Argument

A e meriton ky shtet emrin “Shqipëri” dhe Kryeministri e Presidenti i këtij shteti emrin “shqiptar”?!

Dje ndodhi një nga tragjeditë më të mëdha të viteve të fundit te shqiptarët. Ishte kjo vdekja e 46 njerëzve në rrethanat më të tmerrshme, djegie brenda në autobusin që po kthehej nga Stambolli për në Shkup, por që arriti vetëm deri në Bullgari ku edhe ndodhi aksidenti.

Shteti i Maqedonisë së Veriut shpalli tre ditë zie në nder të viktimave që ishin qytetarë të saj. Poashtu, duke qenë se aksidenti ndodhi në Bullgari shteti bullgar vendosi të shpallë ditë zie poashtu, si dhe e nisi mbledhjen qeveritare me një minutë heshtje.

Mbrëmë Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani shpalli ditë zie për të nderuar viktimat shqiptare të aksidentit, e po sot, Qeveria e Kosovës mbajti një minutë heshtje.

Po sot, ishte edhe Parlamenti Evropian me në krye presidentin e parlamentit David Sassoli që heshtën për një minutë në shenjë solidarizimi me ata që humbën të afërmit, si dhe për të nderuar viktimat e aksidentit tragjik.

Këto reagime nga Bullgaria dhe Parlamenti Evropian tregojnë përmasën e madhe të aksidentit, ashtu siç tregojnë aspektin humanist të ndjekur me gjeste solidarizimi në lidhje me rastin.

Përveç këtij aspekti reagimi i Kosovës tregon se në këtë tragjedi ka edhe një përmasë (mbarë)kombëtare, duke shpehur solidaritet brenda kombit tonë.

Krejt ndryshe nga këta që përmendëm, shteti i Shqipërisë me Ramën Kryeministër dhe Metën President, nuk ka ndërmarrë këtë hap solidarizimi humanist dhe kombëtar.

Dje patëm një tragjedi kombëtare në trafik, ku mbetën të vdekur 46 shqiptarë, kurse sot kemi një dramë kombëtare politike, ku shteti shqiptar sillet me një neutralitet të pështirë në drejtim të bashkëkombasve jashtë kufijve administrativ.

Edhe pse Rama “harroi” t’i nderojë viktimat shqiptare si institucion dhe institucionalisht, ai nuk harroi që si individ dhe kryeministër të marrë pjesë sot në mbledhjen e projektit aq të dyshimtë Open Balkan, ku dhe u duartrokit zellshëm nga parlamenti serb.

Marrë parasysh këto, a e meriton ky shtet emrin “Shqipëri”, të cilin e mban mbi supe, dhe kryeministri e presidenti i këtij shteti emrin “shqiptar”?!

©Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *