Bota

Ekspozita “Kujdes, snajper” tregon historitë tragjike të rrethimit të Sarajevës

Një ekspozitë multimediale e krijuar nga Paul Lowe përdor fotografi, modele 3-D dhe dëshmi dëshmitarësh për të eksploruar histori nga “Rrugica e snajperëve” të Sarajevës gjatë rrethimit të kryeqytetit boshnjak në vitet 1992-1995.

Ekspozita multimediale “Kujdes, snajper!” u hap në Muzeun Historik të Bosnjës dhe Hercegovinës të enjten – në përvjetorin e vrasjes së Nermin Divoviç, një djali shtatëvjeçar i vrarë nga një snajper më 18 nëntor 1994.

Fotografi fitues i çmimeve të ndryshme me bazë në Sarajevë, Paul Lowe, i cili krijoi ekspozitën, tha se ajo ishte rezultat i një kërkimi disa vjeçar i cili u financua pjesërisht nga BIRN si pjesë e një projekti për të eksploruar arkivat e Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë në Hagë.

Lowe tha për publikun në eventin e hapjes së ekspozitës se në arkivat e Gjykatës së Hagës për krime lufte, ai gjeti dëshmi nga një ekspert holandez i cili kishte qenë një snajper profesionist dhe kishte dëshmuar kundër komandantëve serbë të Bosnjës.

“Ajo për të cilën ai foli si snajper profesionist ishin taktikat e sulmit me snajper, për armët që u përdorën, vendndodhjet e snajperëve që përdorën forcat serbe – dhe është një rrëfim vërtet rrëqethës se si një snajper profesionist i shikon dhe se si këto ishin sulme të qëllimshme ndaj civilëve”, tha Lowe.

Lexo më shumë  Një epokë e re në bashkëpunimin ushtarak: Ja se si vendet anëtare të BE-së “po bashkohen për një mbrojtje të avancuar”

Modelet tredimensionale në ekspozitë rindërtojnë zonën e njohur gjatë rrethimit të Sarajevës në vitet 1992-1995 si “Rruga e snajperëve”, e cila gjatë luftës në Bosnje ishte e mbushur me poste snajperësh, duke e bërë të rrezikshme kalimin e civilëve aty.

Ka gjithashtu imazhe nga rrethimi nga fotografët Ron Haviv, Rikard Larma, Paul Lowe, Enric Marti dhe Gervasio Sanchez, materiale që tregojnë historinë e nxënësit të vrarë Nermin Divoviç dhe sende personale të dhuruara nga njerëz që ishin në Sarajevë në atë kohë.

Trevor Gibson, i cili ishte vendosur si oficer i Kombeve të Bashkuara në Sarajevë, dhuroi uniformën që kishte veshur në ditën kur u vra Divoviç.

“Arsyeja pse vërtet pranova të nxirrja uniformën time dhe t’ia dhuroja atë muzeut është sepse mendoj se muzeu bën një punë të jashtëzakonshme për të mbajtur në qendër të vëmendjes së njerëzve atë që ndodh në të vërtetë kur përdoret gjuha e urrejtjes për interesat egoiste të politikanëve. Kjo përfundon me vrasjen e njerëzve thjeshtë, normalë”, tha Gibson.

Nermin Divoviç u vra kur ai dhe nëna e tij Dzenana Sokoloviç u vunë në shënjestër të sulmit me snajper ndërsa ktheheshin në shtëpi pasi kishin shkuar për të marrë dru për zjarr. Një plumb e preku Dzenanën në bark, i kaloi përmes në trup dhe goditi në kokë djalin e saj, duke e vrarë atë.

Dragomir Miloseviç, i cili ishte komandant i Korpusit të Sarajevës Romanija të Ushtrisë Serbe të Bosnjës në 1994 dhe 1995, u shpall fajtor nga Gjykata e Hagës për mbajtjen e përgjegjësisë për krimin.

Lexo më shumë  Shefja e Parlamentit të BE-së: Gjermania duhet t’ia dërgojë Ukrainës raketat Taurus

Elma Hasimbegoviç, drejtoreshë e Muzeut Historik të Bosnjës, tha se vdekja e Nermin Divoviç ishte një nga shumë tragjedi që ndodhën në “Rrugën e snajperëve”.

“Mendoj se kjo që po bëjmë sot është një lloj premtimi që do të marrim përsipër detyrën për të ruajtur kujtimet e tyre dhe për t’u siguruar, përmes muzeut, që historia për Nermin Divoviçit do të vazhdojë të prezantohet në mënyrën e duhur”, tha Hasimbegoviç.

“Kujdes, snajper” do të ekspozohet në Muzeun Historik të Bosnjë dhe Hercegovinës në Sarajevë deri në pranverën e vitit të ardhshëm.

Ekspozita është pjesë e skemës së granteve së Drejtësisë Tranzicionale të BIRN në Ballkan, e cila synon të inkurajojë profesionistë në fusha të ndryshme që të eksplorojnë arkivat e gjykatave që merren me gjyqet e krimeve të luftës në Ballkan. Ajo mbështetet gjithashtu nga Qendra Hulumtuese e Fotografisë dhe Arkivit, Universiteti i Arteve në Londër dhe Fondacioni VII./balkaninsight/


Foto: BIRN.


Foto: BIRN.


Foto: BIRN.


Foto: BIRN.


Ush-oficeri i Kombeve të Bashkuara Trevor Gibson. Foto: BIRN.


RrugaPress

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *