Lajme

Sportistët dhe indiferenca e shtetit: “Ne sjellim medalje, por marrim thërrime…”

Kujtojmë, se për miratimin e ligjit të sponsorizimeve, anëtaret e Ligës Profesioniste të Futbollit, bojkotuan para një viti për disa muaj zhvillimin e kampionatit shqiptar të futbollit, derisa morën premtimin se ky ligji do të miratohej përpara zgjedhjeve parlamentare në prill 2021. Por deri tani nuk asgjë nuk është bërë

 Janë të shumtë sportet shqiptare që janë lënë në harresë, ose që mbijetojnë në kushte shumë të vështira. Një prej këtyre sporteve që praktikohet është bilardo. Edhe pse më së shumti shumë njerëz e shohin si një lojë për t’u dëfryer dhe kaluar kohën e lirë, ky sport nuk është i tillë për të talentuarin kurbinas Eklent Kaçi, i cili vetëm pak muaj më parë u shpall kampion bote në bilardo.

Edhe pse vetëm 22 vjeç, Kaçi përveç se është shpallur kampion bote, ka kryesuar për shumë muaj renditjen botërore të bilardos. Gjithashtu ai ka qenë pjesë e përfaqësuesve të Europës në kompeticionin madhor “Mosconi Cup”, një kompeticion që zhvillohet midis 5 bilardistëve më të mirë të Europës dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Por edhe pse ka fituar edhe shumë tituj dhe turne, si në Europë dhe në botë, 22-vjeçari nuk ka marrë asnjë mbështjetje nga shteti shqiptar.

“Kam fituar tituj botëror, europiane dhe shumë turne nëpër botë dhe vazhdoj të shkoj me shpenzimet e mia, të paktën udhëtimet për kampionatet e rëndësishme botërore, evropiane, duhet t’i financojë shteti sepse po ia ngre vlerat flamurit, më lart nuk ka se kampion ose i pari në botë në renditje”,- shprehet Kaçi për Qendrën Shqiptare për Gazetari Cilësore.

Kampioni kurbinas jep një mesazh ndaj shtetit Shqiptar, duke u shprehur se po mendon të përfaqësojë një shtet tjetër nëse kjo gjë nuk ndryshon. “Mesazhi im drejt institucioneve shtetërore, është që të paktën sportistët elitar me tituj botërorë duhet t’i suportojë. Mos të isha unë bilardo në Shqipëri do ishte e vdekur, tani e di gjithë bota Shqipërinë kur përmendet bilardo. Mund të përfaqësoj cilindo shtet që dua unë, se kisha në plane si alternativë, por këto kohët e fundit po e mendoj për të luajtur për një shtet tjetër”,- e mbyll intervistën kampioni i botës në bilardo.

Kaçi nuk do të ishte rasti i parë, pasi peshëngritësi Elis Guri, vendosi të përfaqësonte një shtet tjetër, pasi nuk kishte asnjë përkrahje financiare nga shteti shqiptar. Ai vendosi që të përfaqësonte shtetin e Bullgarisë, ku arriti të siguronte edhe medalje si në kampionate europiane dhe botërore.

Një tjetër sport, i cili ka filluar të praktikohet vitet e fundit në Shqipëri është edhe kick-boksi, një art marcial që ka shkrirë dy sporte të njohura, siç janë sporti dhe karateja. Përpjekjet për ta përhapur në vendin tonë këtë sport kanë qënë pothuajse shumë të vogla dhe janë të paktë ata sportistë që kanë korrur suksese, apo janë bërë të njohur duke u marrë me kick-boks. Janë të shumtë ata që e konsiderojnë kick-boksin si një sport për meshkuj, por në fakt në Shqipëri ka ndodhur e kundërta, pasi vendi ynë ka një kampione Europe në këtë sport. Bëhet fjalë për Ilda Lelon, e cila që prej vitit 2019, mban titullin e kampiones së Europës në peshat 60 kg, stili K1 dhe nënkampione bote 62,5 kg, stili LowKick.

Edhe pse ka fituar këto tituj, as 28-vjeçarja nuk ka marrë përkrahje nga shteti shqiptar, çka ka bërë që në shumë kompeticione të mos marrë pjesë.“Rreth 4 vite kam që garoj si profesioniste, por për fat të keq eksperiencat nuk kanë qenë aq sa duhet për kaq kohë për shkak të vështirësisë ekonomike për të marrë pjesë në gara ndërkombëtare. Pas kaq vitesh në këtë sport pavarësisht rezultateve dhe pjesëmarrjeve në shumë aktivitete kombëtare dhe ndërkombëtare nuk kam pasur asnjë mbështetje nga ministria përkatëse”, shprehet Lelo.

Në nenin 27, të Ligjit për Sportin, i miratuar nga qeveria shqiptare në vitin 2017, thuhet se:

  1. Sportistët që përfitojnë statusin e nivelit të lartë, sipas rezultateve sportive në veprimtaritë ndërkombëtare zyrtare : “rekord olimpik”, “rekord botëror”, “rekord europian”, “rekord mesdhetar”, “rekord ballkanik”, “vendi i parë deri në të tetin në Lojërat Olimpike”, “vendi i parë deri në të tetin në kampionate botërore” dhe “vendi i parë deri në të gjashtin në kampionate evropiane”, përfitojnë trajtimin, shpërblimin dhe integrimin në sistemin arsimor me drejtim sportiv, sigurisë kombëtare dhe mbrojtjes, punësimin në strukturat e Ministrisë së Mbrojtjes dhe Ministrisë së Brendshme”.

Por, kampionia e Europës thekson se ka bërë edhe kërkesë në Ministrinë e Arsimit, apo edhe në KOKSH, por nuk ka marrë asnjë përgjigje. Sipas Lelos, mos mbështjetje e shtetit ndaj sporteve të vogla penalizon shumë të rinj të talentuar.

Lexo më shumë  FOTO/ Sulmi mbi Komunën e Zveçanit, dalin pamjet e dëmeve të shkaktuara

“Kemi kerkuar, duke u bazuar tek ligji për arritjet sportive. Kemi dërguar kërkesë në ministri apo në KOKSH, por na kanë përcjellë me fjale të bukura siç dinë më së miri disa nga ata që janë në poste drejtuese të cilët nuk kanë aspak lidhje me sportin, por janë rastësisht në ato pozicione pune. Është për të ardhur keq sepse Shqipëria ka shumë të rinj të talentuar që kanë nevojë për një mbështetje të cilën shteti ynë mund ta perballojë më së miri dhe feedback-u që do të marrë mbrapsht prej tyre do të jetë dyfish më i madh”,- thekson 28-vjeçarja nga Vlora.

Në fund Lelo, ashtu edhe siç talenti në bilardo, ka një mesazh ndaj shtetit shqiptar. “Sporti është jetë, është shëndet, kulturë, është disipline, edukatë. Duke investuar në sport nuk ka humbje, por vetëm përfitime si emocionale, fizike ashtu edhe monetare. Duke mbështetur sportin i jep jetë një vendi, edukon të ardhmen. Sporti është po aq i rëndësishëm sa shkolla në jetën e gjithësecilit”,– e mbyll kampionia e Europës në kick-boks.

Sakaq, trajneri i kombëtares shqiptare të boksit, Zef Gjoni, e cilëson sportin e boksit si më të persekutuarin dhe ndihma që jep shteti është më shumë si një thërrime.

“Neve na bëhet persekutim, me gjithë ato kampione Europe dhe botë që kemi nxjerre ne, neve shteti duhet të na jepte mbështetjen maksimale, sidomos ekonomike, sepse ato që japin ato janë lëmoshë, boksieret jëtojnë me këtë sport, por vetëm këtu te ne, ndodh që të jenë më të varfërit. Pa llogaritur pastaj pjesën e infrastrukturës që është është ku thërret kiameti, në kushtet ku stërviten boksierët tanë janë vërtet heronj që arrijnë të konkurrojnë përballë kundërshtarëve që i kanë të gjitha kushtet e siguruara”,- shprehet Gjoni për ACQJ.

Ai thekson se kanë bërë shumë kërkesa si në Bashkinë e Shkodrës, por edhe në instancat e tjera shtetërore, por kanë marrë vetëm premtime boshe. “Kemi bërë kërkesa te Bashkia e Shkodrës, në Ministrinë e Sportit e në të gjitha instancat e tjera shtetërore, kemi marrë lëvdata për punën që kemi bërë, por kur vjen puna për mbështjetje financiare aty stepen, pasi boksieret tanë mund të them se janë më të varfërit në Evropë dhe nuk trajtohen ashtu siç e meritojnë”,- e mbyll trajneri i kombëtares shqiptare të boksit.

A ka ardhur koha për miratimin e ligjit të sponsorizimeve?

Gazetari sportiv Ervin Baku thotë se është një skandal i madh që sportistët tanë nuk marrin mbështetjen e duhur. “Është skandal që sportistët tanë nuk marrin mbështetjen e duhur ekonomike dhe përkrahjen në përfaqësimin e Shqipërisë në aktivitetet ndërkombëtare. E shikoj si një skandal të madh dhe paturpësia më e madhe është se pastaj kur bëhen të suksesshëm, politikanët tanë që nuk kanë bërë asgjë për sportin, i urojnë dhe marrin meritat për arritjet e këtyre sportistëve, është skandal. Është një skandal shumë shumë i madh që duhet rregulluar një orë e më parë, sepse ata përfaqësojnë Shqipërinë, ngrejnë flamurin tonë kombëtar dhe ata duhet të trajtohen ashtu siç e meritojnë dhe jo të shkojnë me lekë xhepi atje, është një turp shumë i madh”,- thotë Baku.

Gazetari Baku shprehet se rrezikohet që t’i humbasim këta sportistë dhe se zgjidhja e vetme mund të ishte miratimi i ligjit të sponsorizimeve. “Ne rrezikojmë që t’i humbasim këta sportistë dhe me të gjithë të drejtën e Zotit ata mund të zgjedhin një shtet tjetër sepse njeriu një jetë ka, nuk kemi nevoje të marrim shembujt e shteteve të mëdha si Franca apo Gjermania, mjafton të marrim rastin e Kosovës dhe vetëm ligji i sponsorizimit e rregullon edhe i jep një frymëmarrje fantastike sportit shqiptar”, – vlerëson gazetari sportiv.

Ndryshe nga Baku, presidenti i Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH), Fidel Ylli, njëkohësisht edhe relatori i ligjit të sportit, thekson se ky ligj është në fuqi dhe se kush sportist ka arritje edhe në bazë të nenit 27 të Ligjit të Sportit merr shpërblim dhe statusin e sportistit elitar.

“Nuk ka çfarë të mendojë KOKSH, sepse këtë e ka menduar ligji, pra ligjëvenësit kanë vënë në parlament që kush del kampion sipas nënit 27 të ligjit të sportit, janë sportistë elitarë, e thotë ligji, nuk e thotë komiteti, relatori i ligjit kam qenë unë dhe ligji është në fuqi dhe ligji thotë kush sportist ka këto rezultate në këto aktivitete quhet sportist elitar, fiton shkollën pa konkurs, merr shpërblim në bazë të vendimit të qeverisë që ka caktuar shumën dhe merr të gjitha pensionet, siguracionet që ka një sportist elitar. Kjo tashmë është e vendosur me ligj, nuk është më as me dëshirën e ministrit, kryeministrit apo komitetit”, – shprehet Ylli.

Lexo më shumë  Kurti uron Von der Leyen: Mezi presim të punojmë së bashku për ta çuar Kosovën drejt anëtarësimit

Ylli thekson se duhet më shumë bashkëpunim midis institucioneve.“Ne këta sportistë na bëjnë krenarë, dhe ne jemi të detyruar që të kemi një bashkëpunim institucional, pra komiteti olimpik, federate, ministri, qeveri që këta sportistë të përfaqësojnë Shqipërinë se janë ambasadorët tanë më të mirë”,- thekson presidenti i KOKSH-it.

Sakaq edhe presidenti Ylli e vë rëndësinë tek ligji i sponsorizimit, i cili duhet të miratohet sa më shpejt nga qeveria. Sipas tij tërmeti dhe pandemia ka ndikuar që qeveria të mos fokusohet te sporti.“Unë e kam ngrit me të madhe, ky ligj është akoma pezull, është në dorën e qeverisë, ishte fati jonë i keq i tërmetit dhe pandemisë që nuk u pa vëmendja e duhur tek sporti, por u pa tek shëndeti i njerëzve, tek vdekjet që po ndodhin, tek buxheti që duheshin për vaksinat. Por ky ligj është në tavolinën e qeverisë edhe unë përsëri do të inicioj që të ketë mundësi që të lëvizi, sepse ne nuk mund të kërkojmë më lëmoshë nga ana e qeverive, apo nga ana e ministrisë me ato buxhete minimale që jepet për sportin. Ne duhet ta bëjmë sa më shpejt sepse ligji i sponsorizimeve do na sjellë shumë para”,- e mbyll intervistën për ACQJ, kreu i KOKSH-it, Fidel Ylli.

Kujtojme se për këtë ligj, anëtaret e Ligës Profesioniste të Futbollit dhe Federata Shqiptare e Futbollit bojkotuan para një viti për disa muaj zhvillimin e kampionatit shqiptar të futbollit, derisa morën premtimin se ky ligji do të miratohej përpara zgjedhjeve parlamentare në prill 2021. Madje edhe ish-deputeti Ylli në një intervistë për emisionin “31 Minuta” në TVSH në janar 2021, premtonte se ky ligj do të miratohej brenda 6 muajve, përpara krijimit të qeverisë së re.

Edhe për trajnerin e kombëtares së boksit, Zef Gjoni, ligji i sponsorizimeve do të sillte frymëmarrje për sportin, pasi asnjë kompani nuk afrohet për të dhënë para, kur nuk merr diçka mbrapa, sado kampion i madh të jetë ai. Por edhe pse ky ligji është miratuar që në 2017, edhe sipas Yllit funksionon plotësisht, vetëm 9 sportistë rezultojnë sipas Ministrisë Arsimit, Sportit dhe Rinisë që të kenë përfituar nga ligji për sportin dhe cilësohen si sportisë elitarë.

Sipas Ministrisë së Arsimit dhe Sportit në dy vitet e fundit kanë përfituar nga ky ligj tre sportistë dhe trajnerët e tyre. “Për vitin 2020-2021 pranë MAS janë paraqitur 5 kërkesa nga sportistët Briken Calja, Bajram Sina dhe Santiago Selimaj, si dhe trajnerët e tyre Sokol Bishanaku, Gerald Toska, Altin Bulku dhe Gëzim Zeneli, të cilët kanë arritur rezultate të larta dhe që përfitojnë shpërblime të parashikuara në VKM-së nr. 687 datë 14.11.2018 “Për kriteret, mënyrën e shpërblimit dhe përfitimin e trajtimit për përgatitjen sportive të sportistëve, që përfitojnë statusin e nivelit të lartë”. Kërkesat vijnë nga Federatat përcaktuese në bazë të VKM-së nr. 687 datë 14.11.2018 “Për kriteret, mënyrën e shpërblimit dhe përfitimin e trajtimit për përgatitjen sportive të sportistëve, që përfitojnë statusin e nivelit të lartë”, pra të cilat janë brenda kuadrit ligjor në fuqi. (në tabele janë dhe kërkesat). Janë gjithsej 5 kërkesa të ardhura, të cilat janë finalizuar”, thuhet në përgjigjen zyrtare të MAS-it.

Lista e sportistëve dhe trajnerëve që kanë përfituar për 2 vitet e fundit ACQJ kërkoi të bëntë intervistë me zyrtarët e lartë të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit por mori përgjigje negative.

Një tjetër sportist që pritet t’i shtohet kësaj liste është edhe boksieri Alban Beqiri, i cili arriti të siguronte një medalje në Kampionatin Botëror të zhvilluar në Serbi. Beqiri arriti të siguronte një medalje të bronxtë në kategorinë 71 kilogramë. Por edhe pse u prit më shumë vlerësime nga KOKSH, boksieri Beqiri theksoi për ACQJ se shkoi në Serbi pa staf dhe se u detyrua të paguante një fizioterapist të një stafi tjetër për ta ndihmuar.

“Në asnjë aktivitet ne nuk kemi staf mbështetes, as mjek, as fizioterapist dhe në këtë botëror duheshin patjetër. Jam detyruar të paguaj një fizioterapist të një stafi tjetër për të më ndihmuar në ndeshjet që kisha. Ne duhet të kishim një përgjegjës për këto gjëra, që t’i menaxhoj të ishte me ne”,- u shpreh Beqiri për ACQJ.

Të shumtë kanë qënë sportistët kampionë që kanë fituar medalje apo janë shpallur kampionë në fushat e tyre gjatë dekadës së fundit, por përherë këto janë shoqëruar me kritika nga sportistët dhe trajnerët e tyre për mungesë mbështetje nga shteti./dosja/

RrugaPress

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *