i dyshuar i panjohur. Në këtë rast lëndime vdekje-prurës ka pësuar drejtuesi i autobusit, viktima mashkull kosovar, vdekjen e të cilit e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes. Ndërsa tri viktima, dy meshkuj dhe një femër (nxënës) janë dërguar në Spitalin Rajonal Pejë, dy prej tyre kanë ndërruar jetë (një mashkull dhe një femër ) ndërsa viktima tjetër është duke u trajtuar në spital”, thuhet në njoftimin e Policisë.
RrugaPress