Art & Kulturë

LIBRI I JAVËS/Më e mira e botëve – Aldous Huxley

-Nga parathënia e autorit

Parathënie

Ndërgjegjja e cila të bren në mënyrë kronike, siç bien njëmendje të gjithë moralistët, të jep ndjenjën më të padëshirueshme. Nëse je sjellë keq, pendohu, bëj atë që të përmirëson dhe vendosi vetes detyrë që herën tjetër të sillesh mirë. Asnjëherë, sido që të jetë, mos bluaj në mendje veprime të gabuara. Të rrokullisesh në llucë, nuk është mënyra më e mirë për t’u pastruar.

Edhe arti ka moralin e tij dhe shumë prej rregullave të këtij morali janë të njëjta, ose të paktën analoge, me rregullat e etikës së përditshme. Ndërgjegjja që të bren, për shembull, është po aq e padëshirueshme në artin tonë, sa ç’është në marrëdhënie me sjelljen e keqe. Ligësia duhet përzënë, njohur, dhe nëse jepet mundësia në të ardhmen, duhet shmangur. Të meditosh për të metat letrare të njëzet viteve të shkuara, të përpiqesh të sajosh për t’i përkryer, kur nuk e ke kryer këtë me sprovën e parë, të harxhosh të dyzetat e dikujt në përpjekje për të arnuar mëkatet artistike të kryera dhe të lëna trashëgim nga dikush tjetër, i cili mund të jesh po ti kur ishe i ri – e gjithë kjo është e kotë dhe e pavlerë. Dhe ja përse kjo gjë e re te, “Më e mira e botëve”, është njëlloj si e vjetra. Defektet e saj si vepër arti janë të shumta; por që t’i rregulloja ato, më duhej të rishkruaja librin – dhe në procesin e rishkrimit, unë, një njeri më i plakur, një njeri krejt tjetër, ndoshta do të hiqja qafe jo vetëm gabimet e fabulës, por edhe shumë vlera me të cilat ishte pajisur origjinali. Dhe kështu, duke i rezistuar tundimit për t’u zhytur në pendesën artistike, parapëlqej t’i lë bashkë të mirat e të ligat e të mendoj për ndonjë gjë tjetër. Ndërkohë, gjithsesi, më duket me vlerë të përmend defektet me serioze të fabulës, të cilat janë këto. Njeriut të egër i janë ofruar vetëm dy alternativa, një jetë e çmendur tek Utopia, ose një jetë primitive në fshatin indian; një jetë më njerëzore në disa aspekte, por në disa të tjera, vështirë se është më pak e çuditshme dhe anormale. Në kohën kur u shkrua ky libër, ideja se qenies njerëzore i është dhënë e drejta e zgjedhjes, me qëllim që të zgjedhë mes papërgjegjshmërisë në njërën anë dhe çmendurisë në tjetrën, vetëm njëra prej tyre m’u duk zbavitëse, se po ta shohësh ngjan gati e mundshme, si e vërteta. Për hir të efektit dramatik, njeriut të egër i lejohet të flasë duke arsyetuar shumë më tepër se sa komuniteti nga edhe vjen, kjo ndodh prej edukimit që ka marrë mes praktikuesve të tjerë të religjionit që është gjysmë kultpjellorie e gjysmë mizori Penitente (të penduarish!), dhe kjo gjë ka gjasë të jetë aktualisht e drejtë. Madje edhe njohuritë e tij për Shekspirin, në realitet nuk do të mund të justifikojnë një mënyrë të tillë të shprehuri. Dhe për ta mbyllur, sigurisht, ai është i bërë ashtu, që të tërhiqet drejt mendjes së shëndoshë; pendueshmëria e tij e lindur, rishpall autoritetin e tij; ai përfundon duke torturuar si maniak veten dhe prej dëshpërimit shkon deri ne vetëvrasje.

“Dhe më në fund ata vdiqën të dëshpëruar” – një shqetësim që vjen prej të kënaqurve, si te esteti Pyrrhonic, i cili është dhe autori i fabulës.

Sot do të doja të demonstroja se gjendja normale është e pamundur. Në të kundërt, megjithatë, kur ndihem i lëkundur, (për fat të keq si në të shkuarën), sepse gjendja normale është thjesht një fenomen i rrallë, jam i bindur se ajo mund të arrihet dhe unë do të doja ta jetoja sa më gjatë. Duke thënë këto në shumë libra dhe, mbi të gjitha, meqë kam përpiluar një antologji të asaj se çfarë thonë njerëzit normalë për gjendjen normale dhe gjithë mënyrat si arrihet ajo, një kritik akademik i shquar më thotë se unë jam një simptomë e dështimit të një klase intelektuale në kohë krize. Ndërlikimi i qenies, ma do mendja, do të thotë se profesori dhe kolegët e tij janë simpto mat qesharake të arritjeve, të suksesit. Mirëbërësit e humanizmit meritojnë nderim dhe përkujtim. Le të ngremë një panteon për profesorët. Duhet doemos të vendoset mes rrënojave te ndonjë prej qyteteve të shkulur me rrënjë në Evropë apo Japoni dhe përmbi hyrjen e urnës, unë do të shkruaja me gërma gjashtë a shtatë këmbë të larta, fjalët më të thjeshta: VEND I SHENJTË I MËSUESVE TE EVROPËS: SI MONUMENTUM REQUIRIS, CIRCUMSPICE.

Por të kthehemi në të ardhmen. Po të isha duke e rishkruar librin tani, do t’i ofroja njeriut të egër një alternativë të tretë. Mes brirëve utopike apo primitivë të dilëmës së tij mund të gjendet mundësia e gjendjes normale – një mundësi e aktualizuar ndërkohë, deri diku, në komunitetin e të dëbuarve dhe refugjatëve prej Më e mira e botëve, të cilët jetojnë brenda kufijve të rezervateve. Në këto komunitete ekonomia duhet të jetë e decentralizuar mes politikave Henri – Gjeorgjiane, Kropotkineske dhe bashkëpunuese. Shkenca dhe teknologjia duhet të përdoren si të jenë Sabati për njeriun, (dhe jo si sot dhe si te Më e mira e botëve) ku ngjan sikur njeriu është bërë për t’u përshtatur dhe për t’u skllavëruar. Religjioni duhet të jetë ndjekja e vetëdijshme dhe e mençur e Fundit Final të njeriut, dituria e njësuese e Taos apo Logosit imanent, Kryezoti transcendent apo Brahmanit. Dhe filozofia sunduese e jetës do të jetë një lloj Utilitarizmi i Lartë, në të cilin parimi i Lumturisë më të Madhe duhet të vijë i dyti, pas parimit të Fundit Final – pyetja e parë që duhet bërë e së cilës i duhet dhënë përgjigje në çdo pasiguri në jetën e qenies: “Si do ndihmojë ky mendim apo veprim, apo si do të ndërhyjë në Fundin Final të njeriut, mes arritjeve të mia a të një numri të madh individësh”?

I rritur mes primitivëve, njeriu i egër (në këtë version të ri hipotetik të librit) nuk do të transportohej tek Utopia deri kur të ketë mundësinë mësojë që në fillim një gjë me rëndë si të dorës së parë, rreth natyrës së shoqërisë së kompozuar mbi individë, të cilët bashkëpunojnë mes tyre me përkushtim në kushte lirie, gjithmonë në kërkim të normales si gjendje. Kështu shndërrimi tek “Më e mira e botëve” do të zotërojë (nëse më lejohet të përdor një fjalë kaq të përgjithshme në lidhje me një vepër artistike) plotësinë filozofike, e cila , siç duket ka mungesa në formën e saj ekzistuese.

Por “Më e mira e botëve’’ është një libër për të ardhmen dhe cilatdo qofshin cilësitë e tij artistike apo filozofike, një libër për të ardhmen na ngjall interes vetëm nëse profecitë e tij ngjajnë sikur, që në fakt janë aq të besueshme sa do të ndodhin në të vërtetë. Prej pozitave tona më të favorshme në të tashmen, pesëmbëdhjetë vjet më pas , në një plan të thjeshtë historik, sa të besueshme do jenë këto prognoza? Çfarë ka ndodhur në kete interval të dhimbshëm që të vërtetojë apo të zhvlerësojë parashikimet e viti 1931?

Lexo më shumë  105 vjet nga Kongresi i Lushnjës, akti themelor kushtetues për Pavarësinë e plotë të Shqipërisë

Një dështim i madh, afërmendsh, i parashikimit është që në fillim i dukshëm. “Më e mira e botëve” nuk përmban asnjë referencë të zberthimit të atomit. Që nuk ka të tillë, është thjesht rastësi, për mundesitë e energjisë atomike ka pasur polemika dhe kundër vite para se ky libër të shkruhej. Miku im i vjetër Robert Nichols ka shkruar një pjesë teatrale shumë te suksesshme me këtë temë dhe më kujtohet se unë vetë e kam përmendur në një novelë të botuar në fund të viteve njëzet. Kështu që më ngjan e tepërt që raketat dhe helikopterët e kohës se Fordit Tonë të mos punojnë me energji nukleare. Lajthitja mund të jetë e pafalshme; veç meqë m’u dha rasti, thjesht e shpjegova. Tema tek “Më e mira e botëve” nuk eshtë përparimi i shkencës në kësi rrugësh; është përparimi i shkencës në mënyrën si ndikon ajo mbi individin si njeri. Triumfi i fizikës, kimisë dhe inxhinierisë nënkuptohet që është marrë i mirëqenë. Të vetmet përparime shkencore, të cilat do të përshkruhen në mënyrë të veçantë janë ato ku përfshihet përdorimi i tyre mbi qenien njerëzore si rezultat i kërkimeve biologjike, fizike dhe psikologjike të së ardhmes. Vetëm përmes mjeteve të shkencave të jetës, cilësia e saj (jetës) mund të ndryshohet rrënjësisht. Shkencat e materies mund të zbatohen në mënyra të tilla sa mund të shkatërrojnë jetën, ose ta bëjnë jetesën të padurueshme, të ndërlikuar dhe të sikletshme; por, nëse nuk përdoren si instrumente prej biologëve apo psikologëve, ato nuk kanë si t’i modifikojnë format e natyrshme dhe shprehitë e vetë jetës. Çlirimi i energjisë atomike shënon një revolucion të madh në historinë njerëzore, por ky nuk është revolucioni i fundit, as me i kërkuari (nëse nuk na ndodh përpara ketij revolucioni ta bejme veten copash dhe t’i japim fund historisë së njerëzimit).

Ky revolucion vërtetë revolucionar duhet të arrihet jo në boten e jashtme, por në shpirtrat dhe trupat e qenieve njerëzore. Duke jetuar ashtu siç jetonte ai ne periudhën revolucionare, me qëllim që të racionalizojë llojin e tij të veçantë , si prej të çmenduri, Markezi de Sade krejt natyrshëm vuri në përdorim teorite vetjake për revolucionin. Kurse Robespieri pati arritur llojin më siperfaqësor të revolucionit, ate politik. Duke hyrë pak me thellë, Babefi u përpoq për një revolucion ekonomik. De Sade – i e shihte veten si një apostull të revolucionit të vërtetë, përtej politikës dhe ekonomisë, revolucionit të njeriut të përveçëm, në mënyrë që burra, gra, e fëmijë, trupat e të cilëve pas kësaj të bëheshin prona të zakonshme seksuale e të gjithëve dhe mendjet t’u pastroheshin nga çdo normë mirësjelljeje e natyrshme; të gjitha barriera të ngritura me mundim kundër qytetërimit tradicional. Mes sadizmit dhe revolucionit të vërtetë revolucionar, sigurisht, nuk ka asnjë lidhje të nevojshme apo të pashmangshme. Njerëzit që qeverisin “Me të mirën e botëve” ndoshta nuk janë në vete (në atë gjë që quhet kuptimi absolut i botës); dhe ata nuk janë të çmendur, synimi e tyre nuk është anarkia, por stabiliteti shoqëror. Me qëllim që të arrihet stabiliteti ata mbartin me vete, përmes mjeteve shkencore, më të fundmin, më personalin, revolucionin e vërtetë revolucionar.

Por, ndërkohë, ne jemi vetëm në fazën e parë të atij që ndoshta do të bëhet revolucioni i parafundit. Faza e tij e ardhshme mund të jetë lufta atomike, e cila po ndodhi, neve nuk kemi pse merremi më kot me profeci për të ardhmen. Duhet ta besojmë ne vetë, se ndoshta kemi aq arsye, edhe nëse jo aq sa për të ndaluar luftërat një herë e përgjithmonë, të paktën, aq sa të sillemi me aq mend sa paraardhësit tanë në shekullin e tetëmbëdhjetë. Tmerret e Luftës së Tridhjetë Viteve, në fakt, u dhanë njerëzve një mësim; edhe për më shumë se njëqind vjet politikanët dhe gjeneralet e Evropës me vetëdije i rezistuan tundimeve për t’i përdorur burimet e veta ushtarake deri në kufijtë e shkatërrimit ose (në pjesën më të madhe të konflikteve) për të mos vazhduar luftën kur armiku ishte krejtësisht i shkatërruar. Ata, sigurisht, ishin agresorë, lakmitarë për para dhe lavdi, por ishin gjithashtu të matur; atëhere kishte vetëm radikale nacionalistë të krahut të djathtë dhe radikale nacionalistë të majtë. I fundit burrë shteti ka qenë Markezi Lansdowne V. Kur ai shkroi një letër për The Times, ku propozonte se Lufta e Parë Botërore duhej të mbyllej me kompromis, si shumica e luftërave në shekullin e tetëmbëdhjetë. redaktori i kësaj gazete dikur konservatore, nuk pranoi t’ia botojë. Radikalet nacionaliste ndoqën rrugët e tyre, me pasoja që i dime te gjithe – bolshevizmi, fashizmi, inflacioni, depresioni , Hitleri, Lufta e Dytë Botërore, shkatërrimi i Evropës; që të gjitha lanë nga pas një krizë universale.

Atëherë, duke hamendësuar se jemi të aftë të mësojmë sado pak prej Hiroshimës, siç paraardhësit tanë mësuan prej Magdeburg-ut, ne shohim përpara drejt një periudhe jo domosdoshmërisht e gjitha në paqe, por me luftëra shkatërrimtare të kufizuara dhe të izoluara. Gjatë kësaj periudhe, merret me mend se energjia atomike mund të futet në përdorim për industrinë. Rezultatet janë fare të dukshme, do të ketë një sërë ndryshimesh ekonomike dhe shoqërore të pashembullta, si në shpejtësi, ashtu edhe në përbërje. Të gjitha modelet ekzistuese të jetës njerëzore do të ndryshohen dhe modele të reja do të improvizohen, për t’u përshtatur me fatin jonjerëzor të fuqisë atomike. Prokrusti me veshje moderne, shkencëtar nuklear, do të përgatisë një shtrat ku të shtrihet raca njerëzore. Do të ndodhin edhe tendosje, ndoshta edhe ca amputime – të njëjtat tendosje dhe amputime që janë përdorur prej kohës kur shkenca e zbatuar bëri vërtet hapin e madh; vetëm se këtë radhë do të ketë ca më tepër se në të kaluarën. Këto operacione shumë larg idesë së mungesës së dhimbjeve, do të drejtohen prej qeverive thellësisht të centralizuara totalitare. Kjo gjë është e pashmangshme; e ardhmja e afërt do ngjasojë me të shkuarën e afërt ngase zhvillimet e shpejta teknologjike kur të zënë vend në ekonominë e prodhimit në masë mes popullatave kryesisht pa pronë, kanë për të sjellë gjithmonë prirjen që do të prodhojë çoroditje ekonomike dhe shoqërore. Që të marrë masa kundër çoroditjes , pushteti është centralizuar, është rritur kontrolli qeveritar. Ka mundësi që të gjitha qeveritë e botës të jenë pak a shumë totalitare përpara se të shfrytëzohet energjia atomike; se që ato do të jenë totalitare gjatë edhe pasi të shfrytëzojnë energjinë atomike, kjo gjë duket gati e sigurt. Vetëm një lëvizje popullore në shkallë të gjerë drejt centralizimit qe i del zot vetvetes, mund të ndalë prirjen e sotme drejt një shteti që e kontrollon jetën. Sot për sot, nuk ka asnjë shenjë që një lëvizje e tille të nisë. Sigurisht, nuk ka arsye që totalitarizmi i ri të ngjasojë me atë të vjetrin. Një qeveri shkopinjsh gome dhe togash pushkatimi, urie të detyrueshme, burgimesh dhe debimesh masive, nuk është thjesht jonjerëzore (askush nuk pyet shumë për këtë edhe sot e kësaj dite), është në mënyrë demonstrative e paefektshme dhe në kohët e teknologjisë së avancuar, joefikasiteti është mëkat ndaj Shpirtit të Shenjtë. Një shtet i vërtetë efikas totalitar, do të jetë ai ku drejtorët e mëdhenj do të kenë të gjitha fuqitë politike dhe ushtria e menaxherëve, që drejtohet prej tyre, do të kontrollojë popullatën e skllevërve, të cilën nuk kanë as pse ta detyrojnë me zor, sepse ajo vetë e dashuron robërinë. Që ajo ta dashurojë, në shtetet e sotme totalitare, ngarkohet me punë ministria e propagandës, redaktorët e gazetave edhe mësuesit e shkollës. Por metodat që përdorin janë ende të papërpunuara dhe joshkencore. Të vjetrit jezuitë deklarojnë se nëse i tregonin shkollimin e një fëmije, ata mund të gjenin opinionet e religjioze; kjo ishte produkt i mendimit të gatshëm. Pedagogu modern është ndoshta më pak efikas të kushtëzojë reflektimet e nxënësve të vet, sesa kanë qenë etërit priftërinj që mësuan Volterin. Triumfi më madhështor i propagandës arrihet jo duke i lejuar për të bërë diçka, por duke ia ndaluar. E vërteta është e madhe, por më e madhe, nga një këndvështrim praktik, është shkenca mbi të vërtetën. Thjesht duke lënë pa përmendur disa subjekte të caktuara, duke ulur mbi masat, atë që zotni Churchill-i e quan “perdja e hekurt”, edhe me fakte apo argumente të tilla, nga ato që bosët provinciale politikë i quajnë si të padëshirueshme, propaganda totalitare ka ndikuar mbi opinionin me efikasitet shumë më të lartë sesa mund t’ia kishin dalë me denoncimet më elokuente, si detyrim – përcaktim ndaj kundërshtarëve më të arsyeshëm. Por heshtja nuk mjafton. Nëse persekutimi, eliminimi, dhe simptomat e tjera të mosmarrëveshjeve shoqërore duhen shmangur, anët pozitive të propagandës duhet të bëhen po aq të efektshme sa edhe ato negativet. Projektet më të rëndësishme të së ardhmes, si ai “Manhatan”, do të jenë të sponsorizuara gjerësisht prej qeverive , do të kërkojnë brenda asaj që politikanët dhe shkencëtarët pjesëmarrës do ta quajnë: “problemi i lumturisë”-me fjalë të tjera, si t’i bëjnë njerëzit t’i duan ata që i skllavërojnë. Pa siguri ekonomike, dashuria për skllavërinë nuk mund të ekzistojë vetiu; për hir të kohës së shkurtër, ma merr mendja, që të gjithë drejtorët e plotfuqishëm dhe menaxherët e tyre do ia dalin mbanë të zgjidhin problemin e sigurisë së përhershme. Por siguria ka gjasë që fare shpejt të merret si e mirëqenë. Arritja thjesht e sipërfaqshme e gjithë kësaj është revolucioni i brendshëm. Dashuria ndaj skllavëruesit nuk mund të arrihet përveçse si rezultat i një revolucioni të thellë personal në mendjen dhe në trupin e njeriut. Për të sjellë këtë revolucion, neve na duhen, midis të tjerash, zbulimet dhe shpikjet e mëposhtme. E para, një teknikë këshillimi e përmirësuar jashtëzakonisht – përmes kushtëzimit foshnjor dhe më pas me ndihmën e ilaçeve, si, fjala vjen, skopolamina. E dyta, një shkencë e zhvilluar plotësisht mbi dallimet mes njerëzve, duke i dhënë kështu aftësinë çdo menaxheri qeveritar të vendosë secilin në vendin e duhur të punës, brenda hierarkisë shoqërore dhe ekonomike. (Stabilizimi i çmimeve pa lodhje, priret të sjellë mendime të rrezikshme mbi sistemim shoqëror dhe të infektojë kështu edhe të tjerët me pakënaqësi). E treta (meqë realiteti, megjithëse utopik, është një gjë prej së cilës njerëzit kanë nevojë të ikin shpesh me pushime) një zëvendësues për alkoolin dhe narkotikët e tjerë, diçka që të jetë njëherësh më pak e dëmshme dhe të japë shumë më tepër kënaqësi se sa xhini apo heroina. Dhe e katërta (por kjo do kërkonte një projekt afatgjatë, i cili do të merrte gjenerata të tëra kontrolli totalitar për ta sjellë drejt suksesit përfundimtar), një sistem i pagabueshëm eugjenik, i projektuar për të standardizuar njeriun si produkt, që t’u lehtësojë menaxherëve detyrat. Tek “Bota e re e guximtarëve”, standardizimi i njeriut si produkt është çuar deri tek fantastikja ekstreme, gjë ndoshta jo aq e pamundur. Teknikisht dhe ideologjikisht jemi ende shumë larg bebeve në shishe, grupeve Bokanovski dhe gjysmë të metëve. Por në vitet A.F. 600, kush e di se çfarë do të ndodhë? Ndërsa karakteristikat e shfaqura për një jetë më të lumtur e një botë më të qëndrueshme – ekuivalentet e somas, hipnopedisë dhe sistemit shkencor të kastave – ka mundësi të jenë jo më larg se disa gjenerata. As imoraliteti seksual i “Më e mira e botëve nuk duket të jetë shumë larg. Që sot, në një numër qytetesh amerikane numri i divorceve është i barabartë me numrin e martesave. Pas pak vitesh, padyshim, certifikatat martesore do të shiten si kartelat e qenve, të vlefshme për një periudhë dymbëdhjetëmuajshe, po ashtu edhe ligje që të ndalojnë të shkëmbesh një qen, apo të mbash në shtëpi më shumë se një kafshë. Ndërsa liria politike dhe ekonomike zvogelohet, liria seksuale ka gjasë të ketë prirje të zmadhohet. Dhe diktatorët (vetëm po iu desh mish për top dhe familje që të kolonizojnë tokat bosh apo ato të pushtuara) do të inkurajojnë këtë lloj lirie. Ndërthurja e lirisë me drogat, filmat dhe radion, do të ndihmojë të arrihet ëndërrimi me sytë hapur, që të arrihet nënshtrimi i individit ndaj robërisë në emër të fatit. Duke i marrë parasysh të gjitha këto, duket sikur Utopia është pranë nesh më shumë se çdo gjë, vetëm pesëmbëdhjetë vite larg. Kurse unë, ngjarjen e projektova gjashtëqind vitet e ardhshëme. Sot duket se tmerri i këtij refren i mund të na kaplojë edhe brenda një shekulli të vetëm. Kjo ndodh po qe se ne ia dalim të mos shpërthejmë e të bëhemi thërrmija brenda këtij intervali kohe. Tamam kështu, nëse zgjedhim decentralizimin dhe vëmë në përdorim shkencën, pa qëllimin që kthen qenien njerëzore në mjet të saj, por vetë shkencën në mjet që prodhon një racë individësh të lirë, ne kemi vetëm dy alternativa për zgjedhje: ose një numër totalitarizmash nacionalë të militarizuar, që i kanë rrënjët e veta të mbërthyera në terrorin e bombave atomike e për rrjedhim shkatërrimin e qytetërimit, (ose, nëse lufta vihet nën fre, përjetësimin e militarizmit); ose një totalitarizëm supernacionalist, i cili vjen në jetë si pasojë e kaosit shoqëror, ardhur si rezultat i zhvillimit të shpejtë teknologjik në përgjithësi dhe atij atomik në veçanti, duke u zhvilluar nën nevojën për efikasitet dhe stabilitet, në një tirani mirëqënieje si Utopia. Ju i paguani paratë, zgjidhni çfarë të dëshironi.

Lexo më shumë  105 vjet nga Kongresi i Lushnjës, akti themelor kushtetues për Pavarësinë e plotë të Shqipërisë

1946

Shqipëroi: Rudi Erebara
Shtëpia botuese: Pika pa sipërfaqe (2012)

©Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *