Bota

A po i mbyll dyert Kina Hollivudit?

Elizabeth Lee

Kina ka prodhuar filma me temë patriotike për audiencën e saj vendase, ndërkohë që ka forcuar kontrollin e industrisë së saj të filmit, zhvillime që e kanë lënë Hollivudin të dyshojë nëse filmat e tij do të jenë ende të mirëpritur në tregun fitimprurës të Kinës.

Iris Liu është aq e apasionuar pas krijimit të filmave, saqë u largua mijëra kilometra larg vendlindjes së saj në Kinë për të mësuar mjeshtrinë e kësaj forme arti.

“E dua filmin, kështu që vërtetë dua të shoh se si realizohet një film i vërtetë. Nuk ka vend më të mirë se Hollivudi për këtë”, thotë Iris Liu, studente e kinematografisë.

Liu po studion në Los Anxhelos, qendra e studiove të Hollivudit. Ajo sheh një ndryshim të madh mes mënyrës sesi Shtetet e Bashkuara dhe Kina i trajtojnë filmat. Liu thotë se Pekini ndalon filmat e Hollivudit me tema të caktuara, si për shembull vetë-eksplorimin.

“Këto lloj filmash janë të ndaluar në Kinë. Nuk e di arsyen. Ndoshta është për shkak se ata përpiqen t’i bëjnë të gjithë të mendojnë njësoj. Kjo është arsyeja pse ata nuk duan që njerëzit të shpenzojnë shumë kohë për të kuptuar veten”, thotë Liu.

Kina ka tërhequr audiencë me filma patriotikë. Në të njëjtën kohë, Pekini është duke e goditur industrinë e tij të argëtimit në një përpjekje për të ngushtuar hendekun mes të pasurve dhe të varfërve, thotë autori veteran i Hollivudit, Chris Fenton.

Lexo më shumë  Ndihma norvegjeze për Ukrainën do të arrijë në 2.7 miliardë dollarë në 2025

“Biznesi i stilit të Hollivudit që ata kopjuan në industrinë vendase ishte shumë teatral. Kishte shumë emra të mëdhenj, shumë demonstrim të pasurisë. // Dhe kjo po krijonte shumë armiqësi mes njerëzve që po i vinin re ato gjëra”.

Për vite me radhë, kompanitë amerikane janë përpjekur të prodhojnë filma të pranueshëm për Pekinin për të hyrë në tregun fitimprurës të Kinës. Por prania e filmave të Hollivudit në Kinë ka ardhur duke rënë vazhdimisht vitet e fundit.

Kontrolli më i fortë i Kinës mbi industrinë e saj të argëtimit mund të jetë në fakt një lajm i mirë për kineastët amerikanë thotë Fenton.

“Do të na lejojë, shpresoj, të kthehemi në realizimin e filmave më të mirë të mundshëm pa asnjë lloj censurimi të paramenduar dhe pa asnjë servilizëm ndaj qeverisë kineze”.

Kompania Netflix me bazë në SHBA dhe studio të tjera, po shikojnë tani tregjet jashtë Kinës.

“Ka shumë vende më të vogla në Azinë Juglindore dhe Amerikën Latine, vende të vogla në Evropë që nuk kanë qenë shumë të rëndësishme në të kaluarën e që tani kanë filluar të krijojnë vërtet të ardhura interesante”, thotë Cris Fenton.

Por Hollivudi nuk mund t’ia mbyllë plotësisht derën Kinës, thotë Stanley Rosen, i cili jep mësim për politikën dhe shoqërinë kineze.

Lexo më shumë  NATO kërkon rritjen e prodhimit të armëve në Ukrainë

“Ata nuk mund të injorojnë tregun kinez, veçanërisht për filmat e mëdhenj të suksesshëm që kushtojnë dyqind milionë dollarë ose më shumë për t’u realizuar. Duhet tregu kinez për të realizuar të ardhura”, thotl Stanley Rosen me Universitetin e Kalifornisë Jugore.

Zoti Rosen thotë se Kina ende do të ketë nevojë për Hollivudin.

“Për të qenë tregu më i madh i filmit në botë në baza të qëndrueshme çdo vit, ata kanë nevojë për prodhimet e Hollivudit”.

Por Kina po largohet nga Hollivudi, veçanërisht duke ndaluar disa lloje filmash.

“Një film që tregon aspirata demokratike shihet si një kërcënim nga qeveria kineze. Pra, në një botë të përsosur, ata do të donin të krijonin industrinë e tyre të klasit botëror që kujdeset për tregun e tyre masiv të konsumit në vetvete dhe nuk ka nevojë për Hollywood-in”.

Por Liu thotë se ka përfituar nga ekspozimi ndaj filmave të realizuar jashtë Kinës.

“Të shikosh filma të ndryshëm nga vende të ndryshme është në fakt një mënyrë për të kuptuar më mire njëri-tjetrin”.

Në të njejtën kohë Liu do të donte ta shihte kulturën kineze të shpjeguar më mirë në Perëndim përmes filmit.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *