Ministri Mehaj dhe Komandanti i FSK, gjeneral Rama homazhe tek Kompleksi Memorial “Adem Jashari”
Në kuadër të manifestimit të shënimit të Ditës së Forcës, 27 Nëntorin, ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, i shoqëruar nga zëvendësministrat Shemsi Syla dhe Adnan Rexheplar, Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, u.d. Sekretarja e Përgjithshme, Fahrije Sadiku, zyrtarë të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes, gjeneralë dhe oficerë të FSK-së, bënë homazhe pranë varrit të komandantit legjendar, Adem Jashari dhe familjes Jashari, në Memorialin përkujtimor në Prekaz.
Me këtë rast, ministri Mehaj u shpreh se duke respektuar të kaluarën tonë të lavdishme, gjakun e derdhur të familjes Jashari, dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe gjithë dëshmorëve të rënë për liri, garantojmë të ardhme të sigurt të vendit dhe do të jetë burim frymëzimi të atdhedashurisë për brezat e ardhshëm.
Ndryshe, Forca e Sigurisë së Kosovës, me rastin e Ditës së Forcës sot duke filluar nga ora 11:00 deri në ora 14:00 organizon “Ditën e Hapur”.
Manifestimi qendror do të jetë në Kazermën “Adem Jashari” në ora 10:00, ku do të marrin pjesë udhëheqësit më të lartë shtetërorë.
Në të njëjtën ditë, në të gjitha kazermat e FSK-së si në: Prishtinë, Mitrovicë, Istog, Gjilan, Prizren, Ferizaj dhe Pomozotin, para qytetarëve të pranishëm do të ekspozohen dhe demonstrohen aftësitë dhe kapacitetet ushtarake e FSK-së të shoqëruara edhe me aktivitete tjera.
“Dita e Forcës na ofron mundësinë të falënderojmë dhe shprehim mirënjohjen më të lartë për qytetarët, të cilët janë mbështetësit tanë më të fuqishëm”, thuhet në njoftim./telegraf/
RrugaPress