Lajme

Kurti: Së shpejti fillon faturimi i rrymës në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës

Deputetja Time Kadriaj në seancën e Kuvendit të Kosovës ka pyetur kryeministrin Albin Kurti se kur do të filloj faturimi i energjisë në veri në deklarimin jashtë rendit të ditës.

“Sa ishit në opozitë keni akuzu për këtë temë. Kur do të filloj faturimi në pjesën veriore”, tha Kadrijaj.

Kryeministri Kurti iu përgjigj deputetes Kadriaj duke thënë se faturimi i rrymës në katër komunat me popullatë shumicë serbe në veri të Kosovës, do të fillojë së shpejti.

“Kemi qenë kritik kur kemi qenë opozitë dhe sot kemi trashëguar gjendje e cila na ka vërtetu se kemi pas të drejtë. Janë bërë dakordime të pafavorshme për Kosovën në Bruksel dhe po i vuajmë pasojat tani. Argumentet kryesore kundër nesh në Bruksel janë dakordimet e qeverive paraprake. Nuk do të dëshiroja të jem në këtë gjendje. Shpejtë do të vij dita e faturimit në veri”, është deklaruar Kurti.

Lexo më shumë  Procesohet subvencioni i energjisë elektrike për faturat e muajit nëntor

Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës ka ndërprerë mbulimin e shpenzimeve të energjisë elektrike në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës me 6 nëntor të këtij viti për shkak se ka skaduar marrëveshja me Qeverinë e Kosovës.

Marrëveshja kishte paraparë të lirojë Qeverinë e Kosovës nga pagesa e 11 milionë eurove për pagesën e rrymës së katër komunave veriore. Qeveria e Kosovës në bazë të marrëveshjes ka qenë e obliguar që brenda 6 muajve të sigurojë të gjithë procesin e futjes në sistemin e faturimit konsumatorët e në katër komunat e veriut të Kosovës. Qeveria, ndonëse ishte votuar një rekomandim i tillë në Parlamentin e Kosovës, nuk ka përmbushur këtë rekomandim.

Lexo më shumë  Ushtarët e KFOR-it kryejnë stërvitje për operacione evakuimi

Gjatë ditës së djeshme, KOSTT ka reaguar ndaj deklaratave të zëvendëskryeministres serbe se komunat veriore të Kosovës furnizohen me rrymë nga Serbia që nga viti 2020. Sipas KOSTT, qytetarët në veri të Kosovës furnizohen nga ky operator dhe se furnizimi bëhet vetëm nga operatorët e licencuar nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë.

Zëvendëskryeministrja e Serbisë dhe ministrja e Minierave dhe Energjisë Zorana Mihajloviq dje kishte deklaruar se vendimi i operatorit të sistemit të transmisionit të energjisë elektrike në Kosovë që të mos mbulojë shpenzimet e energjisë elektrike në katër komuna të Kosovës, ku shumica janë serbë, është presioni më brutal ndaj popullatës serbe.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *