Parlamenti Europian i jep goditjen e fundit projektit të Superligës
Projekti i Superligës ose më saktë klubet që kanë mbetur ende me ëndrrën për të krijuar Superligën e Europës kanë marrë një goditje të fortë nga Parlamenti Europian.
Vetëm Barcelona, Real Madrid dhe Juventus janë klubet që ende shpresojnë se mund të realizohet një projekt i tillë sportiv ndërsa pas ditës së sotme, ata pothuajse do ta kenë të pamundur ta realuzojnë atë që kanë menduar.
Në seancën e sotme të Parlamentit Evropian u miratua raporti për politikën sportive në Bashkimin Evropian, një dokument që përmban një mesazh të ashpër kundër filozofisë me të cilën u krijua Superliga dhe që vë në dukje se kërcënon ekosistemin dhe stabilitetin e sportit.
Mesazhi nga PE i cili tregon unitetin pothuajse total të Bashkimit Evropian kundër Superligës, u mbështet me 597 pro, 36 kundër dhe 55 abstenime.
Në këtë dosje të miratuar saktësohet se Europa do të përpiqet të promovojë një sërë parimesh që do të bien ndesh me filozofinë e Superligës, inskenimi i parë i së cilës ishte i një gare embyllur dhe jashtë rregullave të UEFA-s.
Kështu thuhet në pikën 13 të raportit të votuar në Parlament: “Mbrohet një model evropian i sportit që njeh nevojën për një angazhim solid ndaj integrimit të parimeve të solidaritetit, qëndrueshmërisë, përfshirjes, konkurrencës së hapur, meritës sportive dhe barazisë. dhe rrjedhimisht kundërshton me forcë garat e ndara që minojnë këto parime dhe rrezikojnë stabilitetin e ekosistemit sportiv në përgjithësi; thekson se të gjithë aktorët e sportit dhe autoritetet kombëtare duhet të promovojnë këto parime”.
Dokumenti e thotë shumë hapur se nuk do të pranohet kurrë një eveniment i tillë në futbollin europian që do të thotë se Superliga dhe ajo çfarë ka mbetur nga projekti duhet të heqin dorë ose të riformatojnë gjithçka nga e para./Ora/
RrugaPress