Ekspozohen në Shqipëri dosje sekrete të policisë sekrete komuniste
Një përzgjedhje dosjesh të deklasifikuara nga arkivat e Ish-Sigurimit të Shtetit u ekspozuan për herë të parë në kryeqytetin shqiptar, Tiranë.
Një ekspozitë e titulluar “Tirana në sytë e Sigurimit” u mbajt në Pallatin e Kongreseve në kryeqytet të enjten, duke ilustruar sesi njerëzit në kryeqytetin shqiptar u spiunuan dhe u persekutuan nën regjimin komunist që sundoi vendin deri në fillim të viteve 1990.
“Sot kemi ekspozuar rreth 43 dosje të ndryshme, sigurisht që vëllimi i dokumenteve është shumë herë më i madh, i kalon mijëra faqe dokumente sepse dosjet speciale kanë vëllime dosjesh brenda”, tha Ardiana Topi, drejtoreshë e arkivit pranë AIDSH, i cili ishte një nga organizatorët e ekspozitës.
“8200 faqe nga dhjetëra dosje sigurimi që zbërthejnë psikologjinë e regjimit dhe shtypjen e diktaturës janë deklasifikuar për ekspozitën”, tha ajo.
Topi shpjegoi se dosjet e Sigurimit përmbajnë raporte survejimi për individë të veçantë, por edhe për tema më të përgjithshme si kleri apo tregtia.
“Qëllimi kryesor është të përcjellim një mesazh për komunitetin dhe për të rinjtë dhe ky mesazh është: diktatura nuk duhet të ndodhë më. Diktaturat janë gjëja më e keqe që mund t’i ndodhë një shoqërie. Diktaturat sjellin shkatërrimin e të gjitha aspekteve të njerëzimit, individit, kulturës, të zhvillimeve ekonomike e kështu me radhë”, tha ajo.
Shqiptarët jetuan nën mbikëqyrjen e vazhdueshme nga Sigurimi për gati pesë dekada nën sundimin e liderit komunist Enver Hoxha, i cili drejtoi një regjim brutal që mori mijëra jetë.
Rruga Press