Deputetët kërkojnë ashpërsim të legjislacionit për krime si i Fierit
Vrasja e 8-vjeçarit Mateo Vasiu në Fier është bërë shkak për debate edhe në Komisionet Parlamentare.
Fillimisht në Komisionin e Sigurisë Kombëtare dhe më pas te Ligjet, deputetët kërkuan të merren masa që ngjarje të tilla të parandalohen, ndërsa socialistet kërkuan që çështja të mos politizohet.
Për deputetin Luan Baçi nga Partia Demokratike, nëse 38-vjeçari do ishte trajtuar siç duhet nga instancat shtetërore, ngjarja mund të ishte parandaluar.
“Një vogëlush 8 vjeçar edhe do të mund të ishte gjallë sot midis nesh nëse shteti, në qoftë se policia do të kishte bërë detyrën e vetë, në qoftë se bashkia, pushteti lokal do të kishte bërë detyrën e vetë mbi monstrën 38 vjeçar. Mbi këtë përbindësh që ka qenë një person i skeduar”, tha Baçi .
Ndërsa, Enkelejd Alibeaj kërkoi që Kuvendi të reagojë njëzëri për këtë çështje, dhe mbështeti protestën e sotme të familjarëve të Mateo Vasiut në gjykatë.
“Këtu do të duhej të reagojë organi më i lartë, që është Parlamenti, për një çështje që prek të gjithë shoqërinë. Por nuk është udhës që parlamentarët, Parlamenti i Republikës të ngrejë duart lartë dhe të thotë ‘unë po bëj një projektligj’ dhe këtu kam mbyllur misionin dhe detyrën. Ata njerëz që çanë dyert e gjykatës sot, kanë frikë për familjet e fëmijët e tyre”, tha Alibeaj./euronews/
Deputetët e të dyja palëve theksuan njëherazi edhe rëndësinë e ashpërsimit të legjislacionit për krime si ai në Fier.