Paralajmërimi i Blinken, Dodik: Sanksionet shtojnë tensionet, Bosnja nuk ndahet
Shtetet e Bashkuara të Amerikës paralajmërojnë sanksione ndaj politikanëve separatistë të Bosnjë-Hercegovinës. Sekretari i Shtetit, Antony Blinken, i dërgoi një letër anëtarëve të presidencës trepalëshe, duke nënvizuar se kriza politike po rrezikon stabilitetin dhe sigurinë e të gjithë Ballkanit Perëndimor.
“Si dëshmitarë nënshkrues të Marrëveshjes së Dejtonit për Paqe, SHBA-ja përsërit se lëvizjet për t’u tërhequr në mënyrë të njëanshme nga institucionet e nivelit shtetëror se për të destabilizuar Marrëveshjen, do të përballen me veprime të duhura, përfshirë marrjen në konsideratë të sanksioneve”, u shpreh Blinken.
Paralajmërimi i kryediplomatit të administratës së presidentit amerikan, Joe Biden, shkon në adresë të liderit të serbëve të Bosnjës, Millorad Dodik. Ky i fundit kërcënoi me tërheqje nga institucionet drejtuese të vendit, përfshirë ushtrinë, që do të sillte ndarjen e Bosnjë-Hercegovinës dhe një konflikt të mundshëm të armatosur. Dodik iu përgjigj letrës vetëm pas takimit me Derek Chollet, i cili mban postin e këshilltarit të sekretarit të shtetit të SHBA-së, Antony Blinken, duke theksuar se sanksionet do ta përshkallëzonin situatën dhe pretendoi se nuk do ndarjen e vendit.
“Unë thashë se ju thjesht po vendosni sanksionet tuaja, ne do të zbatojmë politikat tona”, tha Milorad Dodik, lider i serbëve të Bosnjës.
Ndërkohë, këshilltari i Blinken, Derek Chollet, përfundoi vizitën e tij në Bosnjë duke paralajmëruar se disa drejtues partish po minojnë funksionimin e shtetit. Gjithashtu, përsëriti urdhrin ekzekutiv të presidentit Biden për zgjerimin e sanksioneve ndaj eksponentëve të Ballkanit Perëndimor që rrezikojnë marrëveshjen e Dejtonit apo ujditë e tjera ndërkombëtare të paqes, si dhe mundësuesit e akteve korruptive.
Rruga Press